Ndërlidhjet

logo-print
Interpretimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të jetë përcaktues nëse Kosova do të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme apo jo.

Marrëveshja e arritur nga tri parti politike LDK, AAK dhe Nisma për krijimin e qeverisë së ardhshme duke e anashkaluar partinë fituese të zgjedhjeve PDK-në, sipas të gjitha gjasave do ta detyrojë presidenten Atifete Jahjaga të kërkojë interpretimin e Kushtetueses.

Tri partitë, LDK , AAK dhe Nisma që sipas rezultatit të zgjedhjeve do të mund të quheshin edhe opozitare, me marrëveshjen e tyre pretendojnë që pas konstituimit të Kuvendit t'i procedojnë presidentes Jahjaga emrin e të propozuarit për mandatarin e krijimit të qeverisë, e që është Ramush Haradinaj.

Në atë rast, presidentja pritet që para se të dërgojë emrin e Haradinajt në Kuvend për prezantimin e qeverisë së opozitës, të kërkojë fillimisht interpretim in e Kushtetueses.

Nga ai interpretim më pas do të varet nëse opozita ka të drejtë Kushtetuese apo jo që të formojë qeveri.

Ndërkohë që siç po rrjedhin gjërat, PDK si fituese e zgjedhjeve nuk do të ketë parti partnere për të bërë qeverinë.

Sidoqoftë, para se të nisen procedurat e konstituimit të institucioneve të reja, fillimisht pritet certifikimi i rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka thënë se në Qendrën e Numërimit të Rezultateve (QNR) është duke u bërë një punë jashtëzakonisht e mirë.

Sipas tij, qysh të martën do të fillohet me numërimin e votave me kusht, votave përmes postës dhe votave të personave me nevoja të veçanta.

Andaj, sipas kësaj dinamike edhe pritet që procedurat e numërimit të përmbyllen mjaftë shpejt.

"Pas përfundimit të numërimit të votave me kusht, votave përmes postës dhe votave të personave me nevoja të veçanta, rinumërimeve eventuale, si dhe pas përfundimit të gjitha procedurave të tjera në QNR – KQZ do të shpallë rezultatet përfundimtare. Pas shpalljes së Rezultatit Përfundimtar, subjektet politike dhe kandidatët mund të bëjmë ankesa lidhur me këtë rezultat në institucionet përkatëse. KQZ duhet të pres vendimet e këtyre institucioneve dhe pastaj të procedohet më tutje
", ka thënë Elezi.

Sipas procedurave, me certifikimin e rezultatit dhe skadimin e afatit pesë ditësh për ankesa, brenda një muaji do të mblidhej fillimisht Kuvendi i Kosovës.

Seancën e parë e thërret presidentja Atifete Jahjaga, në konsultim me partitë parlamentare.

Mirëpo, siç qëndrojnë aktualisht punët, gjërat mund të komplikohen qysh në seancën e parë në pikën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

Edhe në këtë pikë, PDK si fituese e zgjedhjeve pretendon se ka të drejtën Kushtetuese ta ketë postin e kryetarit të Kuvendit, përderisa edhe blloku LDK, AAK dhe Nisma tashmë kanë nominuar për këtë post liderin opozitar Isa Mustafa.

Andaj, edhe në këtë pikë, mund të ngjajë që të kërkohet interpretimi i Gjykatës Kushtetuese.

Kështu që, interpretimi që do të jap Kushtetuesja, mbase në çdo rast do të jetë vendimtar nëse Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja apo jo.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG