Ndërlidhjet

FH: Kosova ende me regjim gjysmë-autoritar


Kosova dhe Serbia, pas disa viteve retorikë të përshkallëzuar dhe negociata të dështuara, kanë shënuar përparim të madh në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, thuhet në raportin më të ri të organizatës Freedom House “Vendet në tranzicion 2014”.

Freedom House kujton se në shkurt të vitit 2013, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe homologu i saj serb, Tomisllav Nikolliq, janë takuar në Bruksel, duke shënuar takimin e parë midis kryetarëve të dy shteteve prejse Kosova ka shpallur pavarësinë.

Raporti përmend edhe marrëveshjen e 19 prillit për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe zotimet e të dyja palëve për të mos penguar njëra-tjetrën në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Në Kosovë ka pasur edhe përmirësime; një nga to është natyrisht marrëveshja historike midis Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, sidomos sa i përket trajtimit të situatës në veri. Në anën e Serbisë, ajo nuk ka shkaktuar vlerësime të njëjta, sepse vlerësimet e Serbisë kanë qenë shumë më të larta se të Kosovës”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Sylvana Habdank-Kolaczkowska, drejtore e projektit për vendet në tranzicion, pranë organizatës Freedom House.
Kategoritë e notuara
Kategoritë e notuara

Megjithatë, sa i përket demokracisë, Kosova, edhe sivjet, është përfshirë në grupin e vendeve me regjim gjysmë të konsoliduar autoritar. Në tabelën prej shtatë pikësh, ku njëshi përfaqëson nivelin më të lartë të përparimit demokratik, ndërsa shtata më të ultin, Kosova ka 5.14 pikë. Shifra, prapëseprapë shënon një përparim të vogël nga një vit më herët, kur ka qenë 5.25. Në grupin e vendeve gjysmë-autoritare bëjnë pjesë edhe Armenia e Kirgizia.

Sa u përket mediave të pavarura, organizata Freedom House i jep Kosovës 5.75 pikë; në lidhje me qeverisjen kombëtare 5.50, ndërsa për qeverisjen lokale 4.75. Sa i përket korrupsionit, Kosova është vetëm një pikë larg vlerësimit më të keq – në këtë kategori ajo ka 6 pikë. Për kushtet në të cilat funksionon shoqëria civile, Kosova ka 3.75 pikë, ndërsa për kornizën gjyqësore 5.50.

Raporti po ashtu thekson se Kosova, së bashku me Shqipërinë dhe Gjeorgjinë, kanë marrë vlerësime të mira për zgjedhjet dhe transferimet paqësore të pushtetit.

Në rrafshin global, kriza aktuale në Ukrainë thuhet se ka përqendruar vëmendjen e botës në ndarjen e mprehtë ideologjike dhe politike midis Evropës, e cila vepron sipas parimeve demokratike, dhe Euroazisë, ku gati katër nga pesë njerëz jetojnë në regjime autoritare.

Raporti konstaton se pengesat për qeverisjen demokratike janë prirje dominuese në të gjithë Euroazinë dhe Ballkanin, ashtu si edhe në Evropën Qendrore, ku klientelizmi dhe korrupsioni kanë qenë të pranishëm gjatë gjithë vitit të kaluar.

Organizata me seli në Shtetet e Bashkuara ka bazuar raportin e sivjetmë në monitorimin e zhvillimit demokratik në 29 vende nga ish-Bashkimi Sovjetik, Ballkani dhe Evropa Qendrore. (v.tela)
XS
SM
MD
LG