Ndërlidhjet

Kosovë: Raport i shëndoshë adoleshent-familje


Ilustrim
Ilustrim
Rreth 5 për qind e të rinjve të moshës 11, 13 dhe 15 vjeç janë duhanpirës aktiv, 10 për qind kanë abuzuar me alkoolin si dhe 2.6 për qind me substancat narkotike, kryesisht kanabisin. Ndërkaq, rreth 14 për qind e nxënësve kanë raportuar të kenë pasur tashmë marrëdhënien e parë seksuale.

Këto janë rezultatet e dala nga hulumtimi “Sjelljet që ndërlidhen me shëndetin te fëmijët e moshës shkollore në Kosovë”, i bërë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, UNFPA-ja dhe me fondet e Qeverisë së Luksemburgut.

Sami Uka, zyrtar për shëndetin e nënës dhe fëmijës në OBSH, thotë se Kosova për herë të parë është futur në rrjetin evropian në mesin e 44 shteteve ku kryhet i njëjti hulumtim.

“Studimi mbi sjelljet që ndërlidhen me shëndetin te fëmijët e moshave shkollore është studim që kryhet në mënyrë bashkëpunuese me rrjetin evropian, e që bëhet me 44 shtete të Evropës. Po synojmë që Kosova të jetë vendi i 45 që realizon këtë studim dhe t’i kemi të dhënat që t’i krahasojmë me vendet tjera. Pyetësori është origjinal ai që është përdorur ashtu si në të gjitha vendet e Evropës”.

“Pas kryerjes së studimit dhe ndarjes së draftit final me Zyrën rajonale të OBSH-së për Evropë, ne kemi marrë komente shumë pozitive. Ky projekt, tash studimi ynë, është edhe pjesë e ueb- faqes së tyre si projekt i ndërlidhur dhe gjitha shtetet mund t’i shohin të dhënat e hulumtimit dhe studimit që është kryer në Kosovë”, thotë Uka.

Ndërkaq, psikologu Fitim Uka, i cili njëherësh ka qenë pjesë e hulumtimit, thotë për Radion Evropa e Lirë se rreth 5 mijë fëmijë janë përfshirë në mostrat e tyre, e që është edhe si standard për tërë vendet ku kryhet ky hulumtim.

“Hulumtimi ka rezultuar me të dhëna të mira, për faktin se një pjesë e madhe e adoleshentëve kanë sjellje të shëndetshme. Vetëm një pjesë e vogël, pra nën 10 për qind kanë abuzuar me alkoolin, duhanin, dhe drogat, derisa nën 5 për qind janë duhanpirës aktiv. Mosha që është përfshirë në hulumtim është 11, 13 dhe 15-vjeçare. Në mostër janë përfshirë rreth 5 mijë adoleshentë”.

“Mostra jonë është shumë më përfaqësuese se në çdo vend tjetër, ku është realizuar ky hulumtim, sepse hulumtimi është procedurë standarde e OBSH-së dhe gjithkund në çdo vend të botës merren rreth 5 mijë respodentë. Tash mund ta paramendoni se ne si shoqëri i kemi rreth 2 milionë banorë e i kemi rreth 5 mijë respodentë në hulumtim, derisa vendet tjera mund ta kenë dhjetëfishin e popullatës tonë dhe i kanë në hulumtim të përfshirë numrin e njëjtë të adoleshentëve në mostrat e tyre”, shpjegon Fitim Uka.

Ndryshe, Uka tregon edhe për një fakt shqetësues që e ka përcjellë Kosovën vitet e fundit:

“Është shqetësuese se prej të dhënave del se numri i lëndimeve që i kanë pasuar nxënësit dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore është se rreth 50 për qind e tyre, janë për shkak të lëndimeve që kanë marrë prej ngacmimeve të ndryshme apo gjatë lojës me shokë”.


“Nuk është lajm i mirë se edhe një e katërta e mostrës së përgjithshme është përfshirë në rrahje fizike, si dhe një e pesta e tyre janë ngacmuar nga një bashkëmoshatar ose e ka ngacmuar një bashkëmoshatar”.

Ndërkaq, Naim Telaku, koordinator i projektit flet për abuzimin e substancave narkotike te të rinjtë kosovarë karshi vendeve tjera.

“Në hulumtimin tonë vetëm 2.6 për qind kanë dalë që kanë abuzuar me substance narkotike. Kjo është shqetësuese, por edhe numër i ulët, pasi që nëse krahasohet me vende tjera, është shifër e ulët. Për shembull, në Kanada i njëjti hulumtim ka rezultuar se mbi 30 për qind e adoleshentëve abuzojnë me substanca narkotike. Te ne më së shumti përdoret kanabisi, e që nuk është një substancë seviriteti shumë të lartë, por është një çështje me të cilën duhet të merren institucionet relevante që bëjnë politika për parandalimin e këtyre gjërave”, konsideron Telaku.

Sipas zyrtarëve që janë marrë me hulumtimin, Kosova karshi vendeve të tjera evropiane, qoftë për përdorimin e duhanit, alkoolit, apo abuzimit substancave narkotike, renditet në vendet e fundit të tabelave që tregon se prevalenca e këtyre sjelljeve është mjaft e vogël.

Sipas tyre, shoqëria jonë vazhdon të mbështetet në tradita dhe ka një marrëdhënie të shëndoshë mes adoleshentit dhe anëtarët e familjes, dhe kjo bën që të promovohet një stil i shëndetshëm i jetesës.
XS
SM
MD
LG