Ndërlidhjet

logo-print

WSJ: Putini i ka ekspozuar çarjet e Evropës


 Vladimir Putin

Vladimir Putin

Derisa Polonia e feston përvjetorin tejet të rëndësishëm historik të zgjedhjeve të para të pjesërishme të lira në qershor të vitit 1989, që praktikisht ishte fillimi i përfundimit të komunizmit në Evropë, jeta duket e mirë, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja Wall Street Journal, dhe vazhdon duke konstatuar se polakët janë më të pasur dhe më të sigurt, se në çdo kohë në gjysmë mijëvjeçarin ose më tepër.

Por, manifestimet janë disi lehtë të ngjyrosura me një shqetësim të padyshuar. Vetëm shikoni në secilin drejtim për të parë se përse.

Në lindje, Rusia është në marshim. Pas dhunës së madhe gjatë fundjavës në lindjen e Ukrainës, Kremlini të hënën e ka ndalur eksportin e gazit për këtë vend, duke e shfrytëzuar një goditje ekonomike që përshtatet me atë ushtarake.

Një rast i skenarit të keq janë vitet e 1990-ta në Jugosllavi, ripërtëritja e perandorës origjinale sovjetike, ose të dy këto mundësi së bashku.

Wall Street Journal shkruan se befasia më e madhe e krizës së Krimesë në muajin mars, vjen nga përgjigja e heshtur e Berlinit ndaj agresionit rus, dhe refuzimi i tij i kërkesës së Varshavës për përgjigje më të fuqishme të NATO-s.

Më tepër se gjysma e gjermanëve pretendojnë se “e kuptojnë” aneksimin e Krimesë nga ana e Vladimir Putinit dhe konfliktin e përgjakshëm që po ndodhë në Ukrainë, pjesërisht duke e fajësuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për demokratët në Kiev dhe provokimin e Kremlinit.

Një numër i ngjashëm i kundërshtojnë sanksionet e mëtejshme kundër Rusisë. Linja e ashpër retorike e kancelares gjermane, Angela Meerkel, ka gjetur pak mbështetje në Gjermani, shkruan Wall Street Journal.

Gjatë 25 viteve të kaluara, polakëve u është thënë se do të kenë mbështetje nga Gjermania e re. Pas ribashkimit të Gjermanisë dhe zgjerimit në lindje të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si slogan për këtë mbështetje ishte “kur gjermanët tash shikojnë kah Lindja, ata e shohin Perëndimin”, që do të thotë Poloninë.

Gjermania tregton dhe investon më tepër me Poloninë se me Rusinë. Por, qasja aktuale e Berlinit e përkujton memorien për Gjermaninë, e cila dikur e kishte ndarë Evropën Qendrore me Rusinë.

Aksush nuk bisedon për një ndarje tjetër të Polonisë, por është mirë të dëgjohen me kujdes zyrtarët polakë që shushuritin më tepër për Berlinin se sa për Moskën.

Në perëndim, ndarjet e kontinentit janë zmadhuar. Francezët po lëvizin përpara me shitjen e dy anijeve sulmuese Mistral në Rusi, në vlerë prej 1.6 miliardë dollarësh, më vonë këtë vit, me gjithë vërejtjet e Uashingtonit dhe të aleatëve më të ri të NATO-s në Poloni dhe në shtetet e Baltikut. Britania e ka shitur qytetin e Londrës së bashku me shpirtin e tij për një kuti të parave të pista ruse, shkruan Wall Street Journal.

Në jug të Polonisë janë miqtë e njomë brenda të ashtuquajturit Grup i Vishegradit, i formuar në vitin 1991.

Sulmi rus në Ukrainë, në mënyrë efektive e ka vrarë këtë klub të katër vendeve të Evropës Qendrore.

Derisa polakët bënin presion për baza të përhershme ushtarake të NATO-s në Evropën Qendrore– preferohen ato të Shteteve të Bashkuara –ministri i mbrojtjes i Çekisë, Martin Stropnicki, muajin e kaluar e përkujtoi invadimin sovjetik të vitit 1968 të Çekosllovakisë për ta shpjeguar kundërshtimin e tij.

Pasi presidenti amerikan, Barack Obama, në Varshavë, këtë muaj, kërkoi rotacion të njësiteve ushtarake të Shteteve të Bashkuara nëpër rajon, kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, vendi i të cilit varet 100% nga Rusia për furnizim me gaz natyror, e refuzoi pjesëmarrjen e Sllovakisë.

Duke u mbështetur në krahasimin e parsyeshëm moral dhe historik të çekëve ndërmjet NATO-s dhe Paktit të Varshavës, Fico tha se “Sllovakia e ka përvojën e saj historike me pjesëmarrjen e trupave të jashtme”.

Derisa Hungaria shndërrohet në vend nacionalist dhe autoritar nën kryeministrin Viktor Urban, ajo është po ashtu në kampin që e kupton Putinin. I vetmi aleat solid lindor në BE i Polonisë është Estonia, me popullatë prej 1.3 milionë banorësh, shkruan Wall Street Journal.

Suksesi i partive të së djathtës ekstreme në zgjedhjet për Parlamentin Evropian në muajin maj ishte një dhuratë tjetër për Moskën.

Fronti Kombëtar në Francë dhe partia Jobbik në Hungari, u janë bashkuar nostalgjikëve sovjetikë dhe anti-amerikanëve të së majtës, që vështirë se mund ta formojnë një koalicion evropian, por me siguri se mund ta krijojnë një koalicion pro Putinit.

Anëtarësimi i Polonisë në Bashkimin Evropian supozohet se e kishte ftohur proamerikanizmin legjendar të Polonisë. Por, duhet të kihet parasysh pritja e entuziazmuar në Varshavë e zotit Obama, megjithëqë ai këtu është i njohur se njeri që e tërhoqi mbrojtjen raketore amerikane nga Polonia, në favor të “ripërtëritjes” së vdekur të marrëdhënieve me Rusinë.

Sulmi i zotit Putin në Ukrainë e ka ndarë kontinentin jo përgjatë linjave Lindje – Perëndim ose siç thoshte ish-sekretari amerikan i mbrojtjes, Donald Rumsfeld, në linjat e “Evropës së Vjetër” kundër “Evropës së Re”.

Personat ofensivë mbrojtës dhe mbështetësit e strategjisë atlantike këtë e shohin si pikë shndërruese për Evropën, që kërkon rindërtim të mbrojtjes dhe kthimin e rolit qendror amerikan në NATO.

Urojmë fat të mirë në krijimin e këtij rasti në Bruksel dhe Uashington.

Mbështetësit e kompromisit me Putinin në masë të konsiderueshme janë në kryeqytetet perëndimore, shkruan në fund të një artikulli të gjatë e përditshmja Wall Street Journal.
Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG