Ndërlidhjet

Maqedoni: Votohet Qeveria e re pa opozitën maqedonase


Nikolla Gruevski gjatë prezantimit të programit qeverisës për mandatin e ri.

Nikolla Gruevski gjatë prezantimit të programit qeverisës për mandatin e ri.

Parlamenti i Maqedonisë e ka miratuar koalicion e ri qeverisës konservator të kryeministrit, Nikolla Gruevski, i cili fitoi bindshëm në zgjedhjet e parakoshme në muajin prill.

Për qeverinë e re kanë votuar 77 vetë, ndërsa 6 ishin kundër. Parlamenti i Maqedonisë i ka 123 deputetë.

Në postet kryesore, përfshirë punët e brendshme, financat dhe punët e jashtme, janë ministrat e njejtë sikur edhe në qeverinë e mëparshme.

Partner shqiptar në qeveri është Bashkimi Demokratik për Integrim, i cili do t’i ketë pesë ministra dhe dy zëvendëskryeministra.

Zhvillimi ekonomik dhe integrimit euro-atlantik i Maqedonisë janë prioritetet kryesore të Qeverisë së Maqedonisë, deklaroi kryetari i VMRO DPMNE-së, Gruevski, gjatë prezantimit të programit të qeverisë, të cilën do ta drejtojë edhe në mandatin e ri katërvjeçar.

Por, Gruevski qartë bëri me dije se qeveria që ai drejton, në asnjë mënyrë nuk do të pranojë ndryshimin e emrit kushtetues të Maqedonisë, kontest ky që, sipas tij, është imponuar nga Greqia në mënyrë artificiale.

“Sa i përket kontestit politik të imponuar nga Greqia lidhur me emrin kushtetues, qeveria është e përgatitur për të vazhduar dialogun greko-maqedonas në bazë të strategjisë dhe parimeve tashmë të përcaktuara. Qeveria nuk do të pranojë ndryshimin e Kushtetutës me qëllim ndryshimin e emrit kushtetues të Maqedonisë dhe nuk do të pranojë ide dhe propozime që do të rrezikonin identitetin kombëtar maqedonas, veçoritë e gjuhës dhe kombit maqedonas”.

“Qeveria nuk do të pranojë asnjë zgjidhje për kontestin të imponuar nga Greqia, pa kaluar fillimisht në referendum që shumica e qytetarëve të pajtohen me një zgjidhje të mundshme”, deklaroi Gruevski, duke u përqendruar më tej në fjalimin e tij në raportet ndëretnike në vend.

“Ne do të vazhdojmë me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe me përpjekjet tona që të ndërtojmë shoqëri shumetnike, bazuar në respektin dhe tolerancën e ndërsjellë. Çështjet ndëretnike nuk duhet dhe nuk guxojnë të marrin fuqinë e shoqërisë dhe gjithçka duhet bazuar në Kushtetutë dhe ligje”.

“Nevojitet angazhim edhe më i madh dhe qasje më e sinqertë e politikanëve në drejtim të forcimit të mëtejmë të bashkëjetesës, respektit dhe tolerancës mes bashkësive të ndryshme etnike dhe fetare”,
theksoi Gruevski, duke premtuar angazhimin e tij për garantimin e lirisë së shprehjes dhe të pavarësisë së mediave, të cilat vlerësohen si më të goditurat në vend për shkak të presioneve të pushtetit mbi punën e tyre.

Gruevski në paraqitjen e tij prezantoi projekte të shumta që, sipas tij, do të përmirësojnë jetën e qytetarëve të Maqedonisë, si investime nga jashtë, projekte në infrastrukturë, hapje të vendeve të punës, ndërtimin e hidrocentraleve, spitaleve, modernizimin e sistemit arsimor, subvencione në bujqësi e projekte tjera.

Fjalimin Gruevski e mbajti në mungesë të opozitës maqedonase, e cila ka braktisur Kuvendi, për shkak të pretendimin për falsifikimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale.

Lidhja Social-Demokrate madje ka kthyer edhe mandatet edhe pse ky vendim ende nuk është miratuar nga shumica parlamentare, e cila vazhdon të kërkojnë kthimin e saj në institucionin ligjvënës.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike Shqiptare e opozitës, e cila më parë kishte paralajmëruar mbështetje për Qeverinë, u deklarua kundër saj. Ajo kritikoi pjesëmarrjen në qeveri të Bashkimit Demokratik për Integrim, siç tha, pa platformë për zgjidhjen e çështjeve të hapura të shqiptarëve.

Deputeti Orhan Ibrahimi tha se BDI-ja ka hequr dorë nga zyrtarizimi i gjuhës shqipe dhe nga marra e një prej posteve kryesore në shtet, ndërsa përmendi edhe shumë sfera tjera, ku, sipas tij, shqiptarët vazhdojnë të diskriminohen nga pala tjera.

Sipas tij, BDI-ja vepron me servilizëm dhe se prioritet për të është mbetja në pushtet dhe plotësimi i të gjitha kërkesave të VMRO PMNE-së. Pavarësisht kësaj, Ibrahimi tha se PDSH-ja do të jetë konstruktive dhe se do t’i mbështesë të gjitha projektet që çojnë drejtë zgjidhjes së problemeve, e në veçanti ato që kanë të bëjnë me procesin integrues.

Por, nga BDI-ja reaguan duke i hedhur poshtë akuzat, ndërsa premtuan realizimin e të gjitha premtimeve parazgjedhore. BDI-ja ka dhënë një afat gjashtëmujor për zhbllokimin e anëtarësimit të vendit në NATO, dhe në rast të dështimit të këtij synimi, ajo nuk ka përjashtuar mundësinë që në vjeshtë të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme.
XS
SM
MD
LG