Ndërlidhjet

Institucionet që mbushin arkën e shtetit


Ilustrim
Ilustrim
Dy institucionet kryesore, Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës, nga të cilat mbushet buxheti i Kosovës, po tregojnë performancë të mirë në mbledhjen e të hyrave, madje sipas përfaqësuesve të këtyre institucioneve, kanë arritur t’i tejkalojnë parashikimet e mbledhjes së të hyrave.

Nga 1 miliard e 590 milionë euro, si të hyra të përgjithshme, sipas parashikimeve të Qeverisë së Kosovës për vitin 2014, këto dy institucione kanë “ obligim “ që të grumbullojnë mbi 1 miliard euro.

Vetëm Dogana e Kosovës duhet të grumbullojë rreth 930 milionë euro. Adriatik Stavileci, zëdhënës në këtë institucion, thotë për Radion Evropa e Lirë, se deri më 11 qershor, Dogana ka mbledhur rreth 340 milionë euro.

“Nëse kjo krahasohet me trendin e të hyrave të viteve të kaluara, kjo është përfafërsisht 7 për qind më shumë. Besojmë se deri në fund të këtij viti, nëse nuk arrijmë te 930 milionë euro, mbi 900 milionë euro gjithsesi do të jenë të hyra për buxhetin e Kosovës”, bën të ditur Stavileci.

Rritja e të hyrave nga Dogana, vjen direkt si përmirësim i performancës së saj, e cila pavarësisht uljes së sasisë së importit, ka arritur të ruajë trendin e mirë të rritjes së të hyrave, gjithashtu vendosja e kontrolleve doganore në pikat veriore, luftimin e ekonomisë joformale, si dhe ristrukturimi i Doganës kanë prodhuar efektet pozitive në mbledhjen e të hyrave, thotë Stavileci.

Kurse, Administrata Tatimore e Kosovës për këtë vit duhet të mbledhë 367 milionë euro. Shuma mjeteve të grumbulluara për periudhën janar-maj 2014 është 130.5 milionë euro, që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, administrata ka arritur të mbledhë 1.1 milion euro të hyra më shumë, thotë Valentina Sefa – Bytyçi, zëdhënëse në Administratën Tatimore të Kosovës.

“Në kuadër të të hyrave të përgjithshme të planifikuara prej 367 milionë euro, për vitin 2014 janë rreth 30 milionë euro është planifikuar të inkasohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, agjenci kjo që ka marrë për obligim të mbulojë borxhet e ndërmarrjeve shtetërore që kanë kaluar përmes procesit të privatizimit. Këto të hyra është planifikuar të realizohen në periudhën e fundit të këtij viti, respektivisht në periudhën shtator - dhjetor 2014”, thotë ajo.

Valentina Sefa-Bytyçi shprehet se në bazë të trendëve të deritashme të hyrat e projektuara për këtë vit, do të mund të realizohen konform projekt-buxhetit të hartuar për këtë vit.

Ndryshe, mbledhja e të hyrave nga Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës është kundërshtuar vazhdimisht nga ekspertë të çështjeve ekonomike, pasi që, siç thonë ata, kjo mënyrë paraqet joqëndrueshmëri financiare dhe fiskale.
XS
SM
MD
LG