Ndërlidhjet

logo-print

FT: Shansi i Hillary Clintonit


 Hillary Clinton

Hillary Clinton

Hillary Clinton mund të mos ketë mbledhur mendjen zyrtarisht për të garuar për presidente të Shteteve të Bashkuara më 2016, por të tjerët thonë se ajo do të kandidojë, shkruan gazeta Financial Times.

Publikimi i memoareve të saj “Hard Choices” (Zgjedhje të vështira) të martën, duket më shumë si një itinerar fushate, sesa një turne libri. Sondazhet po ashtu e radhisin si garuesen kryesore të Partisë Demokratike.

Financial Times thotë se tashmë nuk është në pyetje nëse Clinton do të kandidojë, por si dhe për çka. Në përpjekjen e saj të mëparshme më 2008, ajo është mposhtur nga kundërkandidati demokrat, Barack Obama. Po ashtu ishte penguar edhe nga vota e saj në Senat, më 2002, për autorizimin e pushtimit të Irakut.

Tani, zonja Clinton ka shansin për të bërë ndryshime. Duke e paraqitur veten si zgjedhje të pashmangshme, do të dështojë. Por, imazhi i saj global dhe përvoja në qeverisje e vënë në një pozitë ideale për të nisur debaatin për të ardhmen e Amerikës. Ky është një rol tejet i vlefshëm, shkruan Financial Times.

Po sipas gazetës, ka dyshime nëse zonja Clinton mund të lëvizë përtej polarizimit që ka penguar Obamën në mandatin e dytë dhe në pjesën më të madhe të mandatit të parë.

Obama ka vuajtur nga një bllokim i tmerrshëm: ndarja midis degëve të para dhe të dyta të Qeverisë amerikane ka qenë rrallë më e keqe. Një pjesë e saj ka buruar nga stili i tij i qeverisjes, i cili është shumë i shkëputur për shijen e Uashingtonit.

Një pjesë tjetër mund të ketë rrjedhur edhe nga fakti se ai është afro-amerikan.

SHBA-së i duhet ende kohë për të zhdukur dyshimet racore.

Por, pjesa më e madhe vjen nga një lëvizje e mprehtë e Partisë Republikane në të djathtë, pas rënies së Wall Street-it më 2008. Clinton do duhet të shpjegojë se si do ta trajtojë ndryshe Tea Party-n. Opozita e mëhershme jep indikacione se ajo do të përballet me vështirësi, shkruan gazeta.

Libri i zonjës Clinton i kushton një kapitull të plotë tragjedisë në Bengazi, në të cilën katër diplomatë amerikanë kanë humbur jetën, përfshirë ambasadorin e SHBA-së në Libi. Në atë kohë, Clinton ka qenë sekretare shteti. Por, nuk ka asnjë dëshmi të neglizhencës nga ana e saj.

Republikanët po ashtu do ta bëjnë faktor moshën e zonjës Clinton, e cila më 2016 do të jetë 69 vjeçe. Ata po ashtu dyshojnë, ndonëse pa bazë, se Clinton ka pësuar dëmtime në tru nga një tronditje në fund të vitit 2012. Clinton ka thënë se të dhënat mjekësore do të bëhen të disponueshme nëse kandidon për presidente.

Lajm i mirë, sipas gazetës, është se ajo është e pjekur në beteja, pasi ka vuajtur shumë sulme personale kur ka qenë Zonjë e Parë në vitet 1990, por edhe gjatë fushatës së saj të pasuksesshme më 2008. Duke shërbyer si kryediplomate e Amerikës, si senatore dhe Zonjë e Parë, gjinia dhe përvoja e Clintonit duhet të funksionojnë në favor të saj.

Në politikën e jashtme, ajo duhet të shpjegojë se si do të menaxhojë rikthimin e politikave të fuqisë së madhe. Por, marrë parasysh reputacionin e saj për diplomaci të vështirë, kjo do të jetë puna më e lehtë për të.

Sfidë tjetër për të do të jetë edhe adresimi i ankthit ekonomik të klasës së mesme në Amerikë. Obama u është kthyer ish-këshilltarëve të Bill Clintonit kur ka marrë detyrën. Zonjës Clinton do t’i duhen zëra të rinj dhe qasje të reja, shkruan Financial Times.
Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG