Ndërlidhjet

Maqedoni: Qytetarëve u bllokohen llogaritë bankare shkaku i borxheve


Ilustrim

Ilustrim

Si pasojë e mospagesës me kohë të faturave të taksës radio-difuzive, energjisë elektrike, ngrohjes, ujit, tatimit në pronë etj, gjatë muajit të fundit në Maqedoni janë bllokuar 182.055 llogari bankare.

Të dhënat zyrtare të Bankës Popullore të Maqedonisë, bëjnë të ditur se pjesa më e madhe e llogarive ë bllokuara, u përkasin personave fizikë, 119.033 të tilla, derisa 63.000 llogari të bllokuara janë të kompanive, si pasojë e mospagesës së detyrimeve ndaj bankave ose borxheve ndërmjet kompanive, por edhe ndaj shtetit.

Qytetarët e revoltuar pasi mësojnë për bllokimin nga bankat komerciale, shprehen se janë të vetëdijshëm për detyrimet që kanë ndaj shtetit, por shlyerjen e borxheve nuk arrijnë ta bëjnë si pasojë mungesës së të ardhurave.

“Po marr ndihmë sociale 2100 denarë (35 euro) dhe tani e kam të bllokuar llogarinë edhe për këto mjete si pasojë e mospagesës së tatimit të pronës. Tani duhet t'i lë fëmijët e uritur. Mos duhet vallë ta shes edhe atë copë shtëpi ku kemi futur kokën?”, tregon për Radion Evropa e Lirë Angell Josifovski, i revoltuar sapo informohet në sportelin e një banke se e ka të bllokuar llogarinë dhe nuk mund të nxjerrë asnjë denar.

Djali merr ndihmë sociale, çka të bëj ai me ato para? Çka të paguajë më parë? Jeta është bërë shumë e rëndë”, pohon Hasip Zenuni, pensionist, duke shpjeguar se me pensionin e tij të vogël, i duhet t'i paguajë faturat e rrymës që t`i zhbllokohet llogaria bankare djalit të tij.

Si pasojë e bllokimit të llogarive bankare me vendim të përmbaruesve për borxhet e ndryshme të pashlyera ndaj ndërmarrjeve publike dhe bankave, ka reaguar edhe Konfederata e Organizatave Sindikale.

“Është e pakuptimtë që për një borxh prej 1500 denarësh faturë e pashlyer ndaj Ngrohtores Qendrore, një qytetar detyrohet të paguajë borxh prej rreth 12 mijë denarë, gjegjësisht krahas normës së interesit ndaj ndërmarrjes faturohen edhe shpenzimet e procesit dhe shpenzimet përmbaruese”, thekson kryetarja e KOS-it, Marijana Ristevski.

Ndërkohë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë një ditë pas konstituimit, ka miratuar një propozim-ligj për shlyerjen e të borxheve për kategoritë e ndjeshme sociale si pjesë e përmbushjes së premtimeve gjatë fushatës zgjedhore.

Në këtë ligj do të përfshihen shfrytëzuesit e ndihmës sociale dhe të ndihmës së përhershme në të holla, personat të cilët kërkojnë punë më shumë se 12 muaj dhe persona të ekspozuar në rrezik social për shkak të vdekjes së partnerit në martesë ose invaliditetit”, ka thënë kryeministri Nikolla Gruevski.

Ai ka shtuar se përmes këtij ligji, përfshihet edhe shlyerja e borxheve për shfrytëzim të energjisë elektrike respektivisht të ngrohjes, borxh në bazë të taksës radio-difuzive, mbi bazë të kartelave të kreditit dhe kapërcim të llogarive, transaksione dhe kredive shpenzuese, për të cilat nuk janë siguruar me pronë të tundshme dhe të patundshme ndaj bankave afariste.

Por, ekspertët e ekonomisë thonë se në këtë mënyrë, përmes faljes së borxheve dhe jo krijimit të vendeve të punës, atakohet kredbiliteti moral i qytetarëve.

" E para kemi të bëjmë me atë aspektin njerëzor, meqë nënçmohet personi që del në listën e turpit si borxhli , kundrejt shtetit në bazë të tatimeve që nuk i ka kryer. Pra në këtë mënyrë turpërohet qytetari ose kompania, e cila ka borxh të pashlyer dhe pastaj krijon hapësirë që ta blejë. Pra, i thuhet dëgjo, unë e di se ke borxh dhe ta fal sepse jam i mëshirshëm, e në fakt në këtë mënyrë blihet vota duke zhveshur individin nga çdo moral ose vlerë njerëzore”, konsideron Visar Ademi, ligjërues në Fakultetin për Administrim Biznesi në UEJL në Tetovë.

Sipas Ademit, përmes këtij ligji synohet të blihet qetësia sociale dhe asgjë më shumë.

“Në aspektin ekonomik, me këtë vendim të qeverisë vetëm blihet ajo që quhet qetësi sociale, sepse nuk mund të sigurohet mirëqënie sociale vetëm duke shlyer pagesën e dy ose tre faturave të energjisë elektrike ose borxheve të tjera, sepse në fakt këta persona kanë nevojë për reforma radikale, gjegjësisht kanë nevojë për punësim, përkatësisht të ardhura permanente”, thekson për Radion Evropa e Lirë Visar Ademi.

Ndryshe, sipas autoriteteve qeveritare, pritet që në thirrjen për shlyerje të borxheve të paraqiten rreth 100 mijë qytetarë.

XS
SM
MD
LG