Ndërlidhjet

Kriza në Irak: Obama mund të tejkalojë Kongresin

  • RFE /RL

Barack Obama

Barack Obama

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka takuar përfaqësues të Kongresit për të diskutuar aksionet e mundshme ushtarake kundër kryengritësve sunitë në Irak.

Obama ka takuar liderin e shumicës në Senat, Harry Reid, liderin e pakicës në Senat, Mitch McConnel, kryesuesin e Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, dhe lideren e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Duke folur për gazetarët pas takimit, McConell ka thënë se Obama “ka dhënë indikacione se nuk ka nevojë për autoritet nga ne për hapat që mund të ndërmarrë”.

Pelosi, në anën tjetër, ka deklaruar se Obama nuk ka nevojë për autoritet të mëtejshëm legjislativ për të ndihmuar Irakun, por nuk ka specifikuar se cilat opsione kanë qenë në diskutim.

Megjithatë, gazeta New York Times ka cituar zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë të kenë thënë se Obama nuk e ka përjashtuar mundësinë e votës në Kongres.

Uashingtoni është duke konsideruar sulmet ajrore ose sulmet me aeroplanë pa ekuipazh, në përgjigje të kërkesës së Irakut për ndihmë, por ai ka përjashtuar vendosjen e trupave tokësore.

Obama tashmë ka njoftuar se 275 ushtarë amerikanë janë dërguar në Bagdad, për të mbrojtur Ambasadën e SHBA-së atje.

Pak para takimit me Obamën, kryetari i Dhomës së Përaqësuesve, John Bohener, ka thënë se kundërshton bashkëpunimin me Iranin për të ndaluar avancimin e militantëve islamikë në Irak.

“Vetëm mund të imagjinoj se çfarë do të thoshin miqtë tanë në rajon, aleatët tanë, në një kohë kur ata vazhdojnë të paguajnë për terrorizmin”, ka thënë ai.

Por, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se Uashingtoni është i hapur për diskutime me Iranin, në lidhje me çështjen.

Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, gjatë një konference me gazetarë.

“Mund t’ju them se jemi të hapur për angazhim me iranianët, ashtu siç jemi të angazhuar me lojtarët tjerë rajonalë për kërcënimin që vjen nga Shteti Islamik i Irakut dhe Levanti”, ka thënë Carney.

Ministri i Jashtëm i Irakut, Hoshyar Zebari, ka thënë se Bagdadi ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara që të kryejnë sulme ajrore “për të thyer moralin” e militantëve, të udhëhequr nga Shteti Islamik i Irakt dhe Levanti, grup ky i lidhur me Al Kaidën.

“Iraku ka kërkuar zyrtarisht ndihmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në bazë të marrëveshjes strategjike midis Irakut dhe SHBA-së”, ka thënë Zebari, për të shtuar:

“Iraku është në rrezik, ka nevojë për shtetet arabe dhe për gjithë botën që të qëndrojë pranë tij, kundër kësaj krize. Rreziku që vendi të ndahet është i pranishëm”, ka thënë ai.

Luftëtarët e Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit kanë marrë javën e kaluar kontrillin e qytetit të dytë më të madh, Mosulit, dhe të Tikritit, po ashtu qytet i rëndësishëm.

Në një adresim televiziv, kryeministri i Irakut, Nuri al-Maliki, ka thënë se forcat qeveritare janë duke iu përgjigjur militantëve. Ai ka thënë se avancimi i tyre në zonat e banuara me shumicë sunite ka ndihmuar në rivendosjen e unitetit kombëtar të Irakut.(v.tela)
XS
SM
MD
LG