Ndërlidhjet

Lavrov: Kerry të ndikojë në ndaljen e ofensivës në Ukrainë

  • RFE /RL

Sergei Lavrov

Sergei Lavrov

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka kërkuar nga sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, gjatë një bisede telefonike të shtunën vonë, që ta shfrytëzojë ndikimin e tij ndaj liderëve të Ukrainës, për t’i bindur ata që ta pezullojnë ofensivën ushtarake në pjesën lindore separatiste.

Nga ana tjetër, sekretari Kerry ka shprehur “shqetësim të fuqishëm” për rrëzimin e aeroplanit transportues të Ukrainës, nga separatistët pro-rusë, derisa aeroplani përpiqej të ateronte në aeroportin në Luhansk, me ç’rast u vranë 49 ushtarë të Ukrainës.

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, e ka shpallur një ditë zie për ushtarët e vrarë, në sulmin që vlerësohet se ishte më vdekjeprurësi kundër pjesëtarëve të ushtrisë ukrainase, prej se ka filluar kryengritja pro-ruse në pjesën jugore dhe lindore të këtij vendi.

Poroshenko tha se “Ukraina mbanë zi, por ne fuqishëm vazhdojmë të luftojmë për paqe”.

Në kryeqytetin Kiev, më se 100 vetë kanë protestuar para Ambasadës së Rusisë, duke hedhur vezë dhe duke i përmbysur disa vetura të parkuara me targa diplomatike, dhe duke e mbajtur mbishkrimin “Rusia është vrasëse”.

Ministria e Jashtme e Rusisë e ka dënuar këtë protestë, duke thënë se ka munguar mbrojtja e policisë “që paraqet shkelje serioze të obligimeve ndërkombëtare të Ukrainës” dhe ka kërkuar që Kievi të ndërmarrë masa për sigurinë e diplomatëve rusë.

Sulmi në aeroplanin transportues ushtarak të Ukrainës në Luhansk, u bë vetëm disa orë pasi Shtetet e Bashkuara thanë se mund t’i konfirmojnë pretendimet e Ukrainës, se Rusia ka dërguar “armatim të rëndë dhe pajisje ushtarake” për separatistët pro-rusë në pjesën lindore të Ukrainës.

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Marie Harf, tha se konvoji me tri tanke T-64, disa lansues të shumëfishtë të raketave MB-21, dhe makina të tjera ushtarake, kanë kaluar nga Rusia në lindje të Ukrainës.

“Ne jemi shumë të shqetësuar nga përpjekjet e reja të Rusisë për mbështetje të separatistëve. Gjatë tri ditëve të fundit, një kovoj me tri tanke T-64, disa MB-21, lansues të shumëfishtë të raketave dhe automjete të tjera ushtarake, kanë kaluar nga Rusia në Ukrainë, afër qytetit ukrainas, Snizhine. Kjo është e papranueshme
”, u tha Harf gazetarëve në Uashington.

Më tutje, ajo theksoi se Uashingtoni ka “informacione se Rusia i ka akumuluar lansuesit e shumëfishtë raketor në këtë vend të njëjtë të vendosjes në pjesën jugperëndimore të Rusisë, dhe këta lansues të raketave aktualisht kanë lëvizur”.

Lideri separatist pro-rus në Donjeck, Denis Pushilin, i ka thënë Televizionit shtetëror rus se separatistët kanë marrë tanke, por është “jopërkatëse pyetja” se prej nga i kanë ato.

Ai theksoi se tanket “janë në Donjeck dhe kjo është minimumi i asaj që nevojitet për ta mbrojtur qytetin”.

Roja kufitare e Ukrainës ka raportuar se pesë pjesëtarë të saj janë vrarë nga këmbimi i të shtënave me separatistët në Mariupol, gjatë ditës së djeshme. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG