Ndërlidhjet

Pasiguri të reja për sirianët në Irak

  • RFE /RL

Jeta nuk ishte e përkryer në një kamp refugjatësh, por gjërat kanë nisur të ndryshojnë për Medya Hussain dhe familjen e saj.

Hussain, 35 vjeçe, ka nisur punë në një sallon të flokëve jo shumë larg kampit Dara Shakran në periferi të Irbilit, kryeqytetit të Rajonit Autonom Kurd të Irakut, ku jeton së bashku me burrin e saj dhe tre fëmijët.

Të ardhurat, së bashku me ushqimet, veshjet dhe ndihmat e tjera nga autoritetet kurde, u ofrojnë atyre një jetë relativisht të rehatshme, saqë tani janë duke menduar që të lëvizin nga çadra dhe të marrin një shtëpi me qira në Irbil.

Familja ishte larguar vitin e kaluar nga qyteti Raka i Sirisë, ku Shteti Islamik i Irakut dhe Levant ka pushtuar pjesën veriore.

Por tani, grupi i njëjtë ekstremist sunit që ka detyruar Hussainin dhe mijëra sirianë të tjerë të lënë shtëpitë, po avancon në Irak.

Pasi ka marrë kontrollin e disa qyteteve irakiane, përfshirë qytetin e dytë më të madh, Mosulin, Shteti Islamik i Irakut është duke lëvizur drejt Bagdadit.

Kjo ka bërë që mijëra irakianë të ikin nga luftimet. Disa kanë lëvizur drejt veriut, duke u sjellë konkurrencë dhe pasiguri të reja rreth 220,000 refugjatëve sirianë, shumica e tyre kurdë, që jetojnë në rajonin verior kurd të Irakut.

Autoritetet kurde kanë përfshirë rregulla më të relaksuara për refugjatët sirianë që të punësohen apo të marrin lejet e qëndrimit.

Dindar Zebari, zëvendësshef i Departamentit për Marrëdhënie me Jashtë në Rajonin Kurd, thotë se pjesa më e madhe e refugjatëve janë bërë të pavarur, kanë gjetur punë dhe janë larguar nga kampet.

Rreth 80,000 refugjatë sirianë mbeten në nëntë kampe në gjithë rajonin dhe kryesisht mbështeten në ndihma ushqimore dhe të tjera që ofrojnë autoritetet kurde.

Megjithatë, situata është duke ndryshuar pasi rajoni po përballet me fluks të refugjatëve irakianë që ikin nga Shteti Islamik i Irakut.

Qindra-mijëra njerëz kanë hyrë në Rajonin Kurd pas rënies së Mosulit dhe disa qyteteve më të vogla.

Zebari thotë se situata është mjaft e vështirë.

“Pas rënies së Mosulit, rreth 300,000 reugjatë të brendshëm kanë ardhur në Kurdistan. Shumica vijnë nga Mosuli, por edhe nga Diala, Salahudini dhe provinca të tjera”, thotë Zebari.

Tenda të reja janë duke u ngritur për të sapoardhurit, të cilët janë po ashtu në nevojë urgjente për ushqime, veshje dhe furnizime mjekësore. Shumica kanë lënë shtëpitë në nxitim, me shumë pak rroba me vete.

Fluksi ka vënë në vështirësi financiare edhe Qeverinë rajonale kurde.

“Kemi marrë shumë pak mbështetje financiare nga Qeveria në Bagdad për refugjatët sirianë. Bagdadi po ofron shumë pak edhe për refugjatët irakianë”, thotë Zebari.

E gjithë kjo, Hussanit i kujton situatën e saj në gusht të vitit 2013, kur ajo dhe familja e saj, si dhe 50,000 sirianë të tjerë kanë hyrë në Kurdistan.

Ali Hassan dhe gruaja e tij, të dy në të 20-tat, kanë qenë po ashtu në mesin e atij grupi. Hassani ka lënë qytetin veriperëndimor të Sirisë, Afrin, kur është sulmuar nga Shteti Islamik i Irakut dhe Levanti.

Në Irbil, ata tani punojnë në një dyqan kafeje dhe jetojnë në një shtëpi me qira.

“Kushtet tona të jetesës këtu janë shumë më të mira se në Siri. Kemi një rehati relative, kemi punë. Por, nuk do të thosha se është e përsosur, sepse i gjithë rajoni nuk është i qëndrueshëm”, thotë Hassan.

Hassan, i cili ka parë brutalitetet e Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit në vendin e tij, është i shqetësuar për situatën në qytetet irakiane. Ai nuk beson se grupi do të qetësohet së shpejti. “Do të ndikojë në gjithë rajonin”, thotë ai.(v.tela)
XS
SM
MD
LG