Ndërlidhjet

Maqedoni: Optimizëm për zhbllokimin e proceseve integruese


Lëvizje intensive dhe prononcime optimiste të drejtuesve të institucioneve në Maqedoni për zgjidhjen e çështjen së emrit dhe zhbllokimin e procesit euro-integrues.

Deklarata e fundit e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, se Maqedonia si asnjëherë deri tani nuk ka qenë më afër arritjes së kompromisit me Greqinë dhe se tani është koha që dy palët të ulen në tryezë dhe me një ndërmjetësim të mirëfilltë ndërkombëtar të mbyllin kontestin mes tyre, shihet si pozitive edhe nga njohësit e çështjeve ndërkombëtare.

Dimitar Mirçev, ish-ambasador dhe profesor në Universitetin e Shkupit, thotë se për dallim nga më parë, procesi është vendosur në binarët e zgjidhjes dhe se me një angazhim të mirëfilltë të diplomacisë ndërkombëtare mund të rritet mbyllja e kontestit shumëvjeçar.

“Konsideroj se procesi është pjekur, është në rrugë të mbarë, se nuk është ngrirë dhe në këtë drejtim, më bën optimist deklarata e kancelares gjermane, Angela Merkel, se vendi i saj mund të ndikojë në zgjidhjen e kontestit ndërmjet dy vendeve. Maqedonia, në fakt, priste vazhdimin e mbështetjes, por edhe të ndërmjetësimit të drejtpërdrejtë të Bashkimit Evropian. Mendoj se tani sikur qëndrimet janë kristalizuar dhe se deri nga fundi i muajit gusht pozicionet do të jenë shumë më të qarta dhe do të ketë ndonjë propozim për zgjidhjen përfundimtare të problemit”, thotë Mirçev.

Ylber Sela, ligjërues universitar dhe njohës i çështjeve të integrimit, nuk përjashton mundësinë e përfshirjes në negociata edhe të SHBA-së, që, sipas tij, do të ishte vendimtare për arritjen e problemit shumëvjeçar mes Shkupit dhe Athinës.

“Nga informacionet e fundit fitohet përshtypja se me problemin e emrit, sidomos këta dy muajt e ardhshëm, do të angazhohet edhe politika amerikane. Nëse këto informacione dalin të vërteta, atëherë normalisht se optimizmi është i madh, sepse gjithkund ku është përfshirë SHBA-ja kemi pasur zgjidhje të problemeve”.

Kjo vlen edhe për rastin konkret, nëse kemi angazhim të politikës amerikane, sidomos të presidentit Obama, normalisht se do të kemi zgjidhje, apo arritjen e një kompromisi për emrin, e cila do të mundësonte pastaj anëtarësimin e Maqedonisë në NATO në samitin që do të mbahen në Londër”, konsideron.

Nga ana tjetër, ish-diplomati Dimitar Mirçev, vlerëson se këtij procesi i ndihmon edhe deklarimi i partive në pushtet VMRO-s dhe BDI-së, se prioritet kryesor i punës së qeverisë së re do të jetë procesi integrues dhe kjo shton edhe më shumë optimizmin për arritjen e ndonjë zgjidhjeje të pranueshme. Por, Mirçev tërheq vërejtjen për pozicionin e opozitës, e cila bojkoton institucionet.

“Është dëm i madh që opozita nuk merr pjesë në këtë proces, pasi ajo mund të kontribuojë shumë në arritjen e synimit përfundimtar”, thotë profesori Dimitar Mirçev, duke theksuar nevojën e arritjes edhe të një konsensusi të brendshëm lidhur me këtë çështje të ndjeshme.

Por, nga opozita janë shprehur pesimistë lidhur me mundësinë e ndryshimit të gjërave deri në shtator.

Opozita vlerëson se kushti kryesor për zgjidhjen e kontestit mbetet ndryshimi i emrit që vështirë se do të pranohet nga partia e kryeministrit Nikolla Gruevski.

Pos kësaj, opozita vlerëson se vendi do të përballet edhe me kritere në sfera tjera ku Maqedonia ka shënuar përkeqësim të mëtejmë si sundimi i së drejtës, bojkoti i opozitës, mungesa e dialogut politik, liria e mediave e çështje tjera.

Nga ana tjetër, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili edhe është më i angazhuari për zhbllokimin e procesit integrues, ka paralajmëruar disa herë se në rast të dështimit të këtij procesi në shtator, Maqedonia do të përfshihet në krizë të re që detyrimisht do të çonte vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.
XS
SM
MD
LG