Ndërlidhjet

Katër konkurse për pozitat drejtorë klinikash


QKUK
QKUK

Është shpallur të enjten e 19 qershorit, konkursi publik për zgjedhjen e 36 drejtorëve të njësive organizative, përkatësisht të drejtorëve të klinikave, instituteve dhe shërbimeve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Kjo është hera e katërt që shpallet një konkurs i tillë.

Në janar (18 janar) të vitin 2012 ishin shpallur emrat e gjashtëmbëdhjetë drejtorëve të rinj të klinikave dhe shërbimeve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, por ky konkurs u anulua një ditë më vonë.

Ndryshe, të gjitha klinikat brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, për rreth pesë vjet me radhë udhëhiqen me ushtrues detyre.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, kishte deklaruar për Radion Evropa e Lirë më 25 tetor të vitit 2013, se më 1 janar të vitit të 2014, të gjitha klinikat brenda QKUK-së do t’i kenë drejtorët e tyre. Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Zyrtari për informim i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu, thotë për Radion Evropa e Lirë, se me Ligjin e vjetër për shëndetësi, ka pasur disa paqartësi rreth asaj nëse pjesëtarët e stafit shëndetësor janë shërbyes civilë apo publikë - në këtë rast, siç thotë Fazliu, ka pasur edhe probleme rreth zgjedhjes së drejtorëve.

Por, me Ligjin e ri për shëndetësi, shpjegon Fazliu, kjo nuk do të ndodhë, pasi që është definuar çështja dhe se punëtorët shëndetësorë janë shërbyes publik.

“Drejtori i përgjithshëm i shërbimit spitalor klinik universitar të Kosovës, të enjten e 19 qershorit 2014, ka shpallur konkursin publik për zgjedhjen e 36 drejtorëve të njësive organizative, përkatësisht të drejtorëve të klinikave, instituteve dhe shërbimeve të QKUK së. Konkursi do të jetë i hapur deri më 3 korrik dhe më pas pason përzgjedhja e tyre”.

“Legjislacioni është avancuar dhe Ligj i ri për shëndetësi do të ndihmojë në përzgjedhjen e drejtorëve. Kandidatët që do të konkurrojnë në këtë konkurs duhet të kenë së paku 5 vjet përvojë pune profesionale në lëmin përkatës në sistemin shëndetësor, derisa thirrja akademike dhe shkencore do të jetë përparësi”, shpjegon Fazliu.

Ndërkaq, Blerim Syla, kryetar i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, bën të ditur se me shpalljen e konkursit, janë përmirësuar edhe kriteret dhe ky konkurs është transparent, andaj, siç thotë ai, duhet zgjidhen njerëzit që e meritojnë.

“Tashmë është bërë temë e përditshmërisë kjo çështje, pasi që për pesë vjet klinikat po udhëhiqen me ushtrues detyre. Konsideroj që shpallja e konkursit të ri me kriteret që janë përmirësuar dhe janë transparente, besoj që do të përzgjidhen njerëz që e meritojnë. Askush nuk duhet të krijojë konfuzion pasi që ligji është i qartë”.

“Gjithsesi, është penguar puna për pesë vjet me ushtrues detyre, sepse janë mbajtur peng ushtruesit e detyrës, se çdo ditë nuk do të mund të jenë menaxherë, dhe mendoj se nuk kanë mundur të jenë kreativë aq sa do të duhej në punën e tyre të përditshme”, thekson Syla.

Bordi i përgjithshëm i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, kohë më parë ka zgjedhur drejtorin e përgjithshëm, andaj sipas zyrtarëve të lartë shëndetësorë, drejtori do ta ketë të lehtë tashmë të procedojë tutje me konkursin.

Sipas tyre, brenda muajit korrik pritet të përzgjidhen drejtorët e gjitha klinikave brenda Qendrës Klinike Universitare.
XS
SM
MD
LG