Ndërlidhjet

Ende nuk ka të dyshuar për vrasjen e Pistës


Policia e Kosovës ende nuk ka të dyshuar e as të arrestuar lidhur me vrasjen që ka ndodhur një ditë më parë në Rahovec, ku ka mbetur i vrarë kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së, Elvis Pista.

Autoritet e rendit njoftojnë se lidhur me këtë vrasje është formuar një ekip i veçantë për të kryer hetimet.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Brahim Sadiru, tha për Radion Evropa e Lirë se hetimet janë ende duke vazhduar.

“Rasti është duke u hetuar nga Drejtori për Hetimin e Krimeve të rënda në nivel të drejtorisë së përgjithshme. Është një ekip i cili është duke marrë me analizimin e çdo informacioni lidhur me këtë rast. Përveç dëshmive që janë marrë në vendin e ngjarjes dhe dëshmitë tjera, ne kemi ofruar edhe një shpërblim për të gjithë atë qytetarë që kanë informacione që mund të çojnë deri te zbardhja e këtij rasti; çdo informacion që kemi është duke u analizuar”, tha Sadriu.

Sadriu tha e nga hetimet e deri tanishme janë disa drejtime të cila po analizohen me shumë kujdes në mënyrë që, siç u shpreh ai, mund të çojnë në drejtimin e duhur për zbardhjen e rastit.

“Ka pista të cilat jemi duke i analizuar me kujdes, çdo detaj dhe vlera e informatës duhet të analizohet me qëllim që të dihet se sa ka vlerë në zbardhjen e hetimeve. Kështu që krejt çka mundemi të themi momentalisht është kjo që është duke u punuar edhe presim rezultate nga pistat e hetimeve që ne e i kemi”, tha Sadriu.

Rastin e vrasjes në Rahovec janë duke e hetuar edhe prokurorët nga Komuna e Gjakovës.

Kryeprokurorja Shpresa Bakija tha për Radion Evropa e Lirë se prokurori i rastit, por edhe vetë prokuroria, janë duke u angazhuar dhe kanë ndërmarrë të gjitha masat për të pasur mundësi që të bije në gjurmët e vrasësit.

“Jemi duke punuar në të gjitha drejtimet, por konkretisht nuk mund të them se edhe atë që bëjmë deri në momentin e zbardhjes nuk mund t’i publikojmë veprimet tona në mënyrë që të mos i dëmtojmë hetimet. (Sa u takon dëshmitareve) janë në proces të intervistimit nga njësiti i hetimeve".

"Po merren në pyetje dëshmitarët që kanë qenë atë natë me të ndjerin edhe pronari i lokalit apo edhe persona të tjerë që kanë qenë në atë moment. Deri në sa ka arritur numri i dëshmitarëve nuk mund ta them”, tha Bakija për të shtuar se ende nuk ka persona të dyshuar për vrasjen.

Elvis Pista ishte kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së. Sipas informacioneve të policisë i ndjeri Pista u vra në oborrin e një restorantit në të cilin kishte qenë së bashku me bashkëshorten dhe disa persona të tjerë.

Policia tha se ai dyshohet të jetë qëlluar nga mbrapa me armë zjarri në një distancë rreth pesë metra largësi.

Në bazë të gëzhojave të cilat janë gjetur në vendin e ngjarjes, besohet se arma ishte e kalibrit të vogël dhe mund të ketë pasur “shurdhues” të zhurmës.

Vrasjen e kanë dënuar udhëheqësit më të lartë të vendit dhe përfaqësuesit e partive politike në Kosovë. Ata kanë kërkuar nga organet e ndjekjes kapjen e autorëve të vrasjes dhe sjelljen e tyre para drejtësisë.
XS
SM
MD
LG