Ndërlidhjet

logo-print

Rexhepi: Ekonomia e Kosovës, stagnim me tendenca përkeqësimi


Ibrahim Rexhepi

Ibrahim Rexhepi

“Investitorët ndërkombëtarë, përveç tjerash po i frikëson edhe situata aktuale që është në Kosovë, ku vendi po shkon drejt një jostabiliteti politik, krize kushtetuese dhe po reflekton pamundësinë, mosdashje apo inatet e liderëve politikë që po rrezikojnë funksionimin e shtetit”, thotë në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, drejtori ekzekutiv i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rexhepi, papunësia në Kosovë mbetet problem për më se një dekadë. Në të gjitha zgjedhjet, qoftë ato të përgjithshme apo lokale, subjektet politike kanë premtuar uljen e shkallës së papunësisë dhe varfërisë. Por, në realitet gjithmonë ka mbetur situatë e njëjtë. A do të mund Kosova tani të fillojë të adresojë këtë problematikë dhe të arrijë të krijojë vende të reja pune?
IBRAHIM REXHEPI
Problemi i papunësisë është e vërtetë se gjithmonë ka qenë aktual, varësisht prej rrethanave, ambientit, intervaleve kohore - herë ka qenë preokupim numër një, herë numër dy e tre i qeverive. Por, kësaj here ka qenë shumë më i theksuar, shumë më aktual dhe mënyra se si e kanë artikuluar ato gjatë fushatës ka qenë e kuptueshme dhe e pranueshme.

Mirëpo, sa ka pasur mbështetje reale, sa është mundësia e implementimit, sa vërtet mund të bëjnë apo t’u afrohen atyre shifrave që kanë përmendur, kjo është bukur diskutabile për faktin se punësimi nuk është vetëm çështje e vullnetit, e statistikave dhe e votave do të thosha. Paraprakisht, duhet të punohet shumëçka, e që ka mundur të punojë edhe qeveria e deritashme, që të përgatitet ambienti - e atëherë të pritet punësimi.

Madje, në ato rrethana vetëm të pritet punësim dhe zhvillim ekonomik pa e potencuar shumë a do të jenë vetëm 200 mijë apo do të jenë më shumë, apo më pak, ajo krejtësisht varet prej asaj se sa krijon ambient zhvillimor edhe ambient për rritjen e numrit të vendeve të punës në sektorin privat, jo në sektorin publik.

RADIO EVROPA E LIRË
Ku është dashur të fokusohen, pra, autoritetet e Kosovës që të krijojnë një ambient të favorshëm, i cili do të krijonte shpresë për punësim?
IBRAHIM REXHEPI
Problemi esencial i vendit - këtu nënkuptoj problemet ekonomike dhe sociale, qëndron në jostabilitetin, qëndron në ambientin shumë të padefinuar dhe të paqartë dhe jo aq të sigurt dhe intrigues për investitorët.

Fokusi i qeverisë që të ndihmojë dhe përkrahë kryesisht sektorin publik, këtu kam parasysh edhe rritjen e pagave, edhe orientimin te privatizimi i KEK-ut apo PTK-së, dhe ka lënë anash një spektër të gjerë të rregulloreve, të ligjeve të institucioneve, të cilat realisht kanë pasur një efikasitet shumë të ulët, apo kur jemi te ligjet, më tepër kanë qenë që të përmbushet një kriter apo një standard i caktuar nga BE-ja apo dikush tjetër, sesa që kanë reflektuar me një rritje ekonomike dhe hapje të vendeve të reja të punës.

Për këtë, ilustrimi më i mirë është ta zëmë renditja e Kosovës te rangimi që bën Banka Botërore, ndonëse ka qenë vendi më reformator, vendi me lëvizjen më të madhe në vitin e kaluar, përsëri nuk ka investime, nuk ka investime nga jashtë, nuk ka rritje ekonomike, e cila garanton se problemet mund të tejkalohen pos është një stagnim, me tendenca të përkeqësimit.

Dhe, është edhe çështja tjetër, realisht duhet kuptuar se problemi i veriut të Mitrovicës ende frikëson investitorët. Por, investitorët i frikëson edhe situata aktuale që është në Kosovë, ku vendi po rrëshqet kah një jostabilitet politik, kah një krizë kushtetuese, dhe po reflekton, me keqardhje po them, pamundësinë, mosdashjen, apo edhe inatet personale të liderëve politikë, të cilët rrezikojnë funksionimin e shtetit.

RADIO EVROPA E LIRË
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka parashikuar që rritja ekonomike për Kosovën në vitin 2014 të jetë jo më shuam se 4.6 për qind. Kjo rritje ekonomike a mundëson krijim të vendeve të reja të punës?

IBRAHIM REXHEPI
Çdo rritje ekonomike nën 7 për qind nuk premton shumë. Është një rritje ekonomike, e cila më shumë mund të mbajë një status-quo sesa që të hapë më shumë vende pune. Këtë e them duke pasur parasysh se nga vjen rritja ekonomike. Kryesisht, ende i dominon investimet në sektorin publik, dominon infrastruktura, e cila në fakt paraqet një rritje, por nuk hap vende pune. Apo, edhe nëse hapen vende të punës, ato mbyllen pas përfundimit të projektit. Do të thotë, një rritje ekonomike e momentit, rritje ekonomike që e ka jetëgjatësinë derisa të zgjasë, projekti e jo që është rritje e qëndrueshme me mundësi që ajo edhe më tutje mos të ngrihet ajo normë e rritjes ekonomike, apo së paku të mbahet në atë nivel.

Për këtë shembull më të mirë kemi autostradën “Rruga e kombit”. Nëse e kemi parasysh, ta zëmë, se diku në vitin 2010 Kosova ka pasur rritje ekonomike mbi 5 për qind dhe investime diku rreth 1 miliard në autostradë, nuk kanë reflektuar që Kosova të ketë këtë normë zhvillimi.

Ajo është sjellë diku 3 për qind , 3.5, 4 për qind dhe nuk ka kaluar më shumë. Po e them që edhe 4.6 për qind është një normë, e cila mban gjallë Kosovën, mban gjallë ekonominë, por jo që e shtyn përpara. Për mua nuk janë të qëndrueshme, apo nuk mund të shërbejnë për mburrje se Kosova ka normën më të lartë të zhvillimit ekonomik në krahasim me vendet e rajonit meqenëse duhet pasur parasysh se Kosova e ka edhe pikën më të ulët, është shkalla më e madhe e varfërisë dhe papunësisë në krahasim me vendet e rajonit.

RADIO EVROPA E LIRË
Të papunët në Kosovë konsiderohet se janë në këtë gjendje për një periudhë shumë të gjatë. A janë të përgatitur këta persona për tregun e punës?

IBRAHIM REXHEPI

Është shqetësues një fakt. Një krahasim mes asaj që kemi dëgjuar gjatë fushatës parazgjedhore, për 200 mijë apo 120 mijë vende pune. Nëse e krahasojmë këtë shifër me shifrën nga statistikat zyrtare, atëherë del një situatë bukur shqetësuese për shkak se diku janë 270 mijë të papunë, të evidentuar, prej tyre 86 për qind janë pa kualifikim ose me kualifikim të mesëm.

Çka do të thotë se me këtë strukturë kualifikuese të të papunëve, atëherë orientimi i hapjeve të vendeve të punës, do të jetë vetëm në nivelin manifaktural, do të thotë më tepër do të ketë një kuptim social që dikush të punësohet sesa që të jetë një punësim profitabil, produktiv, apo një punësim i cili reflekton me një perspektivë dhe rritje të madhe ekonomike.

RADIO EVROPA E LIRË
Përveç krijimit të vendeve të reja të punës është premtuar edhe rritje e pagave qind për qind. Me këtë zhvillim ekonomik, sa mund të ketë rritje të tilla?

IBRAHIM REXHEPI
Nëse kemi parasysh rritje të vërtetë, ka pasur rritje të pagave, rritje të cilat janë jashtë çdo logjike ekonomike, por është edhe e vërteta tjetër që niveli i pagave ka qenë shumë i ulët, kështu që është dashur të injektohet, është dashur të futet, jo vetëm në kuptimin e stimulimit financiar, po të ngrihet edhe motivi, mirëpo pagat janë ngritur në sektorin publik, domethënë pagat janë ngritur në kurriz të sektorit privat.

Ndërkaq, në sektorin privat kanë mbetur të njëjtat, që do të thotë që në një pamundësi të pagesës ta zëmë apo të rënies së aktivitetit në sektorin privat, mund të mbeten pa paga edhe këta të sektorit publik. Rritja e pagave në sektorin publik, ka bërë presion në sektorin privat, sektori privat nuk ka qenë dhe nuk është në situatë që ta përcjellë normën e përcjelljes së pagave. Rritja e pagave në sektorin publik është rritje shumë fiktive rritje, e cila ka rrezikuar investimet ka rrezikuar projektet.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG