Ndërlidhjet

Kosovë: Jacobson mbështet kërkesën e Jahjagës për qartësim


Tracey Ann Jacobson
Tracey Ann Jacobson
Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey A. Jacobson, e ka mbështetur vendimin e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, për t’i kërkuar qartësim Gjykatës Kushtetuese lidhur me rolin e saj në formimin e qeverisë së re të Kosovës. Ajo i tha Zërit të Amerikës se ky ishte një veprim i përgjegjshëm.

“Mendoj se është plotësisht i duhur. Të gjithë e kemi parë nëpër lajme ditëve të fundit se ka interpretime të ndryshme, Jo neni 84 jo ai 89, si mund të përputhen ata. Mendoj se është veprim i përgjegjshëm për të kërkuar qartësim nga institucionet e Kosovës të ngarkuara me këtë qartësim, në këtë rast, Gjykata kushtetuese. Dua t’u bëjë thirrje të gjithëve, të gjitha partive politike që të respektojnë vendimin e asaj gjykate kur të dalë. Thërras po ashtu, udhëheqësit politikë dhe këtë e kam bërë edhe personalisht, që tash është koha për një periudhë qetësie derisa punojmë në atë që është proces demokratik, që ndodhë në shumë vende të botës dhe të ecim në rrugë të qetë, të moderuar dhe profesionale”, tha ambasadorja Jacobson.

Në njoftimin e presidentes për vendimin e saj është thënë se kjo “nuk ndërhynë në punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve drejt përfundimit të procesit zgjedhor”.

“Besoj se ajo që po bën presidentja, është t’i kërkojë gjykatës kushtetuese qartësim për rolin e saj kushtetues kundruall formimit të qeverisë dhe jo një kërkesë specifike për këto zgjedhje apo rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Mendoj se presidentja mund të kërkojë qartësim kushtetues të rolit të saj në çdo kohë”, tha ambasadorja Jacobson e cila vizitoi pasdite Qendrën për Numërimin e Votave në Fushë Kosovë afër Prishtinës.

Ajo e cilësoi mbresëlënëse punën në këtë qendër. “Personeli profesional po punon seriozisht, nën kontrollin e duhur. Ka një numër të konsiderueshëm të vëzhguesve përfshirë edhe personelin e ambasadës amerikane që është gjithnjë këtu çdo ditë deri në mesnatë. Mendoj se procesi është shumë i mirë”, tha ajo.
XS
SM
MD
LG