Ndërlidhjet

VOX

“Magjepsja” me politikën


Përkrahës i një partie politike në Prishtinë (Foto nga arkivi)

Përkrahës i një partie politike në Prishtinë (Foto nga arkivi)

Situata aktuale politike në Kosovë është bërë debat i pashmangshëm për të rinjtë në Kosovë. Në bisedat me shoqërinë, familjen, ata thonë se ka diskutime nga më të ndryshmet, duke bërë edhe analiza dhe duke dhënë mendime për zgjidhjen e ngërçit politik, në të cilën ka hyrë vendi pas zgjedhjeve të 8 qershorit.

Në zgjedhjet e 8 qershorit, Partia Demokratike e Kosovës fitoi me një epërsi prej pesë për qind në raport me partinë rivale, Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Por, kjo fitore, PDK-së nuk i siguroi mundësinë që të formojë vetë qeverinë, përderisa katër partitë tjera, LDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Vetëvendosje vendosën që të bojkotojnë PDK-në si partnere për bashkëqeverisje

Por, zyrtarët e PDK-së e kanë bërë të qartë se qeveria e ardhshme do të formohet nga kjo parti politike ose vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë të rinjtë flasin për preokupimin e tyre rreth kësaj situate të krijuar.

Valon Rexha nga Gjakova është student i Fakultetit Juridik. Ai thotë se situata aktuale politike është bërë temë diskutimi për të gjithë.

“E kemi parë të gjithë, kemi përcjellë me vëmendje të gjitha zhvillimet, një situatë jo e mirë dhe është bërë e pashmangshme, është bërë rutinë. Tashmë, të gjithë e diskutojmë se çfarë po ndodh me vendin tonë, kjo është bërë edhe brengosëse tani për ne, si të rinj”, shprehet Valoni.

Për Blerta Gashin, studente në Fakultetin Filozofik, diskutimi për politikë është bërë i mërzitshëm. Në çdo vend ku shkon, qoftë në fakultet, qoftë në biseda me familje, situata e krijuar politike në vend, thotë ajo, është bërë temë e pashmangshme.

“Po flitet gjithkund kjo temë, në çdo vend, në fakultet, gjithkund po flitet për koalicione për politik. Por, për neve, kushdo që po fiton, nuk po sjell ndryshime”,
thotë Blerta.

Jon Krasniqi ka përfunduar shkollën e mesme dhe tani pret të regjistrohet në ndonjërin nga Fakultetet e Universitetit të Prishtinës. Situata aktuale politike e krijuar, thotë se nuk po i pëlqen fare. Do të dëshironte të mos ishte temë diskutimi, por kjo po ndodh.

“Në shoqëri po diskutohet shumë, pasi që të gjithë në klasën time janë fëmijë të politikanëve të partive të ndryshme dhe të gjithë po japin mendime se kush është më i mirë e kush do të duhej të ishte kryeministër. Unë nuk jam për këtë çfarë ka ndodhur në skenën politike, pasi që po kemi një situatë të tensionuar debati në shoqëri”, shton Joni.

Derisa Vesa mendon se e gjithë kjo situatë e krijuar në Kosovë ka lënë nën hije edhe Kampionatin Botëror, i cili ka filluar tashmë.

“Ky destabilizim politik që ka ndodhur po na tërheq edhe vëmendjen nga Kampionati Botëror, i cili është dashur të jetë gjëja kryesore. Është tepruar më, kudo që shkon, të gjithë flasin vetëm për politikanë, e asgjë tjetër”,
shpreh pakënaqësinë e saj Vesa.

Edhe Valbona tregon se të gjithë në shoqërinë e saj flasin për politikë:

“Situata e krijuar në vend ka zgjuar kërshëri te popullata në përgjithësi. Tema aktuale janë zgjedhjet e fundit, problemi është se kanë dalë gjëra të papritura në skenë. Megjithatë, ne e dimë që njëra palë do të fitojë, a është pozita apo opozita në koalicion”.

Megjithatë, ka edhe pak të rinj, të cilët nuk janë fare të interesuar me atë se çfarë po ndodh në skenën politike.

Shkëlqim Skënderi, një i ri nga Prishtina, thotë se ka obligime tjera dhe se nuk po i intereson fare se çfarë problemesh politike ka vendi.

“Nuk po më intereson aspak çfarë ka ndodhur dhe çfarë do të ndodhë. Temat e politikës as që janë pjesë diskutimi në shoqërinë time, fare nuk po merremi me këto punë të tyre”, thotë Shkëlqimi.

Gjatë fushatës elektorale në programet e partive politike kanë figuruar edhe problemet e të rinjve dhe zgjidhja e tyre. Ndërkaq, kanë premtuar edhe përmirësime dhe lehtësime financiare për studentët dhe punësim.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG