Ndërlidhjet

USAID: Nxitja e biznesit përmes kapacitetit prodhues


Sektori i bujqësisë është një ndër sektorët kryesorë i cili siguron hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e zonave rurale.

Në këtë fushë, përveç rritjes së kapaciteteve prodhuese, është përmirësuar dukshëm edhe cilësia e produkteve, të cilat po arrijnë të eksportohen edhe në vende të ndryshme të rajonit.

Kështu u tha në një konferencë “Biznes me Binzes”, organizuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Agjencia për Investime dhe përkrahjen e ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).

USAID për mes një programi të quajtur “ Mundësitë e Reja për Bujqësi” po përkrah zhvillimin e bujqësisë në Kosovë. Përmes këtij programi ka arritur që drejtpërdrejtë të përkrah fermerët kosovarë në kultivimin e shumë kulturave të reja bujqësore.

Zëvendësdrejtori i USAID-it në Kosovë, Chris Edward, ka thënë se kjo agjenci është e kënaqur më sukseset e deritashme të bizneseve kosovare.

"USAID është krenarë për punën që keni bërë. Duke punuar me kompanitë në sektorin e agrikulturës, me ndihmën e programit 'Mundësitë e Reja për Bujqësi', fermerët kosovarë kanë arritur 42 milionë dollarë të rrisin sasinë e shitjes se produkteve të tyre për tri vite e gjysmë", ka thënë Edward, duke shtuar se sektori i bujqësisë paraqet një ndër mundësitë më të mira për punësimin e njerëzve dhe për të zhvilluar zonat rurale në Kosovës.

Përveç USAID-it në mbështetje të bizneseve private është edhe Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve Kosovare që funksionon në kuadër të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë.

Valdrin Lluka, drejtor i përgjithshëm në këtë agjenci, për Radion Evropa e Lirë thotë se për të krijuar mundësi të rritjes se eksportit, kjo agjenci bënë ekspozimin e produkteve vendore jashtë vendit dhe njëherësh përmes takimeve dhe konferencave ndërkombëtare gjejnë partnerë të huaj për kompanitë vendore.

“Ne se agjenci kemi bërë disa tentative për të ndihmuar sidomos më ekspozimin e produkteve jashtë vendit, siç është pjesëmarrja në panaire dhe industri të ndryshme. Mandej kemi organizuar takime në vende të ndryshme të Evropës dhe rajonit".

"Si dhe tashmë së fundi kemi një projekt të financuar nga Bashkimi Evropian që qëllimin kryesorë ka promovimin eksportit jashtë vendit. Si dhe ndihmese e bizneseve vendore në përmirësim të imazhit, në përmirësim të kualitetit dhe në përmirësim të qasjeve në tregjet e huaja”, bën të ditur Lluka.

Një ndër bizneset e vogla prodhuese që produktet e tyre kishin ekspozuar në sallën ku mbahej konferenca, është kompania “Apetiti” nga Krusha e Vogël.

Kjo kompani më ndihmën e fondeve të USAID-it ka arritur që të rrisë kapacitetin prodhues.

Fitim Hoti, përfaqësues i kësaj kompanie, tregon se për një projekt USAID-i, kompanisë së tij, si donacion i ka ofruar 50 milionë dollarë.

“Fillimisht kemi pasur probleme, por me ndihmën e donatorëve i kemi tejkaluar. Për momentin ka kërkesa për produktet tona( ajvar, speca turshi). Kemi pasur ndihma edhe nga USAID-i, shumica e donacioneve janë 70 për qind donacione -30 për qind të kompanisë, ka donacione 50:50 për qind. Ne si kompani nga USAID-i kemi marrë rreth 50 mijë dollarë, kurse 25 për qind të vlerës tjetër kemi investuar ne", thekson Hoti.

Agjencia e Shteteve të Bashkuar të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), që 15 vite vepron në Kosovë.

Për këto vite, kjo agjenci ka investuar rreth 800 milionë dollarë, duke përkrahur programe dhe projekte të ndryshme si ato për qeverisjen lokale, sektorin privat, bujqësinë, arsimin, sundimin e ligjit e të tjera.

USAID ofron ndihmë ekonomike dhe humanitare në mbarë botën për më shumë se 50 vjet.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG