Ndërlidhjet

VOX

VOX: BE-ja, larg për të rinjtë e Kosovës


Ilustrim

Ilustrim

Shumë të rinj asnjëherë nuk kanë pasur mundësi të shkojnë në vendet evropiane për të parë ngjashmëritë apo dallimet që mund të jenë ndërmjet të rinjve që jetojnë në ato vende evropiane dhe të rinjve në Kosovë.

Në rubrikën e përjavshme “VOX”, të Radios Evropa e Lirë shumica nga të anketuarit thonë se përpos kushteve të vështira financiare, për shkak të papunësisë së të rinjve, problem mbetet edhe liberalizimi i vizave, prandaj të rinjtë nuk mund të vizitojnë vendet e Evropës.

Drita Sadiku, studion në fakultetin Juridik. Ajo thotë se asnjëherë nuk ka vizituar vendet e Bashkimit Evropian, pasi që disa herë është refuzuar nga ambasadat ku ajo ka aplikuar.

“Mundësitë janë shumë të pakta. Pos shkaqeve ekonomike, vizat janë primare. Ndoshta sa i përket të hollave, ndonjëherë do të mund t’i mblidhnim, por që të marrim vizë, është shumë e vështirë. Kam aplikuar për vizë disa herë, por jam refuzua
r”, thotë Drita.

Ndërsa, sa i përket liberalizmit të vizave, Komisioni Evropian i ka dorëzuar Kosovës udhërrëfyesin për vizat më 14 qershor të vitit 2012. Por, deri më tani, thuhet se Kosova nuk ka përmbushur kriteret që qytetarët e saj të udhëtojnë pa viza.

Leonora Ademi, që studion Gjuhën Shqipe në Fakultetin Filologjik, thotë se mundësitë e të rinjve për të shëtitur në Evropë, janë të pakta.

“Te ne mendoj se mungesa e vendeve të punës është shumë problematike. Edhe vizat nuk diskutohen. Kur kam aplikuar për vizë, mua nuk ma kanë lëshuar”
, pohon Leonora.

Edhe Valon Krasniqi, student në Fakultetin Ekonomik përmend papunësinë dhe mos liberalizimin e vizave si shkaktarë pse të rinjtë nga Kosova s’mund të shëtisin jashtë vendit:

“Shumë pak ka mundësi që të rinjtë të shëtisin në Evropë. Mendoj se shkak është edhe papunësia e madhe në Kosovë. Gjithashtu, ende nuk është bërë liberalizimi i vizave”.

Krerët e institucioneve në Prishtinë, janë kritikuar disa herë për dhënie të afateve për plotësimin e kritereve të Komisionit Evropian. Madje viti 2013, nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte shpallur edhe si vit i liberalizimit të vizave për Kosovën, por kjo nuk ndodhi.

Derisa të rinjtë mundësinë e lëvizjes së lirë e shohin si problematike, Zenel Krasniqi nga Prizreni, të cilin e takuam rrugëve të Prishtinës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mundësitë e të rinjve për të shëtitur në vendet e Bashkimit Evropian janë të pakta për disa arsye.

“Shumë pak kemi mundësi të lëvizim lirshëm. Nuk jemi të lirë, nuk kemi viza. Edhe lirinë ekonomike nuk e kemi. S’kemi para ne të rinjtë. Shumica janë të papunë”, pohon Zeneli.

Ngjashëm mendon edhe Leart Likaj, nxënës i shkollës së mesme:

“Mendoj se pa liberalizim të vizave nuk ke se si të shohësh Evropën apo edhe më gjerë. Mendoj se studentët kanë mundësi më të mëdha të marrin viza. Unë nuk kam aplikuar asnjëherë për vizë edhe pse kam dëshirë të dal dhe t’i shoh shtetet e Evropës”.

E, për liberalizimin e vizave flet edhe Blerim Muja:

“Liberalizimi i vizave ka thënë se do të bëhet. Vlora Çitaku prej se e ka marrë postin e ministres së Integrimeve Evropiane, asnjëherë nuk është ndalur së thëni se liberalizimi është i gatshëm. Unë mendoj se deri në vitin 2020 nuk do të liberalizohemi”.

Institucionet kosovare edhe pse kanë miratuar ligje të shumta e strategji që kanë për synim përafrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian, e në veçanti për çështjen e liberalizimit të vizave, para vetes kanë ende shumë sfida.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG