Ndërlidhjet

Nis rinumërimi i mbi 400 kutive të votimit


Kuti votimi

Kuti votimi

Që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, tashmë kanë kaluar 12 ditë, ndërkohë që rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve ende nuk dihen.

Zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë thënë se për certifikimin e rezultateve përfundimtare, do të nevojiten edhe disa ditë.

Një javë më parë, një prej anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Betim Gjoshi, i pati thënë Radios Evropa e Lirë se bazuar në dinamikën e zhvillimit të procedurave, rezultati nuk mund të pritet së paku edhe në javën e katërt të muajit qershor.

Përderisa përfaqësuesit e shoqërisë civile theksojnë se procesi i numërimit të votave po vonohet, zyrtarët e KQZ-së e mohojnë këtë, duke thënë se janë duke i ndjekur procedurat ligjore dhe pas përfundimit të tyre, do të dilet me një rezultat final, të saktë dhe që do të jetë i pranueshëm nga të gjitha partitë politike.

Ndryshe, zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thonë se pas përfundimit të procesit të numërimit të votave me postë dhe atyre me kusht, mbi 400 kuti të votimit duhet të rinumërohen.

Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky rinumërim ka nisur të premten,

“Në mëngjesin e së premtes ka filluar procesi i rinumërimit të disa kutive të votimit. Sipas vendimit të KQZ-së, do të rinumërohen 439 kuti të votimit. Prej këtyre 439 kutive, në 421 gjatë pranimit të materialit të zgjedhor, ka pasur mospërputhje të të dhënave të kandidatëve për deputetë. Ndërkaq, për 18 të tjera, gjatë pranimit të materialit zgjedhor, ka pasur mospërputhje të të dhënave të subjekteve politike dhe kjo është arsyeja që duhet të rinumërohen”, shpjegon Elezi.

Se kur do të përmbyllet procesi, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Elezi, shton:

“Besojmë që brenda disa ditësh do ta përmbyllim këtë proces”.


Në anën tjetër, pas shpalljes së rezultateve preliminare, tri partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë krijuar bllokun e përbashkët, duke pretenduar se ky bllok ka të drejtën e formimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Ky bllok e kundërshton formimin e qeverisë nga ana e koalicionit që i prin Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka fituara shumicën solide në zgjedhjet e 8 qershorit.

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe kryeministër në largim i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, pati thënë se ai do të jetë mandatari i ardhshëm për formimin e qeverisë, ngaqë përfaqëson partinë fituese të zgjedhjeve të 8 qershorit.

“Fituese e zgjedhjeve është Partia Demokratike e Kosovës dhe se partia ose koalicioni fitues i zgjedhjeve do ta ketë kandidatin për kryeministër dhe kjo parti fituese që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend, do ta formojë qeverinë”, pati deklaruar Thaçi.

Ai kishte shtuar se pas certifikimit të rezultateve, do t'i nisë konsultat me partitë e mundshme partnere për krijimin e qeverisë, duke e përjashtuar kështu mundësinë që qeveria e ardhshme të formohet dhe drejtohet nga opozita.

Ndërkohë që po vazhdon procesi për arritjen deri te rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve dhe certifikimin e tyre, subjektet politike që pretendojnë të drejtën për formimin e qeverisë së re janë duke bërë debate të zjarrta në media dhe rrjete sociale rreth kësaj çështjeje.

Ajo u bë temë interpretimesh nga më të ndryshmet, në aspektin kushtetues, duke u thirrur në Nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës.

Njohësit e rrethanave zgjedhore, këto debate i kanë quajtur “përleshje” të partive politike që nuk prodhojnë efekte juridike.

Megjithatë, më 19 qershor, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për të sqaruar çështjet kushtetuese që ndërlidhen me përgjegjësitë e saj.

“Kërkesa për Gjykatën bëhet me qëllim të qartësimit të veprimit kushtetues të Presidentes së Republikës së Kosovës, që ndërlidhet me përputhshmërinë e nenit 84 pika 14 dhe nenit 95 të Kushtetutës së vendit. Vlerësimi i përputhshmërisë së neneve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës do t’i mundësojë Presidentes së vendit që të ndërmarrë veprimet e nevojshme në pajtueshmëri me vendimin e Gjykatës”, është thënë në njoftimin e presidentes.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG