Ndërlidhjet

Gjykata bashkon dy rastet kundër Ministrisë së Transportit


Prishtinë

Prishtinë

Gjykata Themelore e Prishtinës ka nxjerrë vendimin lidhur me kundërshtimet e provave dhe kërkesat për largimin e aktakuzës që ishte parashtruar nga të pandehurit në procedurën penale të dytë, për të ashtuquajturin rasti “Ministria e Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit” (MTPT 2).

“Gjyqtari kryesues i konfirmoi shumicën e akuzave që i përmban aktakuza dhe vendosi që ta dërgojë rastin në gjykim. Përveç kësaj, gjyqtari kryesues vendosi t’i bashkojë procedurat e rastit MTPT 2 me ato në vijim e sipër për rastin MTPT 1”, njofton misioni evropian për sundimin e ligjit EULEX.

“Gjykata vlerësoi se ka prova të mjaftueshme për dyshimin e bazuar se të pandehurit F.L, ish-Ministër i MTPT-së, N.K., ish Shef i Prokurimit në MTPT dhe S.T., truprojë e F.L., në vitin 2008 e kanë formuar një grup kriminal të organizuar, i cili ka kryer veprën e rëndë penale Shpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit”, thuhet po ashtu në komunikatën e EULEX-it.

Po sipas saj, akuzat kundër të pandehurve F.L., N.K. dhe S.T. për Përvetësim në detyrë dhe Lidhje të kontratave të dëmshme u hodhën poshtë nga gjykata.

Gjykata hodhi poshtë edhe akuzën për Marrje të mitos pasi që Prokuroria Speciale nuk kishte paraqitur dëshmi të mjaftueshme për këtë.

Gjykata i hodhi poshtë në tërësi akuzat kundër të të pandehurve A.A. dhe B.D. dhe i pushoi procedurat penale kundër tyre.
XS
SM
MD
LG