Ndërlidhjet

Politikë e njëjtë ndaj procesit integrues të Maqedonisë


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi

Elaborimi i programit qeveritar në Kuvend nga ana e kryeministrit Nikolla Gruevski nuk lë shumë hapësirë për optimizëm për zhbllokimin e procesit euro-integrues.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike, duke komentuar pjesën e fjalimit kur Gruevski tha se qeveria që ai do të drejtojë edhe gjatë katër viteve të ,ardhshme në asnjë mënyrë nuk do të lejojë ndryshimin e emrit të Maqedonisë, që është kushti kryesor për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE.

Mendoj se është një qëndrim jashtëzakonisht ristriktiv dhe në kundërshtim me platformën, me të cilën është marrë vesh me partnerin shqiptar të koalicionit, Bashkimin Demokratik për Integrim. Me këtë, faktikisht i dërgohet mesazh qendrave të vendosjes ndërkombëtare se Maqedonia nuk është e gatshme të bëjë ndryshime esenciale lidhur me këtë çështje, e cila është kusht për anëtarësim në NATO dhe BE”, thotë Mersel Bilalli, analist politik dhe profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin “FON” të Shkupit.

Kryeministri Gruevski tha se qeveria është e gatshme për vazhdimin e bisedimeve me Greqinë, por zgjidhja e kontestit, nuk mund të bazohet në ndryshimin e emrit kushtetues, apo në rrezikimin e kombit, gjuhës dhe të veçorive kulturore maqedonase.

Por, pavarësisht këtij qëndrimi të fortë, analisti Bilalli nuk pret ndonjë lëkundje në funksionimin e koalicionit qeveritar, edhe pse BDI-ja ka paralajmëruar zgjedhje të jashtëzakonshme, nëse deri në shtator nuk zhbllokohet procesi i integrimit.

“Nuk jam optimist në këtë drejtim, sepse deklarata të tilla kemi dëgjuar edhe më herët, e që nuk janë realizuar. Por, në qoftë se organizatat qytetare, intelektualët e kështu me radhë qëndrojnë fuqishëm në atë që të sensibilizojnë këtë çështje dhe përfundimisht, shqiptarët, përmes protestave, të kundërshtojnë këtë qëndrim restriktiv të kryeministrit për mosndryshimin e emrit, atëherë kriza politike është shumë më afër”, vlerëson Bilalli.

Sa i përket pjesës tjetër programit qeveritar, analistët thonë se ai nuk ndryshon nga ai i viteve të kaluara, kështu që nuk presin ndonjë ndryshim të madh, ndërsa përjashtojnë mundësinë e ndonjë krize të re për shkak të bojkotit të Kuvendit nga ana e opozitës maqedonase.

Lidhja Social-Demokrate, e cila nuk njohu rezultatin e zgjedhjeve dhe ktheu 34 mandatet e fituara të deputetit, kërkon formimin e një qeverie teknike, e cila do të organizonte zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Qeveri teknike nuk do të ketë, siç nuk do të ketë as zgjedhje të reja. Qeveria është stabile dhe ka mbështetje të gjerë dhe nuk besoj se në bisedime opozita do të arrijë të imponojë qëndrimin e saj për shpalljen e zgjedhjeve të reja”.

“Është mirë që të negociohet, por mendoj se qeveria ka argumente të fuqishme se do të jetë stabile edhe pa opozitën në Kuvend, ndërsa në bisedimet ndërmjet pushtetit dhe opozitës është mirë të gjenden modalitete për kthimin e kësaj të fundit në Kuvend”
, thotë Nikolla Dujovski, njohës i çështjeve politike dhe profesor në Universitetin e Shkupit.

Qeveria e re, e cila u votua në mungesë të opozitës, nuk ka ndryshime të mëdha. Resorët kryesorë si Ministria e Brendshme, Financat dhe Diplomacia, vazhdojnë të udhëhiqen nga kuadrot e njëjtë të VMRO-së.

Partneri shqiptar në qeveri, Bashkimi Demokratik për Integrim, udhëheq me pesë ministri dhe dy zëvendëskryeministra, përfshirë edhe atë për Euro-integrime.

XS
SM
MD
LG