Ndërlidhjet

Procedura të gjata deri në mbledhjen e Kuvendit


Numërimi i votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (Foto nga arkivi)

Numërimi i votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (Foto nga arkivi)

Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të tetë qershorit, nuk pritet që të shpallet pa mbaruar të gjitha procedurat e numërimit të të gjitha votave - si atyre me kusht, po ashtu edhe atyre të ardhura nga mërgata.

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Florian Dushi, thotë për Radion Evropa e Lirë se duhen më shumë se dhjetë ditë deri te certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.

“Përfundimisht, ne do të kemi brenda një kohe jo edhe aq të shkurtër rezultatet e përgatitura nga kjo qendër (QNR), pastaj KQZ-ja, do t’i shqyrtojë, aprovojë dhe shpallë ato rezultate”.

“Ndërkohë, pas shpalljes, subjektet politike dhe kandidatët do të kenë një afat prej 24 orësh të ushtrojnë ankesa ndaj këtyre rezultateve, procedurave, në rast se do të ketë bazë për të ushtruar ankesë. Pas përfundimit të afatit të ankesave, ne i certifikojmë rezultatet përfundimtare”,
shpjegon Dushi.

Dushi thekson, po ashtu, se KQZ-ja, ende nuk e di se me çka do të ballafaqohet nga Qendra e Numërimit dhe e Rezultateve, pasi që votat me kusht, ato të personave me nevoja te veçanta dhe ato të ardhura nga mërgata janë duke u futur në proces.

“Tash do të shohim atë se me çka do të ballafaqohemi ne në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve. Por, afërsisht rezultate të shpallura do të kemi për një afat prej mbi 10 ditësh”, thotë Dushi.

Pas certifikimit të rezultateve nga ana e KQZ-së, pasojnë pesë ditë për ankesa dhe më pas rrjedh afati 30 ditor për thirrjen e seancës së parë të Kuvendit.

Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike shpjegon se pas thirrjes që duhet ta bëjë presidentja e Kosovës për seancën e parë, deputetët do të duhej që ta bëjnë betimin e tyre dhe të marrin mandatin e tyre kushtetues.

“Pastaj mbetet te koalicionet brenda Kuvendit të Kosovës që të propozojnë mandatarin për Qeverinë e ardhshme. Një propozim i tillë i dërgohet presidentes së Republikës, pastaj presidentja e Republikës është autoriteti, i cili e dërgon prapë në Kuvend mandatarin apo mandaton personin, i cili do të jetë kryeministër dhe mbetet në personin e mandatuar që ta themelojë koalicionin qeverisës, që duhet të votohet me shumicë votash në Kuvendin e Kosovës”, thekson Doli për Radion Evropa e Lirë.

Zgjedhjet e 8 qershorit kanë sjellë një situatë të re, ku partitë jo fitues të zgjedhjeve pretendojnë të formojnë qeverinë - gjë që nga partia fituese e numrit më të madhe të votave, në këtë rast PDK-ja është duke u kundërshtuar.

Nga ana tjetër, juristi Dren Doli, konsideron se sipas normave dhe modelit të Kushtetutës, koalicioni i partive politike opozitare (LDK, AAK, NISMA) mund të formojë qeverinë e ardhshme.

“Ajo çështje është e rregulluar në Kushtetutë dhe norma kryesisht përcakton që grupi i deputetëve, apo koalicioni i deputetëve, i cili mban shumicën e ulëseve në Kuvendin e Kosovës, ka të drejtë që të propozojë mandatarin e qeverisë”.

“Dhe, roli i presidentes në rastin konkret është që të marrë atë emër, i cili propozohet nga shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe t’i propozojë Kuvendit kryeministrin e ardhshëm dhe pastaj kryeministri i ardhshëm ka të drejtë që të propozojë kabinetin e tij qeverisës dhe një gjë e tillë të votohet në Kuvend
”, sqaron Doli.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG