Ndërlidhjet

Amandamentet në kushtetutë gjithmonë i fuqizojnë çështjet e caktuara juridike dhe karakterin e tyre, në rast se praktikat tregojnë se ato çështje nuk kanë funksionuar si duhet, vlerësojnë ekspertët e çështjeve juridike.

Por, a kanë treguar praktikat e deritashme se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila është miratuar gjashtë vjet më parë, ka nevojë për ndryshime?

Ekspertët e çështjeve juridike, kanë mendime të ndryshme lidhur me këtë çështje.

Iliriana Islami, ligjëruese e së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se Kosova, si shtet i ri, ka edhe kushtetutën e re, por deri më tash, sipas saj, nuk ka pasur ndonjë çështje, e cila ka vënë në pikëpyetje se kushtetuta ka zbrazësi dhe se duhet nevojiten ndryshime.

“Mirëpo, në qoftë se ju paraprinë këtyre çështjeve, në qoftë se komuniteti juridik e tregon një çështje dhe e dëshmon se mund të sjellë më tutje probleme, atëherë ndodhsha dio të duhej të iniciohej (ndryshimi). Mirëpo, me sa kam parë unë, praktika deri më tash nuk thotë fare se kemi të bëjmë me zbrazësi juridike kushtetuese. Vetëm, ka gjasa që kompetencat e personave të caktuara nuk ushtrohen mbi detyrën që i ka përcaktuar kushtetuta, hezitojnë dhe nuk ndërmarrin. Kushtetuta është shumë, shumë e qartë”, thotë Islami.

Profesoresha Islami vlerësoi se edhe në kuptimin letrar edhe në atë të përmbajtjes dhe të interpretimit, Kushtetuta e Kosovës nuk ka zbrazëti.

Por, ndryshe mendon eksperti i çështjeve juridike kushtetuese, Riza Smaka, profesor në Universitetin e Prishtinës.

Ai shpreh mendimin se legjislatura e re, e cila pritet në Kuvendin e Kosovës, duhet ta rishikoj kushtetutën, për ta plotësuar dhe përmirësuar.

Kjo sipas tij do të jetë e domosdoshme edhe për shkak të kërkesës për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, por edhe për shkak të hapësirave për interpretim të dyfishtë e më tepër të disa paragrafëve të neneve të caktuara.

Sipas tij, rasti i fundit është interpretimi i ndryshëm i nenit 95, në të cilin thirren subjektet e ndryshme politike, të cilat pretendojnë se kanë të drejtën për formimin e qeverisë së ardhshme.

Sipas tij, nenit 95, në të tri gjuhët: shqip, serbisht dhe anglisht, ka dallime.

“Në gjuhën shqipe thotë ‘... nga partia ose koalicioni që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend’. Në gjuhën tjetër (serbe), që është zyrtare, thuhet ‘...partitë politike ose koalicionet politike që e kanë fituar në Kuvend shumicën e nevojshme’. Në anglisht thuhet ‘... shumica e domosdoshme’. Dua të them se vetëm në këtë dispozitë ka laramani, që do të duhej të unifikoheshin në mënyrë strikte, korrekte dhe tepër profesionale”, shprehet Smaka.

Ndryshe, profesoresha Islami, polemikat rreth interpretimeve të ndryshme të paragrafëve dhe neneve të kushtetutës, në përgjithësi dhe në raste të ndryshme, i sheh me tepër si tentim për realizmin e interesave të grupeve të caktuara politike.

“Unë këtu i shoh vetëm interesat grupore. Unë fare nuk shoh se do të duhen ndryshime të rëndësishme, për shkak se ende jemi shtet i ri. Ende nuk e kemi praktikën e bollshme. Madje ne e kemi çështjen shumë më të lehtë, sepse kur kemi të bëjmë me çështjen e të drejtave të njeriut, ne menjëherë i referohemi jurisprudencës së Gjykatës evropiane, çka është edhe e përcaktuar në Nenin 53 dhe që është shumë e domosdoshme".

"Kështu që për ne është shumë më e lehtë dhe më e thjeshtë. Vetëm mendoj që ekzistojnë grupe të caktuara që për interesa të caktuara i japin kuptime, konotacione të ndryshme. Përndryshe, është shumë e qartë”, thekson Islami.

Megjithatë, profesor Smaka, vlerëson se për të mos lënë hapësirë interpretimi të ndryshëm të neneve dhe paragrafëve të caktuara të kushtetutës, kërkohet harmonizim i teksteve në të tri gjuhët, shqip, serbisht dhe anglisht.

“Natyrisht që grupet e interesit do të kërkojnë dallimet e tilla për ta justifikuar tezën e caktuar. Prandaj, do të duhej që këto dallime të eliminohen”.

Sido që të jetë, ekspertët e çështjeve juridike vlerësojnë se interpretimin e çështjeve të caktuara ligjore që burojnë nga Kushtetuta e Kosovës, në qoftë se palë të caktuara e kontestojnë kuptimin e saktë të tyre, ka kompetencë ta bëj Gjykata Kushtetuese e vendit.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG