Ndërlidhjet

Opozita arrin marrëveshje, PDK e quan anti-kushtetuese


Blloku i tri partive, në përbërje Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma kanë arritur marrëveshje për formimin e koalicionit të ardhshëm qeveritar.

Ky koalicion pritet të mbështetet edhe me votat e Lëvizjes Vetëvendosje, por e cila nuk do të jetë pjesë e qeverisë.

Ky koalicion, i pamundëson subjektit fitues të zgjedhjeve, Partisë Demokratike të Kosovës dhe liderit të saj Hashim Thaçi të formojnë qeverinë e re.

Sipas marrëveshjes, AAK, LDK dhe Nisma, kryeministër i ardhshëm do të jetë Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministër nga radhët e Nismës, kurse kryetar i Kuvendit një deputet i LDK-së.

Po ashtu, në afatin kushtetues, LDK do të merrte edhe postin e presidentit, thuhet në marrëveshje.

Njëherësh, tri partitë pritet të vazhdojnë bisedimet për ndarjen e ministrive.

PDK: Marrëveshja është anti-kushtetuese

“Vullneti i qytetarëve nuk mbrohet me marrëveshje anti-kushtetuese”, ka thënë nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi, duke i udhëzuar partitë që kanë arritur marrëveshje ta lexojnë edhe një herë Kushtetutën.

Këto komente ai i bëri pas një takimi të kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, e cila fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 8 qershor.

Marrëveshjen ai e ka cilësuar si një formë presioni për të rritur, siç u shpreh, "pazarin negociues me Partinë Demokratike të Kosovës".

VV: Me kushte

Lëvizja Vetëvendosje e vlerëson si "hap cilësor që të tri subjekte politike, LDK, AAK dhe NISMA për Kosovën, kanë vendosur që mos të jenë në asnjë mënyrë në koalicion me PDK-në, dhe njëkohësisht janë marrë vesh që të kenë një kandidat të përbashkët për kryeministër".

"Është e domosdoshme që në Kosovë ta kemi një ndryshim të theksuar të kursit dhe politikave prej atyre që i kemi parë në zbatim deri më tash. Qeveria e ardhshme, si Qeveri e emergjencës, duhet t’i pezullojë bisedimet me Serbinë dhe implementimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe si dhe privatizimet në KEK, PTK e Trepçë", ka thënë Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes, në një takim me mediat.

Ekspert i çështjeve juridike-kushtetuese, Riza Smaka, thotë se një iniciativë si kjo e partive opozitare "nuk është aniti- kushtetuese".

“Është në harmoni me Kushtetutën, me nenin 95, dhe është e mundshme”, tha Smaka, duke vlerësuar se presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, do ta nominonte në një rast të këtillë partinë politike me numrin më të madh të votave. Nëse në atë rast, formimi i qeverisë dështon, atëherë, sipas zotit Smaka, mund të mandatohet subjekti tjetër politik.

Lexoni këtu Nenin 95 të Kushtetutës së Republikës, që ka të bëjë me zgjedhjen e qeverisë.

Lexoni këtuNenin 67 Të Kushtetutës së Republikës, që ka të bëjë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG