Ndërlidhjet

logo-print

Interesim dhe tifozllëk për Botërorin në Brazil


Ilustrim

Ilustrim

Kampionati Botëror i Futbollit, “Brazili 2014”, i cili nis ditën e enjte në Brazil, po pritet me mjaft interesim nga dashamirët e futbollit në Kosovës.

Nga profesionistët e futbollit ky kampionat po shihet si një prej kampionateve me infrastrukturën më të kushtueshme deri më tash, i cili do t’u ofrojë dashamirëve të futbollit përjetime të veçanta të këtij sporti.

Bilbil Sokoli, trajner i futbollit dhe profesor në Universitetin e Prishtinë, thotë se botërori e sivjetmë i futbollit përshkruhet me karakteristika të veçanta, qoftë në aspektin teknik, qoftë edhe nga aspiratat që kanë përfaqësueset që në këtë garë marrin pjesë nga të gjitha kontinentet.

“Është një kampionat me një infrastrukturë të rrallë të investimeve. Do të thotë, janë investuar 14 miliardë euro vetëm në infrastrukturë , gjë që i ka thyer të gjitha rekordet. Është një kampionat ku kryesisht do të luajnë futbollistët me prejardhje nga kampionati evropian. Dominojnë futbollistët e Evropës, por nuk do të thotë se edhe këto të Amerikës jugore, nuk do të jenë të favorizuara në këtë kampionat, e aty është, para së gjithash, Brazili. Në përgjithësi, një kampionat me plot risi”, thotë Sokoli.

Por, cilët janë favoritët, sipas trajnerit Sokoli?

“Del që në aspektin teknik dhe taktik të gjithë e favorizojnë Brazilin. Aty është edhe Argjentina. Ndërkaq, unë mendoj se edhe Belgjika ka ekip të mirë, por edhe ekipet tjera që janë nga Evropa, sikurse Italia, Gjermania, Anglia, Holanda, të cilët vazhdimisht kanë qenë në pjesën e epërme të klasifikimeve, si dhe Spanja, kuptohet, si kampion aktual”, parasheh Sokoli.

Në anën tjetër, dashamirët e futbollit në Prishtinë po përgatitet ta përcjellin nisjen e kampionatit, por edhe zhvillimin e tij në përgjithësi.

Astrit Lekaj, student, thotë se do ta përcjellë me vëmendje Kampionatin Botëror të Futbollit që zhvillohet në Brazil, duke thënë se është evenimenti më i madh dhe më i bukur i këtij sporti.

“Festë shumë e madhe është. Do ta përcjellim gjithë se si dhe do të mundohemi që të jemi sa më shumë në ambiente jashtë, sepse i kemi parë që edhe lokalet në Prishtinë janë përgatitur shumë për kampionatin botëror. Si favorit, gjithsesi, e kam Argjentinën kësaj here, por edhe Kroacia besoj se do të arrijë shumë”, shprehet Astriti.

Faton Shabani, gazetar dhe njëkohësisht tifoz i futbollit, thotë se Kampionati Botëror i Futbollit i bashkon popujt në një festë të përbashkët.

“Për këtë kampionat, por edhe për kampionatet tjera, favorit e kam Gjermaninë. Nuk e di pse më pëlqen... mentaliteti i futbollit, por edhe në përgjithësi mentaliteti gjerman. Do ta përcjell aq sa kam kohë. Një kampionat është një garë që i bashkon njerëzit, etnitetet, kombet, racat. Gjithçka e bën bashkë. Do të thotë, përderisa politika po i ndan njerëzit, anë e mbanë, është sporti ai që, megjithatë, po i bashkon”, thotë Fatoni.

Tifozët e futbollit thonë se ndeshjet do t’i shikojnë kudo që të gjenden, në shtëpi, punë apo lokale të ndryshme, të cilat tashmë kanë vënë monitorët e mëdhenj.

Ata thonë se pjesë e tifozllëkut është edhe humori në llogari të tifozëve kundërshtarë, por edhe në llogari të vetvetes. Ka edhe tifozë të papërmbajtur. Kështu e quan veten edhe Mirsad Murturi, kuzhinier në një lokal hotelier:

“Do ta përcjelli aq sa të mundem. Në qoftë se jam në punë, e shoh aty. Por, në qoftë se jam në shtëpi, ‘e kalli’ shtëpinë gati krejt. Favorit e kam Italinë, vetëm se kam frikë që ka për ta humbur Balotelli, sepse tash për tash nuk po luan mirë. Por, kur të fillojë futbolli, unë e kam problem të rri i qetë. Nuk mundem, nuk kam kontroll...”.

Florent Rracaj thotë se gjatë përcjelljes së Botërorit në futboll, atmosferën do ta bëjnë vetë tifozët. Një prej tyre është edhe ai vetë dhe gjithashtu ka edhe favoritin e tij.

“Favorit e kam Francën, ndonëse shpesh po dështon. Por, kësaj here të hyjmë në dhjetëshen më të mirë, së paku”,
shpreson Florenti.

Kampionati Botëror i Futbollit në Brazil do të mbahet deri më 13 korrik. Në këtë Botëror do të garojnë 32 ekipe të ndara në 8 grupe, të cilat synojnë trofeun kryesor, Kupën Botërore të Futbollit.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG