Ndërlidhjet

Shkaqet e aksidentit në “Kosova A”, të pazbardhura


Pas aksidentit fatal që ka ndodhur javën e kaluar në Termocentralin “Kosova A”, autoritetet kompetente janë duke vazhduar hetimet në detaje për gjetjen e shkaktarit të aksidentit.

Më gjashtë qershor, dy persona kanë humbur jetën dhe rreth 14 të tjerë janë plagosur nga një shpërthim që ka ndodhur në repartin e Elektrolizës në këtë termocentral.

Tashmë janë bërë inspektimet në këtë repart dhe në aspektin e sigurisë kanë përfunduar me sukses.

Edmond Nulleshi, drejtor ekzekutiv për Shërbime në Korporatën Energjetike të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, thotë se kompania vazhdimisht kishte ndërmarr të gjitha masat preventive të sigurisë në punë.

Kjo sipas tij, dëshmohet edhe nga raportet e dokumentuara të inspektimeve të palëve të jashtme, siç është KFOR-I, Forca e Sigurisë se Kosovës dhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave.

Ndryshe, duke pasur si një nga objektivat kryesore, reduktimin në minimum të lëndimeve në punë, Nulleshi thekson se në pjesën e tanishme të afarizmit të KEK-ut, ku përfshihet Divizioni i prodhimit te qymyrit në të dy termocentralet "Kosova A" dhe "Kosova B", gjatë periudhës së kaluar pesë vjeçare, nga viti 2009 e deri në momentin e aksidentit, nuk ka pasur asnjë rast të aksidentit në pune me fatalitet, kurse numri i lëndimeve ishte zvogëluar dukshëm.

“Gjatë periudhës së njëjte pesëvjeçare (nga 2009 deri me 06 qershor 2014), numri i lëndimeve në punë është zvogëluar më shumë se për gjysmë. Si ilustrim nga viti 2009 deri sot, numri lëndimeve në tërë KEK-un, ka pësuar rënie çdo vt, nga 169 lëndime sa ishin në vitin 2009, vitin e kaluar kanë qenë 72 lëndime në punë. Trendi i zvogëlimit në minimum të lëndimeve kishte vazhduar edhe këtë vit. Deri në momentin e aksidentit fatal, kemi pasur vetëm 12 raste të lëndimeve të lehta në punë”
, thekson Nulleshi.

Nëse merret parasysh numri punëtorëve, mbi 4,800 dhe natyra e punës në këtë lëmi, ky numër, sipas Nulleshit, është brenda të gjitha standardeve ndërkombëtare të mbrojtjes se shëndetit dhe sigurisë në punë.

Megjithatë, Nulleshi thekson se duke pasur parasysh mirëqenien e përgjithshme të punëtorëve, KEK-u punëtorët i ka pajisur më sigurime shëndetësore.

“Për më tepër, duke pasur në fokus mirëqenien e përgjithshme te punëtorëve të vetë, KEK ka pajisur ata edhe me sigurim shëndetësor, i cili mbulon shpenzimet e lëndimeve aksidentale si atyre gjatë orarit të punës, po ashtu edhe jashtë tij, pavarësisht vendit se ku janë shkaktuar ato. Jo të gjitha kompanitë në Kosovë kanë siguruar punëtorët e vetë”, shprehet Nulleshi.

Ndryshe, Kryetari i Sindikatës së Energjetikës, Izet Mustafa, për Radion Evropa e Lirë, më herët ka thënë se ka mungesë të inspektorëve për të bërë kontroll të gjitha kompanive ku dyshohet se nuk kanë krijuar kushte të sigurta për punë, dhe që nuk respektohet Ligji për Siguri në Punë

“Në aspektin e përgjithshëm ne shumë herë kemi ngritur çështjen e sigurisë dhe kemi kërkuar që të merren masa të sigurisë dhe pajisjet e vjetra që iu ka skaduar afati të largohen dhe të zëvendësohen me pajisje të reja, por nuk ka pasur mundësi materiale”, thotë Mustafa.

Sidoqoftë, KEK në koordinim më organet kompetente, është duke kryer te gjitha inspektimet dhe testimet dhe përgatitjen e kthimit në punë në e afatin e parë të mundshëm të njësive të termocentralit “Kosova A”, thotë Edmond Nulleshi

Në fazën e pare, inspektimet nga aspekti I sigurisë kanë përfunduar më sukses. Në fazën e dytë ka vazhduar faza e testimeve teknike dhe teknologjike, konform rezultateve të se cilave do të vazhdohet në rehabilitimet e nevojshme.

Pas përfundimit të fazës se testimeve do të vazhdohet më fazën përfundimtare të lëshimit në punë, ku në bazë të rezultateve preliminare, duket se njësia A3 e termocentralit “Kosova” mund të lëshohet për një kohë të shkurtër.
XS
SM
MD
LG