Ndërlidhjet

Presidentja Jahjaga i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

  • RFE /RL

Atifete Jahjaga

Atifete Jahjaga

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, i është drejtuar sot Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për të sqaruar çështjet kushtetuese që ndërlidhen me përgjegjësitë e saj.

“Kërkesa për Gjykatën bëhet me qëllim të qartësimit të veprimit kushtetues të Presidentes së Republikës së Kosovës, që ndërlidhet me përputhshmërinë e nenit 84 pika 14 dhe nenit 95 të Kushtetutës së vendit. Vlerësimi i përputhshmërisë së neneve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës do t’i mundësojë Presidentes së vendit që të ndërmarrë veprimet e nevojshme në pajtueshmëri me vendimin e Gjykatës”, thuhet në njoftimin e presidentes.

“Presidentja e Republikës së Kosovës konsideron se me kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e përputhshmërisë së dy neneve të Kushtetutës sigurohet një proces i drejt dhe kredibil, që do të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve të shtetit”.

“Kërkesa për vlerësimin e përputhshmërisë së dy neneve të Kushtetutës drejtuar Gjykatës Kushtetuese, një institucioni kredibil dhe profesional, nuk ndërhynë në punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve drejt përfundimit të procesit zgjedhor, përmes certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 8 qershorit”, thuhet në njoftim.

Lexonikëtu Nenin 95 të Kushtetutës​.

Lexoni këtu Nenin 84, pikën 14.


Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri në largim, Hashim Thaçi, ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit.

Dy ditë më vonë, më 10 qershor, blloku i tri partive politike opozitare - në përbërje Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma për Kosovën – arritën marrëveshje për formimin e koalicionit të ardhshëm qeveritar.

Koalicioni, i cili fitoi mbështetjen edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, thuhej se kishte për synim t’ia pamundësone PDK-së dhe liderit të saj, zotit Thaçi, të formojë qeverinë e re.

Në marrëveshjen e arritur nga opozita, mandatar për formimin e qeverisë u emërua kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Që prej arritjes së kësaj marrëveshjeje, kjo çështje u bë temë interpretimesh nga më të ndryshmet, në aspektin kushtetues.

Një pjesë e ekspertëve, e natyrisht edhe PDK, pohojnë se marrëveshja e arritur e opozitës është anti-kushtetuese dhe se të drejtën e formimit të qeverisë e ka ajo parti që ka fituar shumicën e votave.

Pjesa tjetër e ekspertëve, së bashku me forcat politike në opozitë, pohojnë se kjo e drejtë i takon atij subjekti që gëzon numrat e mjaftueshme në Kuvendin e Kosovës, 61 sosh, për të formuar qeverin.

Sipas tyre, nëse këtë nuk e bën dot partia që ka fituar më së shumti vota, atëherë duhet shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme. (a.v.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG