Ndërlidhjet

Orientimi i subjekteve të pakicave, i papërcaktuar


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Subjektet politike të bashkësive pakicë në Kosovë janë duke i pritur rezultatet përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në mënyrë që të qartësohen lidhur me pjesëmarrjen në qeverinë e ardhshme të vendit.

Paqartësia aktuale lidhur me këtë çështje, ka dalë në pah pas formimit të bllokut opozitar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Nisma, karshi Partisë Demokratike të Kosovës, e cila ka marrë shumicën solide të votave në zgjedhje.

Kryetari i Listës Serbe, Aleksandar Jablanoviq, tashmë ka deklaruar subjekti që ai drejton nuk do të hyjë në asnjë koalicion pa miratimin Qeverisë Serbe.

“Me kë do të fillojë Lista Serbe bisedimet për koalicion, kjo do të varet nga qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Serbisë, sepse, thjeshtë, ne pa qeverinë serbe nuk do të hyjmë në asnjë aranzhim me asnjë opsion politik”, ka thënë Jabllanoviq.

Gjezair Murati nga koalicioni boshnjak Vakat, i cili deri më tash ka pasur dy mandate në Kuvendin e Kosovës dhe pritet që njëjtë t'i ketë edhe në përbërjen e ardhshme të Kuvendit, thotë se kryesia e këtij koalicioni do të mblidhet për të marrë vendimin, pas ndryshimeve që ka sjellë marrëveshja ndërmjet LDK, AAK dhe Nismës.

“Ka qenë më se e logjikshme që të flasim me fituesin e deritashëm. Por, në politikë është gjithçka e mundur, ashtu siç edhe po shihet dhe për këtë ne do të ulemi dhe do të bisedojmë se cila është oferta për ne. Në qoftë se ne e gjejmë veten brenda atyre ofertave, në qoftë se kemi të bëjmë me zgjidhjen vitale të problemeve të boshnjakëve, atëherë mund të bisedojmë dhe të merremi vesh".

"Por, do të ishte korrekte që të flasim me ata që kanë qenë deri më tash. Në qoftë se ata nuk e kanë shumicën, atëherë nuk mundet asnjë qeveri të formohet dhe në kuadër të saj të mos ketë pakica”
, ka thënë Murati.

Emilia Rexhepi nga Partia e Re Demokratike që po ashtu vjen nga bashkësia boshnjake me një mandat të deputetit, thotë se kjo parti tashmë është kontaktuar nga përfaqësuesit e AAK-së, por edhe nga përfaqësuesit e PDK-së, por partia e saj, tash për tash, vetëm po e përcjellë situatën.

Ne jemi parti e vogël dhe kemi vetëm një votë. Do ta përcjellim situatën dhe më vonë do të orientohemi. Do të shohim se kah po shkojnë bashkësitë tjera pakicë. Ne jemi në koalicion me PDK në nivelin komunal dhe kemi qenë edhe në nivelin qendror, por kjo nuk o të thotë se kështu do të jetë gjithmonë”, theksoi Rexhepi.

Mahir Yagxhilar nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, thekson se partia e tij po pret rezultatet përfundimtare në mënyrë që të sqarohet struktura e Kuvendit të Kosovës, si nga aspekti i njerëzve që përfaqësojnë, por edhe nga aspekti numerik për partitë politike.

Ai thotë se janë takuar edhe me përfaqësuesit e AAK-së por edhe të PDK-së, dhe për të dy kanë pasur të njëjtën përgjigje.

Për neve është e rëndësishme që të veprohet sipas Kushtetutës, të priten rezultatet përfundimtare dhe më pas të vazhdohet më tutje. Varianti më i keq është që të shkohet përsëri në zgjedhje”, thotë Yagxhilar.

Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane thotë se partia e tij është e interesuar të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme.

Deri më tash, sipas tij, janë kontaktuar vetëm nga Partia Demokratike e Kosovës...

“Kemi marrë ofertë prej Partisë Demokratike (të Kosovës) që ditën e parë pas zgjedhjeve. Prej bllokut të ri nuk kemi marrë ende ndonjë ofertë. Nuk e di, mbase ata kanë menduar që të funksionojnë më ndryshe. Ne jemi duke pritur ofertë edhe prej tyre, sepse jemi shumë të interesuar që të hyjmë në qeverisje”.

Përfaqësuesit e bashkësive pakicë në Kuvendin e Kosovës i kanë të garantuara 20 ulëse, 10 për bashkësinë serbe, ndërkaq që 10 të tjera ndahen nga bashkësitë: boshnjake, turke, gorane dhe bashkësia e romëve, ashkalive dhe egjiptianëve.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG