Ndërlidhjet

UNICEF: Platforma për fëmijë "Njih të drejtat tua"


Ilustrim
Ilustrim
Gjatë vitit raportohen rreth 200 raste me fëmijë të abuzuar, thonë autoritetet e rendit. Ndryshe, Kosova nuk ka ligj për mbrojtjen e fëmijëve. Gjatë vitit 2013, ka filluar të hartohet Ligji për mbrojtjen e fëmijëve, i cili vazhdon të jetë në proces.

“Njih të drejtat tua”, është projekti i Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF.

Ky projekt përbëhet nga një platformë online, nëpërmjet së cilës të rinjtë mund të njoftohen me të drejtat, të cilat u garantohen me ligj, në një gjuhë të thjeshtësuar, që është më e kapshme për të rinjtë.

Në kuadër të kësaj platforme, të rinjtë mund të raportojnë online rastet e shkeljeve të të drejtave të tyre tek Institucioni i Avokatit të Popullit.

Gjithashtu, UNICEF-i ka nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi me institucionin e Avokatit të Popullit, lidhur me këtë çështje.

Sami Kurteshi, Avokat i Popullit, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se numri i ankesave të të rinjve dhe fëmijëve, është i vogël, në krahasim me kategoritë tjera shoqërore.

“Ne nuk jemi të kënaqur me situatën e përgjithshme të trajtimit të fëmijëve. Unë mendoj se në të gjitha fushat shkelen të drejtat e fëmijëve – diku më pak e diku më shumë. Fushat kryesore janë arsimi, ambienti, angazhimi i tyre në punë që nuk përkasin me dinjitetin e fëmijëve dhe me konstruktin e tyre mendor dhe fizik, trajtimi i tyre në rrugë, në institucione”.

“Numri i ankesave është i vogël, në krahasim me kategoritë tjera shoqërore. Ky është një projekt për një fushatë promovuese për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Ato do të promovohen nëpër institucione arsimore dhe duke i njohur të drejtat e tyre, edhe do të ankohen”,
ka thënë Kurteshi.

Ndërsa Joshua Harvey, menaxher i Laboratorit të inovacioneve në UNICEF, ka bërë të ditur se mosha që është paraparë të përfshihet në këtë platformë janë 12, deri në 20 vjeç, pasi që, siç thotë ai, sipas një hulumtimi të bërë, është pikërisht kjo moshë që nuk raporton kur u shkelen të drejtat.

“Në Kosovë 75 për qind e popullatës e përdor internetin. Mendoj se të rinjtë do të kenë lehtësisht qasje dhe të raportojnë për shkeljen e të drejtave të tyre. Gjithashtu, do të ketë aktivitete të ndryshme në shkolla përmes organizatave të ndryshme, këshillat rinorë nëpër komuna të ndryshme. Ne kemi një rrjet organizatash me të cilat kemi punuar për vite, dhe do t’i shfrytëzojmë ata që ta promovojnë kampanjën dhe platformën”, ka bërë të ditur Harvey.

Ndërkaq, drejtoresha e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë, Laila Omar Gad, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se kjo platformë parasheh që të gjithë të rinjtë nga mbarë Kosova të kenë qasje dhe mundësi t’i dinë të drejtat e tyre.

“Programi ynë do të ketë për qëllim që të rinjtë do të kenë qasje shumë të lehtë të raportojnë për shkeljen e të drejtave të tyre. Qasja do të jetë në dispozicion në shkolla, në mediat sociale si dhe çka është më e rëndësishmja për platformën ‘Njih të drejtat tua’ , është se do të kenë qasje prej çdo vendi në Kosovë. Do të jetë rrjet i zgjeruar dhe fëmijët prej atje ku jetojnë, do të raportojnë në Prishtinë në vendin e duhur, pra në zyrat e Ombudspersonit”, ka shpjeguar Omar Gad.

Por, Sami Kurteshi qasjen gjithëpërfshirëse në internet anekënd Kosovës, e sheh si problematike.

“Qasja është një problem selektiv, pasi që në Kosovë zhvillimi i përgjithshëm ekonomik dhe infrastrukturor nuk i lejon njerëzit të kenë qasje në internet. Ka pjesë të Kosovës që nuk kanë qasje as në rrymë. Kjo ka për të qenë një problem, por ky është fillimi dhe po shpresojmë dhe duhet të bëjmë veprime që të bëhet një punë e mirë”, ka tërhequr vërejtjen Kurteshi.
XS
SM
MD
LG