Ndërlidhjet

Shënohet 15 vjetori i KFOR-it


(Ilustrim)

(Ilustrim)

Në 15 vjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, misioni i aleancës veri-atlantike ushtarake vlerëson se siguria e vendit është rritur deri në atë pikë që tash Institucionet vendore janë në gjendje ta ruajnë rendin dhe qetësinë e Kosovës.

Sipas një komunikate të dërguar mediave, kjo verëhet te fakti që para 15 vjetësh ishin të nevojshme 55 mijë ushtarë të huaj, ndërsa tani KFOR-i funksion me vetëm 5500 ushtarë.

“Një dëshmi e kohëve të fundit e këtij përmirësimi të dukshëm dhe substancial ishin zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 10 qershor, të organizuara në mënyrë paqësore dhe pa incidente festive: kjo ngjarje shënoi një moment historik në historinë e Kosovës, me pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve në procesin demokratik si shenjë e pjekurisë së arritur nga njerëzit dhe nga të gjitha institucionet”, thuhet ndër të tjera në këtë komunikatë.

Në këtë 15 vjetor, KFOR është kujtuar për 136 ushtarët e 16 vendeve që kanë dhënë jetën gjatë misionit të KFOR-it.

Për nder të tyre, KFOR-i ka organizuar një ceremoni solemne për të nderuar ushtarët që siç thotë komunikata, “kanë dhënë jetën e tyre për kauzën e lirisë, paqes për një Kosovë më të mirë, për një Evropë më të mirë, për një botë më të mirë për të gjithë qytetarët të cilët tani mund të jetojnë në një mjedis të sigurt, pa dallim race, gjuhe, etnie apo besimi fetar”.

“Gjeneralmajor Salvatore Farina, Komandant i KFOR-it, me këtë ceremoni të thjeshtë por solemne, së bashku me të gjithë burrat dhe gratë e KFOR-it, donë që të gjithë të kujtojnë turmat e panumërta të ushtarëve të të gjitha kombeve që paraprinë proceset këtu”, përfundon komunikata e KFOR-it
XS
SM
MD
LG