Ndërlidhjet

“Përleshja” e partive politike, nuk krijon efekte juridike


Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit në Kosovë, do të certifikohen pas përfundimit të gjitha procedurave në organet ankimore, pas procedimit të votave me kusht në Qendrën e Numërimit, si dhe pas futjes dhe abonimit të rezultateve, përfshi edhe procesin e rinumërimit.

Betim Gjoshi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se të gjitha këto procedura nuk parashihet të përfundojnë shpejt dhe se certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve nuk pritet të bëhet para dy javësh, që nga dita e sotme.

“Është jashtëzakonisht e vështirë që të thuhet se kur. Ne ende nuk kemi një raport se si e kemi gjendjen në formularët e rezultateve dhe sa ka nevojë për rinumërime. Vetëm pas kësaj dhe pas fillimit të numërimit të votave me kusht, që ende nuk ka filluar, do të mund të themi se kur do të certifikohen rezultatet. Por, sipas prognozave të mia, duke u bazuar në përvojën time, të paktën edhe dy javë, gjasat janë që të mos kemi rezultate përfundimtare”, thotë Gjoshi.

Pavarësisht faktit se ende nuk ka certifikim të rezultateve të zgjedhjeve, debatet ndërmjet partive politike, drejtuesve të këtyre partive, si dhe militantëve dhe përkrahësve të tyre, po zhvillohet me mjaft zjarr në mediat në Kosovë, si dhe në rrjetet sociale.

Ato janë të orientuara drejt asaj se kush do ta formojë Qeverinë e re të Kosovës dhe kush ka bazë juridike dhe kushtetuese për ta bërë një gjë të tillë.

Kjo pikëpyetje është ngritur pas formimit të bllokut të tre partive opozitare, lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Nisma, bllok i cili pretendon se ka të drejtën e formimit të Qeverisë së re të Kosovës dhe kundërshton formimin e kësaj qeverie nga ana e koalicionit që i prin Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka fituara shumicën solide në zgjedhjet e 8 qershorit.

Kjo e fundit, gjithashtu pretendon të drejtën për formimin e qeverisë së re.

Driton Selmanaj nga koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, që ka monitoruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor thotë se janë të dukshme dhe të zëshme polemikat ndërmjet partive politike.

Siç thotë ai, deri në certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve, do të ketë “përleshje” dhe qasje të ndryshme politike ndërmjet partive politike, por të gjitha këto, në këtë fazë, nuk prodhojnë asnjë efekt juridik.

“Normalisht, këtu ka një tendencë të subjekteve politike për të bërë lëvizje, manovrime politike, por gjithë se si mendojmë se nuk prodhojnë efekte juridike, përderisa kjo çështje nuk përfundon me certifikim të rezultateve nga ana e KQZ-së dhe më pas edhe konstituimin e Kuvendit. Më pas, ne do të shohim se cilat do të jenë efektet eventuale dhe cilat do të jenë sjelljet eventuale të subjekteve politike ose qasja e tyre në proceset e ndërtimit të institucioneve, të cilat kanë dalë si rezultat i këtyre zgjedhjeve”, shprehet Selmanaj.

Pavarësisht se “përleshja”, siç e quan Selmanaj, e partive politike në medie dhe rrjete sociale, nuk krijon efekte juridike, megjithatë ai thotë se ajo në një masë mund të krijojë efekte te qytetarët e Kosovës.

“Unë mendoj se krijon pak një paqartësi, një amulli, të themi popullore, për të krijuar dyshime se kush ka fituar dhe kush eventualisht mund të dal nesër në krye të institucioneve. Por, unë mendoj që këto, si të tilla, duhet të shihen nga ana e qytetarëve të Kosovës me gjakftohtësi. Duhet të shihen si përpjekje të subjekteve politike për të dëshmuar ose eventualisht për të tentuar që të dëshmojnë se ata janë fitues eventual. Por, gjithsesi mendoj që situata e tillë duhet të pritet me gjakftohtësi dhe duhet të priten, çfarë është shumë me rëndësi, rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve”, thotë Selmanaj.

Ndryshe, Selmanaj ka theksuar se fjalori politik i zjarrtë dhe i pa kompromis, i cili po zhvillohet në media dhe rrjete sociale nga ana e partive politike, më shumë shfrytëzohet për qëllime politike dhe ai nuk do të krijojë ndonjë efekt i cili do të ndikojë në anën juridike të krijimit të institucioneve të ardhshme.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG