Ndërlidhjet

Poroshenko: Ne e kemi edhe planin B

  • RFE /RL

Petro Poroshenko gjatë vizitës në Donbas.

Petro Poroshenko gjatë vizitës në Donbas.

Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, ka paralajmëruar se ai e ka një plan alternativ, në rast se separatistët pro-rusë do ta shfrytëzojnë armëpushimin e njëanshëm ukrainas vetëm për të fituar në kohë.

Poroshenko, i cili më 20 qershor derisa po vizitonte rajonin e Donjeckut, e deklaroi armëpushimin njëjavor, gjatë një paraqitjeje televizive, të shtunën ka thënë se ata që duan ta shfrytëzojnë armëpushimin për të fituar në kohë, për rigrupim të forcave të tyre, duhet ta dinë se ne e kemi edhe një plan B.

“Ndonëse situata është kritike, ne sot e kemi mundësinë që ta zgjidhim problemin paqësisht, apo me luftë. Dhe, ne duhet që ta shfrytëzojmë këtë opsion. Ne parashohim disa skenarë, atë paqësor apo planin A, apo për ata që shpresojnë ta përdorin armëpushimin për të fituar në kohë, për rigrupim të forcave të tyre, ata duhet ta dinë se ne e kemi edhe planin B. Nuk dua të jap detaje të këtij plani, sepse unë besoj që plani ynë i paqes do të funksionojë”, ka thënë Poroshenko.

Ai nuk ka elaboruar asgjë rreth planit alternativ, duke thënë se ai shpreson që armëpushimi do të ketë sukses.

Presidenti ukrainas ka theksuar se armëpushimi ka për qëllim që t’iu japë separatistëve kohë për t’u çarmatosur.

Poroshenko është takuar me liderët rajonalë, me ç’rast ka thënë se përdorimi i gjuhës ruse në zonën lindore të shtetit, do të respektohet, por e ka refuzuar mundësinë e hyrjes në dialog me liderët e separatistëve.

Një ditë më parë, presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se ai e përkrah armëpushimin e Poroshenkos për Ukrainën lindore, por ka shtuar se ky armëpushim nuk do të ketë efekt pa vepra konkrete.

Putin ka shtuar se plani i paqes i Poroshenkos nuk duhet të jetë ultimatum, ndërsa iu ka bërë thirrje të gjitha palëve që të ndalojnë luftimet dhe të fillojnë negociatat.

Megjithatë, Pavel Gubarev, një nga liderët më të njohur të rebelëve, i ka thënë televizionit rus, “Rossiya-24” se, ose forcat ukrainase nuk po e zbatojnë urdhrin e Poroshenkos, ose vetë Poroshenko po gënjen.

Gubarev, i cili veten e quan guvernator të Republikës Popullore të Donjeckut, ka thënë se “nuk ka armëpushim fare”.

Shërbimi ukrainas i mbrojtjes së kufirit ka raportuar të shtunën se separatistët pro-rusë i kanë sulmuar dy postblloqe dhe një bazë ushtarake në të njëjtën zonë.

Kjo agjenci shtetërore ukrainase ka thënë se nëntë roje të kufirit janë plagosur gjatë sulmit që është kryer natën.

Ndërkohë, Kanadaja ka njoftuar se ka vendosur sanksione ekonomike dhe ndalim udhëtimi për 11 rusë dhe ukrainas, si dhe ndaj kompanisë së naftës së Krimesë, “Feodosia Enterprise”, duke thënë se ata e ndihmojnë shkeljen e sovranitetit të Ukrainës.

Bashkimi Evropian tashmë ka vendosur sanksione ndaj kompanisë së naftës së gadishullit të Krimesë që në muajin mars është aneksuar nga Rusia. (a.haraçia)

XS
SM
MD
LG