Ndërlidhjet

Obama: Për Irakun, konsultime me Kongresin

  • RFE /RL

Barack Obama

Barack Obama

Presidenti amerikan, Barack Obama, thotë se po ndërmerren një varg masash lidhur me situatën në Irak, ku militantët e Shtetit Islamik të Irakut dhe grupit Levant (shkurtimisht ISIL) i kanë okupuar pjesë të mëdha të pjesës veriore dhe perëndimore të këtij vendi.

Duke folur në një konferencë për gazetarë të enjtën vonë në Shtëpinë e Bardhë, ai theksoi se siguria në Ambasadën amerikane në Bagdad është rritur, përpjekjet e inteligjencës janë shtuar dhe në përgjithësi do të ketë më tepër mbështetje për Irakun.

Obama tha se një kontigjent i vogël i ushtarëve amerikanë, jo më tepër se 300 vetë, do të dërgohet në Irak, por nuk do të dërgohen forca luftarake.

“Ne jemi të përgatitur të dërgojmë një numër të vogël të këshilltarëve amerikanë, deri në 300 vetë, për të vlerësuar se si më së miri ne mund t’i trajnojmë, këshillojmë dhe mbështesim forcat e sigurisë së Irakut për të përparuar. Forcat amerikane nuk do të kthehen në luftë në Irak”, tha Barack Obama.

“Ne nuk kemi aftësi që thjeshtë ta zgjidhim këtë problem duke dërguar dhjetëra mijëra trupa dhe duke u përkushtuar për lloj të derdhjes së gjakut dhe shpenzimeve, që tashmë janë shpenzuar në Irak”, tha Barack Obama, duke theksuar se ka lëvizur kapacitete ushtarake shtesë në rajon, për të pasur inteligjencë më të mirë të mundshme lidhur me atë se çka janë duke bërë Shteti Islamik i Irakut dhe grupi Levant, dhe ku ata janë të vendosur.

Në këto masa janë fluturimet e aeroplanëve amerikanë mbi hapësirën ajrore të Irakut, përfshirë edhe ata pa ekuipazh, ndërsa luftanijet e marinës së Shteteve të Bashkuara janë të stacionuara në Gjirin Persik.

“Ne do të jemi të përgatitur të ndërmarrim aksion ushtarak të shënjestruar dhe preciz, atëherë kur ne të përcaktojmë se këtë e kërkon situata në terren. Nëse ne veprojmë, unë do të konsultohem për së afërti me Kongresin dhe me liderët në Irak dhe rajon”, tha Barack Obama.

Barack Obama ka theksuar se liderët e Irakut duhet të ngrihen mbi mospajtimet e tyre dhe të bashkohen për të ardhmen e Irakut dhe se është në interes të Shteteve të Bashkuara që ky vend të mos zhytet në luftë totale civile ose të shndërrohet në strehë për grupet ndërkombëtare terroriste.

Megjithatë, ai veçoi se Uashingtoni nuk do t’i zgjedhë liderët irakianë.

“Nuk është punë e jona t’i zgjedhim liderët irakianë; një pjesë e asaj për të cilën bashkëkombësit tonë luftuan gjatë shumë viteve në Irak, ishte gjë e drejtë dhe ishte mundësi për irakianët të përcaktojnë fatin e tyre dhe t’i zgjedhin liderët e tyre të drejtë”, tha Obama.

Por, në anën tjetër, Obama e bëri të qartë se qeveria e Irakut duhet të ndryshojë dhe të bëhet më gjithëpërfshirës, në mënyrë që të kihen parasysh edhe interesat e sunitëve, të kurdëve dhe të minoriteteve të tjera.

Presidenti amerikan e ka komentuar edhe rolin potencial të Iranit në Irak, duke thënë se ai e mirëpret deklaratën e udhëheqjes iraniane që ka dërguar mesazh të ngjashëm me atë të Shteteve të Bashkuara, për nevojën e një qeverie gjithpërfshirëse në Irak.

Obama tha se nëse Irani është i interesuar vetëm për t’i ndihmuar shiitët në Irak, atëherë kjo do ta përkeqësonte situatën në Irak dhe do të kishte implikime shumë negative për të ardhmen.

Në përgjithësi, ligjvënësit e të dy partive politike në Kongres i kanë mbështetur lëvizjet e Obamës.

Senatori republikan nga Florida, Marco Rubio, tha:

“Ndjej se ajo që tha presidenti është më e mirë se sa ku ne ishim para 24 orëve”, tha Marco Rubio.

“Mendoj se të gjitha gjërat që ai i shpalli kanë kuptim”, tha senatori republikan nga Tenesi, Robert Corker.

Senatori Chris Murphy, demokrat nga Konektikat, konsideron se presidenti duhet të konsultohet me Kongresin.

Mendoj se Shtetet e Bashkuara nuk mund ta injorojnë atë që po ndodhë dhe presidenti ka të drejtë që propozoj ndihmë ushtarake të kufizuar. Por, duhet të jetë e kufizuar si në madhësi ashtu edhe në kohë, ose presidenti duhet të kërkoj autorizim nga Kongresi”, tha Chris Murphy.

Megjithëqë dy senatorët republikanë, John McCain dhe Lindsey Graham, që kanë qëndrime më të ashpra, fjalimin e Obamës e kanë vlerësuar si “hap pozitiv”, ata në deklaratën e tyre theksuan se “janë thellë të shqetësuar se presidenti vazhdon t’i kushtëzoj me ndryshime politike në Irak aksionet më të gjëra ushtarake dhe të tjera të Shteteve të Bashkuara”. (f. bujupi)

XS
SM
MD
LG