Ndërlidhjet

Kosovë: Arrin grupi i vullnetarëve të Korpusit të Paqes


Arritja e vullnetarëve në aeroportin e Prishtinës
Arritja e vullnetarëve në aeroportin e Prishtinës

Grupi i parë i vullnetarëve të Korpusit të Paqes nga Shtetet e Bashkuara tashmë ka arritur në Kosovë. Në një komunikatë ëpr media të shpërndarë nga ambasada e SHBA-ve në Prishtinë, bëhet e ditur se 25 vullnetarët amerikanë, “vijnë nga komunitete nga gjithë SHBA-të dhe janë të përkushtuar të shërbejnë si mësues të gjuhës angleze nëpër shkollat e mesme të Kosovës për dy vite”.

Ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, citohet të ketë thënë se “Korpusi i Paqes pasqyron shumë vlera të cilat gjenden në thelbin e jetës amerikane, përfshirë këtu edhe rëndësinë u vullnetarizmit dhe shërbimit për të tjerët. Shërbimi i tyre do të forcojë lidhjen e miqësisë mes shteteve tona për vitet që vijnë”.

Drejtori i Korpusit të Paqes për Kosovën, Stephen Kutzy ndërkaq, citohet të ketë thënë se “vullnetarët janë këtu për t’u angazhuar me komunitetet e Kosovës në nivel lokal”.

Korpusi i Paqes filloi programin e tij të parë në Kosovë me ftesë të Presidentes Jahjaga e cila formalisht nënshkroi një marrëveshje shtetërore me zyrtarë të Korpusit të Paqës në shtator të vitit 2013.

Korpusi i Paqes është formuar nga presidenti amerikan John F.Kennedy, me anë të një urdhëri ekzekutiv më 11 mars të vitit 1961. Që prej atëherë, më shumë se 215,000 amerikanë kanë shërbyer në 140 shtete nikoqire, thuhet në komunikatën e ambasadës.
XS
SM
MD
LG