Ndërlidhjet

Mbishkrimet në Shkup, injorohet gjuha shqipe


Mbishkrimet vetëm në gjuhën maqedonase
Mbishkrimet vetëm në gjuhën maqedonase
Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe sërish ka nxitur debate lidhur me zbatimin e saj në institucionet e pushtetit lokal dhe atij qendror.

Shkupi si njësi e veçantë e administrimit lokal, së fundi ka bërë zëvendësimin e shumë tabelave të urave dhe shesheve në kryeqendrën e Maqedonisë, por të gjithë këto janë shkruar vetëm në gjuhën maqedonase dhe me alfabetin cirilik.

Kreu i qytetit, Koce Trajanovski, thotë se në rastin konkret është vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe aktet tjera ligjore.

Duke komentuar reagimet në opinion për anashkalimin e gjuhës shqipe, përdorimi i së cilës garantohet me Kushtetutë, Trajanovski thotë se një komision i formuar për këtë problematikë, do të interpretojë saktë nëse veprimi i autoriteteve vendore të Shkupit ka qenë ose jo i drejtë.

“Qyteti i Shkupit nuk e ka shkelur Kushtetutën, e as ligjet. Ne kemi shërbime përkatëse që janë të angazhuara lidhur me këtë çështje dhe interpretimin e ligjeve në qytetin e Shkupit. Dygjuhësia është e përkufizuar në mënyrë të prerë. Ka disa ligje që lënë hapësira për interpretime të ndryshme, për këtë arsye kemi formuar edhe një komision, i cili do të shqyrtojë zbatimin e këtyre ligjeve për çështjen e dygjuhësisë”, ka deklaruar kryetari i Shkupit, Trajanovski.

Komisioni për këtë çështje është formuar që në muajin shkurt, por deri më tani nuk ka mbajtur asnjë seancë, me arsyetimin e mospolitizimit të kësaj çështjeje në periudhën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe se kontesti do të diskutohet vetëm pas formimit të qeverisë së re.

Por, njohësit e çështjeve kushtetuese, konsiderojnë se autoritetet e Shkupit kanë bërë shkelje flagrante të Kushtetutës së vendit, e cila në mënyrë të qartë, sqaron pozicionin e gjuhës shqipe.

“Gjuha shqipe garantohet me Kushtetutë dhe ligj, si gjuhë zyrtare në njësitë e vetadministrimit lokal, respektivisht në komuna dhe qytetin e Shkupit, si njësi e veçantë e vetadministrimit lokal. Në Kushtetutë theksohet se në njësitë e vetadministrimit lokal, gjuha dhe shkrimi që e përdorimin së paku 20 për qind e shtetasve është gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj".

"Meqë shqiptarët në mbarë territorin e Shkupit janë mbi 20 për qind, me automatizëm edhe gjuha shqipe dhe shkrimi i saj duhet të jenë gjuhë zyrtare, që nënkupton që rrugët, objektet, institucionet e kështu me radhë duhet të emërtohen në gjuhën shqipe dhe shkrimin e saj”,
vlerëson për Radion Evropa e Lirë, Jeton Shasivari, ekspert juridik dhe profesor në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Ai thotë se në rastin konkret nuk ka nevojë për interpretim të Kushtetutës apo të ligjeve, pasi gjithçka është e qartë, ndërsa shkelësit e dispozitave kushtetuese dhe ligjore duhet të përballen me sanksione.

“Çfarëdo tendence për reduktimin e kësaj të drejte që garantohet me Kushtetutë dhe ligj, përmes akteve nënligjore, duhet të nënkuptohet si mungesë e vullnetit politik për të zbatuar Kushtetutën dhe dispozitat ligjore. Dhe, për të veprimet e tilla, duhet të mbahet edhe përgjegjësi për shkeljen e së drejtës të vetadministrimit lokal, si dhe të drejtave gjuhësore të shqiptarëve në gjithë territorin e qytetit të Shkupit”, thekson Shasivari.

Përveç Shkupit, probleme për zbatimin e gjuhës shqipe ka edhe në nivelin qendror, për shkak të interpretimeve të ndryshme që i bëhet ligjeve. Në Kuvendin e Maqedonisë, deputetët kanë të drejtë të flasin në gjuhën amtare, por jo edhe kryesuesi i seancave nëse është shqiptar.

Dokumentet personale shqiptarët i marrin edhe në gjuhën e atyre amtare, por vetëm nëse për këtë bëjnë kërkesë, pra nuk është obligueshme.

Probleme të kësaj natyre ka edhe në institucionet tjera. Ekspertët thonë se këto çështje duhet të rregullohen me një ligj të veçantë, në të cilin qartë do të theksohej përdorimi i zyrtar i gjuhës shqipe për të mos lënë hapësira për interpretime të ndryshme.
XS
SM
MD
LG