Ndërlidhjet

"Shkupi 2014", ende jo-gjithëpërfshirës mbi baza etnike


Statuja e Aleksandrit të Madh në Shkup

Statuja e Aleksandrit të Madh në Shkup

Projekti kundërthënës ”Shkupi 2014“, sipas të gjitha gjasave nuk do të përfundojë këtë vit për shkak të paralajmërimit të institucioneve për vazhdimin e ndërrimit të fasadave në stilin barok të thuajse të të gjitha ndërtesave që gjenden në kuadër të sheshit kryesor “Maqedonia“.

Por, njoftimet e tilla nuk përfshijnë edhe vendosjen e tri apo katër përmendoreve të personaliteteve shqiptare, duke i dhënë përfundimisht karakterin e pastër etnik të këtij projekti që besohet të ketë kushtuar afër një miliard euro.

Partitë politike shqiptare kanë qenë të pafuqishme që të realizojnë premtimet e tyre, që ky projekt të marrë karakterin shumetnik, ndërsa nga sektori civil që edhe ishte më i zëshmi në kundërshtimin e projektit, thonë se partia maqedonase VMRO-DPMNE, po realizon programin e saj të vitit 2006, që përmes një projekti të tillë të identifikojë shtetin me kombin maqedonas.

“Qëllimi kryesor i këtij projekti është që identiteti maqedonas të ndërlidhet me shtetin maqedonas, duke i anashkaluar kombet apo shqiptarët që të mos jenë pjesë e kësaj historie, sepse atëherë shteti duhet të ndahet në mënyrë proporcionale. Këtu unë e shoh zvarritjen e përmendoreve shqiptare, sepse pala maqedonase, përkatësisht VMRO-ja dëshiron që ky projekt të jetë i pastër etnikisht dhe të jetë vazhdimësi e ndërtimit të shtetit njënacional, duke anashkaluar popujt e tjerë dhe për të proklamuar pastaj para botës se ky shtet ka histori“, thotë për Radion Evropa e Lirë, Skënder Asani, kryetar i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë.

Ai fajëson para së gjithash partitë politike shqiptare, të cilat, sipas tij, duke vrapuar pas pushtetit, i kanë mundësuar palës tjetër të realizojë një nga projektet më të dëmshme të historisë së vërtetë të Maqedonisë.

Vendosja e përmendoreve është në kompetencë të komunës Qendër të Shkupit, por kryetari i saj që vjen nga radhët e opozitës, ka kundërshtuar thuajse të gjitha përmendoret, përfshirë edhe ato të maqedonasve andaj edhe me premtimin e dhënë për largimin e tyre nga sheshi i qytetit, kishte fituar në zgjedhje.

Por, deri tani nuk është bërë asnjë lëvizje, ndërsa prefekti Andrej Zhernovski paralajmëron referendum duke i lënë qytetarët të vendosin vetë për fatin e përmendoreve të shumta.

“Të gjitha përmendoret që janë në shesh, në territorin e komunës Qendër do të duhet t’i nënshtrohen vullnetit të qytetarëve, nëse ata vendosin për këtë në referendumin që mund të mbahet“, thotë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Komunës Qendër, Andrej Zhernovski.

Ai thotë se ka disa objekte të mëdha si “Porta Triumfale“, e cila nuk mund të zhvendoset, por përmendoret mund të largohen nga sheshi i kryeqendrës.

Por, nga sektori civil nuk besojnë në diçka të tillë, ndërsa paralajmërojnë edhe ndërtime tjera, pasi, siç theksojnë, kjo do t’i mundësonte pushtetit që t’i fshehë të gjitha manipulimet e shumta financiare që janë bërë.

“Nuk pres që projekti ‘Shkupi-2014’ të përfundojë, madje besoj se punimet do të vazhdojnë edhe në vitin 2015, thjesht ky projekt nuk guxon të përfundojë pasi në momentin që do të ndodhë diçka e tillë, njerëzit do të duan të dinë se ku janë harxhuar paratë e tyre, dhe kjo nuk i pëlqen pushtetit“, thotë Nikolla Naumovski, nga organizata joqeveritar “Sheshi Liria“, e cila shumë herë ka organizuar edhe protesta kundër ndërtimit të qindra përmendoreve në sheshin “Maqedonia“ dhe në hapësirat tjera të komunës Qendër.

Ky projekt ka shkaktuar reagime edhe në shtetet fqinje. Greqia disa herë ka akuzuar Maqedoninë për vjedhjen dhe falsifikimin e historisë. Reagimi më i fuqishëm ka qenë për shkak të vendosjes së përmendores së Aleksandrit të Madh në sheshin e Shkupit.
XS
SM
MD
LG