Ndërlidhjet

Koalicionet e mundshme qeverisëse


Pamje nga fushata zgjedhore

Pamje nga fushata zgjedhore

Analistët politikë në Kosovë kanë mendime të ndryshme për atë që po cilësohet si sfidë për Partinë Demokratike të Kosovës dhe për kryetarin e saj, Hashim Thaçi, të formojë një koalicion qeverisës.

Partia e zotit Thaçi ka fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të dielën, më 8 qershor, por nuk ka vota të mjaftueshme për ta formuar e vetme qeverinë.

Krenar Gashi nga Instituti për Politika Zhvillimore, INDEP, konsideron se PDK-ja, menjëherë pasi të marrë mandatin nga presidentja e Kosovës për të formuar qeverinë, do të mund ta bëjë koalicionin.

“Këtë po e them për arsye se zoti Thaçi, është treguar zemër-gjerë me të gjitha partitë e vogla në koalicionin e tij parazgjedhor dhe kësisoji do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve, duke iu ofruar partive të tjera, konkretisht Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën një ofertë të pa-refuzueshme për ta formuar qeverinë”, tha Gashi.

Analisti tjetër politik, Imer Mushkolaj, konsideron se nëse partitë politike, Lidhja Demokratike Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, u qëndrojnë besnike fjalëve që i kanë thënë gjatë fushatës zgjedhore për të mos hyrë në koalicion me PDK-në, atëherë kjo e fundit do ta ketë të vështirë formimin e koalicionit.

“E para, nëse partitë politike që tashmë kanë fituar më shumë vota, u qëndrojnë besnike fjalëve ose deklarimeve që në asnjë mënyrë nuk do të bëjnë koalicion me zotin Thaçi - e që unë besoj që kjo nuk është e mundshme - atëherë zoti Thaçi vihet në një pozitë të veshtirë në kuptimin se do të duhej të gjejë një partner tjetër”, tha Mushkolaj.

Megjithatë, sipas Mushkolajt nga përvoja e kaluar, si LDK-ja, po ashtu edhe AAK-ja, nuk u kanë qëndruar besnike fjalëve, parimeve dhe ideologjive të tyre.

Ai thekson se nuk do të duket fare e çuditshme nëse shumë shpejt do të arrihet një koalicion në mes të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nismës për Kosovën, me arsyetimin se ketë koalicion e bëjnë për të mirën e interesit nacional.

“E dimë se në të kaluarën ka ndodhur që pikërisht, interesimi i faktorit ndërkombëtar në kuptimin se kah do të shkojë vendi në të ardhmen, është determinues për krijimin e koalicioneve".

"Ndërkaq, nëse nuk do ta kemi ketë ndikim ose përpjekje të faktorit ndërkombëtar për të formuar një koalicion, atëherë po them se zoti Thaçi është shumë komod në kuptimin e ofertave që do t’ju japë partive politike”,
tha Mushkolaj.

Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës kanë deklaruar se PDK-ja do të synojë krijimin e një koalicioni të gjerë dhe stabil, pavarësisht se me cilat parti.

Ata kanë deklaruar se është e nevojshme që të ketë një shumicë stabile ku nuk do të paraqiten probleme për sa i përket vendim-marrjeve të rëndësishme.

Në cilindo rast, analistët pohojnë se përbërja e qeverisë së ardhshme do të përballet me jo pak sfida, duke nisur nga vazhdimi i bisedimeve me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve e deri te themelimi i Tribunalit i cili do të merret me krimet e luftës në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG