Ndërlidhjet

“Koha për të vepruar”

  • RFE /RL

 Angelina Jolie, David Cameron dhe William Hague

Angelina Jolie, David Cameron dhe William Hague

“Koha për të vepruar” është motoja që mban samiti global për t’i dhënë fund dhunës seksuale në konflikte. Tubimi më i madh me këtë temë ka nisur të martën në Londër dhe zgjat katër ditë.

Zyrtarë të lartë nga më shumë se 100 vende, ashtu si edhe përfaqësues të fushës juridike, ushtarake dhe gjyqësore, OJQ dhe dijetarë fetarë do të ndjekin ngjarjen.

Iniciativa për Parandalimin e Dhunës Seksuale është ndërmarrë nga sekretari i jashtëm britanik, William Hague, dhe aktorja Angelina Jolie, e dërguar speciale e OKB-së për refugjatët, më 2012.

Aktorja me famë botërore ka thënë se drejtësia duhet të jetë normë për këtë krim.

“Është një mit të thuhet se përdhunimi është pjesë e pashmangshme e konfliktit. Këtu nuk ka asgjë të paevitueshme; është një armë lufte kundër civilëve. Nuk ka asgjë të bëjë me seksin, por me fuqinë. Bëhet për të torturuar dhe poshtëruar njerëzit e pafajshëm dhe shpesh fëmijët. Kam takuar të mbijetuara nga Afganistani në Somali; ato janë si ne, por me një dallim të madh. Ne jetojmë në vende të sigurta; mund të kërkojmë ndihmën e mjekut kur plagosemi; kemi institucionet që na mbrojnë”, ka thënë Jolie.

Ajo ka thënë se dëshiron t’ia kushtojë këtë konferencë një viktime të përdhunimit që ka intervistuar së fundmi në Bosnjë. Ajo ndjehet aq e turpëruar nga ajo që ka ndodhur, saqë nuk mund t’ia thotë as djalit të saj, ka thënë Jolie.

“Duke parë se nuk ka drejtësi për krimin ndaj saj dhe duke parë njeriun që e ka përdhunuar të lëvizë lirshëm, ajo ndjehet e braktisur nga bota. Kjo ditë është për të”, ka thënë Jolie.

Në samitin në Londër merr pjesë edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, si dhe sekretari amerikan i shtetit, John Kerry.

Samiti ka për qëllim që të inkurajojë vendet për të forcuar ligjet e brendshme, të cilat do të mundësonin ndjekjet penale; pastaj t’iu bëjë thirrje vendeve që të trajnojnë ushtarët dhe paqeruajtësit për të parandaluar dhunën seksuale, të rrisë fondet për mbështetjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale, si dhe të ndryshojë qëndrimet ndaj përdhunimeve në konflikte.

Organizatorët duan që ngjarja të jetë koha kur bota zgjohet dhe deklaron se dhuna seksuale nuk është pjesë e pashmangshme e luftës.

“Nga heqja e skllavërisë deri te miratimi i Traktatit për Tregtinë e Armëve, kemi treguar se komuniteti ndërkombëtar mund t’i trajtojë problemet e mëdha globale në një mënyrë që dikur është konsideruar e pashmangshme”, ka thënë para të pranishmëve sekretari i Jashtëm britanik, William Hague.

“Mendoj se përdhunimi është një nga krimet më të mëdha që bëhen në botën moderne. Ai po bëhet më keq dhe do të bëhet edhe më keq në vitet e ardhshme nëse nuk ndërmarrim një qëndrim kundër dhe nuk tregojmë se çfarë mund të bëjmë në lidhje me të”, ka shtuar Hague.

Ai ka thënë se dhuna seksuale është përdorur në mënyrë sistematike si armë e luftës në shekujt 20 dhe 21.

Hague ka thënë se pothuajse asnjëra prej rreth 50,000 femrave që janë dhunuar në Bosnjë dy dekada më parë, nuk ka marrë drejtësi.

Prejse Hague dhe Jolie kanë nisur fushatën e tyre, Deklarata e Angazhimit për t’i dhënë fund dhunës seksuale është miratuar nga 141 vende.(v.tela)
XS
SM
MD
LG