Ndërlidhjet

ÇOHU: AKK lejoi që të diktohet nga politika ditore


Prishtina, (ARKIV)
Prishtina, (ARKIV)
Agjencia Kundër Korrupsionit po e shkel ligjin duke mos publikuar me kohë formularët e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve kosovarë që paguhen nga buxheti i shtetit.

Kështu vlerëson Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, ÇOHU! e cila thotë se kreu i kësaj agjencie shtetërore, Hasan Preteni në vend që të zbatoj ligjin, po e interpreton atë në mënyrë të gabuar.

Sipas një komunikate të “ÇOHU”, “AKK përveç se ka bёrё shkelje tё ligjit nё fuqi, duke mos i publikuar regjistrat e pasurisë brenda afatit tё përcaktuar ligjor, ka bёrё edhe njё thyerje tё re tё ligjit, duke u pozicionuar si institucion interpretues i ligjit dhe jo duke u kufizuar nё mandatin e saj ekskluziv zbatues”.

ÇOHU e citon nenin 13, pika 1, tё ligjit për deklarimin tё pasurisë i cili thotë: ‘regjistrat e deklarimit të pasurisë duhet të publikohen në faqen e internetit të Agjencisë brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e kalimit të afatit për deklarim të pasurisë nga zyrtarët e lartë publik.

Sipas kësaj organizate, tre vitet e fundit, AKK ka publikuar, siç e thotë ligji, formularët ku zyrtarë të Presidencës, Kuvendit, Qeverisë, Gjyakatave dhe Prokurorive kanë deklaruar pasurinë e tyre, në përgjithësi ditën e parë të muajit qershor.

“Por, nё kёtё vit zgjedhor, AKK-ja ka shkelë praktikën e saj kur ka vendosur që të mos i publikojë regjistrat e pasurisë brenda afatit tё përcaktuar ligjor. Njё praktikë e tillё e AKK-sё, cenon integritetin dhe pavarësinë e këtij institucioni duke lejuar qё përmbushja e mandatit tё saj ligjor tё diktohet nga politika ditore”, thuhet në komunikatën e ÇOHU.

Kjo organizatë krejt në fund ka njoftuar se sapo të konstituohet Kuvendi i ri i Kosovës do të kërkojë shqyrtimin e vendimit dhe veprimit të AKK-së përkitazi me ligjshmërinë e tij.
XS
SM
MD
LG