Ndërlidhjet

Kosova mund të konsiderohet tashmë se po përfshihet në një krizë institucionale ende pa u shpallur dhe certifikuar rezultati final i zgjedhjeve parlamentare, vlerësojnë analistët politik në Prishtinë.

Sipas tyre, kjo situatë mund të çojë vendin sërish në zgjedhje, por të cilat konsiderohet se do të ishin një sfidë e re, ngaqë po krijohet një momentum i ri politik në vend.

Analisti i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti vlerëson se kriza në të cilën po futet Kosova është tejet e rëndë sepse ka karakterin jo vetëm të një krize politike, por edhe kushtetuese.

Pretendimi i tri partive jo fituese të zgjedhjeve që të formojnë qeverinë, duke e lënë në opozitë partinë fituese, është një rast i ri i cili do të kërkoj edhe një interpretim kushtetues, thotë Rashiti.

Në këtë aspekt, në momentin e formimit të institucioneve të reja, një rol vendimtar mund ta ketë edhe presidentja dhe vendimi i saj nëse do të mandatojë apo jo një kandidaturë nga opozita për krijimin e qeverisë së re të Kosovës.

"Krizat politike janë shumë lehtë të menaxhueshme, por krizat rreth kushtetutshmërisë së një procesi dhe të institucioneve nëse udhëhiqen gabimisht mund të shkaktojnë një situatë shumë të rëndë. në veçanti kjo tani me rolin e presidentes dhe me interpretimin kushtetues të cilin presidentja duhet ta bëjë", ka thënë Rashiti.

Lidhja e marrëveshjes politike mes Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën me pretendimin për krijimin e qeverisë, pritet të sfidohet nga aspekti kushtetues nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës, si fituese e zgjedhjeve.

Naim Rashiti thotë se partitë politike kanë kohë që deri në certifikimin e rezultatit dhe thirrjes së seancës së parë plenare të provojnë të gjejnë një zgjidhje për të evituar mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve të reja.

"Nëse kemi kundërshti të mëdha për formën e formimit të qeverisë, natyrisht që do të kemi krizë. Krizat shkaktohen nëse vendi mbetet pa qeveri, nëse vendi shkon në zgjedhje të cilat janë vështirë të menaxhohen për shkak të pritjeve të reja dhe momentumeve të reja politike që krijohen dhe kushtetutshmëria nëse formimi i institucioneve nuk do të jetë në përputhje me Kushtetutën", ka vlerësuar Rashiti.

Ndërkohë, analisti Imer Mushkolaj thotë se zhvillimet që pasuan votimet e 8 qershorit, sidomos lidhja e bllokut prej tri partive për krijimin e qeverisë pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, kanë befasuar të gjithë.

Zhvillime të tilla, pas certifikimit të rezultatit, mund të zvarrisin formimin e institucioneve të reja, thotë Mushkolaj.

"Konsideroj se këto do të shkaktojnë një zvarritje të krijimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet ose nuk përjashtohet mundësia që të shkojmë edhe në zgjedhje të reja të parakohshme, por të cilat në fakt do të ishin edhen jë sfidë tjetër për Kosovën me logjikën se do të kërkojnë mund, financa dhe angazhim për t'u organizuar sa më mirë", ka thënë Mushkolaj.

Mes opsionit të zgjedhjeve dhe krijimit të një qeverie pa partinë fituese, analisti Mushkolaj thotë se e preferon këtë të dytën.

"Do të doja që të krijohen institucionet sipas formulës së bërë tashmë publike nga partitë i opozitare dhe nuk do të doja që të shkohet sërish në zgjedhje", ka theksuar Mushkolaj.

Në zgjedhjet e 8 qershorit, Partia Demokratike e Kosovës fitoi me një epërsi prej pesë për qind në raport me partinë rivale, Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Por, kjo fitore, PDK-së nuk i siguroi mundësinë që të formojë vetë qeverinë, përderisa katër partitë tjera vendosën që të bojkotojnë PDK-në si partnere për bashkëqeverisje.

Në rrethana të tilla, PDK do ta kishte të pamundur ta formonte qeverinë. Por, zyrtarët e PDK-së e kanë bërë të qartë se qeveria e ardhshme do të formohet nga kjo parti politike ose vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

Për këtë pozicion, ata besojnë se kanë argument Gjykatën Kushtetuese të cilës do t'i drejtoheshin në momentin kur marrëveshja e bllokut LDK, AAK dhe Nisma do të provohej të zbatohej në nivelin institucional.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG