Ndërlidhjet

Putin e mbështet armëpushimin e Poroshenkos, kërkon dialog

  • RFE /RL

Vlladimir Putin gjatë një conference me gazetarë

Vlladimir Putin gjatë një conference me gazetarë

Televizioni i Rusisë ka raportuar se presidenti, Vladimir Putin, i ka dhënë mbështetje të kujdesshme armëpushimit të njëanshëm të presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko, por ka thënë se çfarëdo ndalje e armiqësive është e pakuptimtë pa “dialog”.

Duke u paraqitur mbrëmë në Televizionin Rossiya 24, zoti Putin tha se luftimet në pjesën lindore të Ukrainës, ndërmjet forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë, duhet të ndalen.

Por, sipas tij, pajtimi në Ukrainë varet nga “dialogu ndërmjet të gjitha grupeve” me qëllim që të gjenden zgjidhje, që janë të pranueshme për çdokënd, e veçanërisht për popullin në pjesën juglindore të Ukrainës.

Ai është shprehur lidhur me armëpushimin e shpallur nga presidenti ukrainas, Petro Poroshenko.

“Fakti se presidenti Poroshenko ka shpallur armëpushim është sigurisht një pjesë e rëndësishme e zgjidhjes finale të konfliktit, me gjasë njëri nga pjesët më të rëndësishme. Pa këtë, është e pamundshme të arrihet ndonjë marrëveshje. Kuptohet, Rusia do t’i mbështesë përpjekjet e tilla”, tha presidenti Putin.

Në këtë kuadër ai ka kërkuar dialog.

“Është e domosdoshme të filloj dialogu i detajizuar dhe gjithëpërfshirës. Ky është çelës për sukses”, tha Vladimir Putin.

Presidenti i Rusisë tha se ka pasur të shtëna artilerike gjatë natës nga territori i Ukrainës dhe se disa predha kanë rënë në territorin e Rusisë. Por ai theksoi se nuk ishte e qartë se kush ishte përgjegjës për këto të shtëna.

Putin ka urdhëruar që forcat ushtarake në pjesën qendrore të Rusisë të jenë “në gatishmëri të plotë luftarake”, që ishte një test befasues për përgatitjen e tyre.

Ministri i mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, tha se kjo gjendje e alarmit në këto njësi ushtarake do të zgjasë deri më 28 të këtij muaji.

Shefi i shtatmadhorisë së ushtrisë ruse, Valery Gerasimov, tha se në ushtrimet ushtarake njëjavëshe do të marrin pjesë 65 mijë ushtarë, përfshirë forcat luftarake ajrore. Sipas tij, po ashtu, do të involvohen 180 aeroplanë luftarakë, 60 helikopterë, afro 5500 njësi me pajisje të ndryshme luftarake, e të tjera.

Këto ushtrime për ta testuar gjendjen e gatishmërisë luftarake të forcave ruse, po bëhen në periudhën kur NATO-ja ka shpallur se Rusia e ka vazhduar grumbullimin e ushtarëve në kufirin me Ukrainën.

Gjatë ditës së djeshme, zoti Putin ka biseduar me telefon me presidentin francez, Francois Hollande, dhe me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Sipas një kumtese të presidencës franceze, Hollande dhe Merkel “kanë përsëritur rëndësinë e sigurimit të plotë të kontrollit në kufirin e Rusisë me Ukrainën, me qëllim që të evitohet infiltrimi i pajisjes dhe njerëzve të armatosur”.

Nga ana tjetër, në kumtesën e presidencës ruse, është theksuar nevoja për fillimin e negociatave me “përfaqësuesit e rajoneve protestuese” në pjesën lindore të Ukrainës.

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, tha se armëpushimi është shpallur për t’iu dhënë kohë separatistëve pro-rusë në pjesën lindore të Ukrainës që të çarmatosen.

Megjithatë, ai theksoi se “për ata që shpresojnë ta shfrytëzojnë armëpushimin për të fituar në kohë, për t’i rigrupuar forcat e tyre, ata duhet a dinë se ne e kemi planin B”.

Poroshneko është takuar me liderët rajonalë dhe ka ofruar se do të respektohet gjuha ruse në pjesën lindore të Ukrainës.

Por, ai ka refuzuar të hyjë në dialog direkt me liderët separatistë.

Njëherësh, Shtëpia e Bardhë në Uashington ka njoftuar se zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, ka biseduar me telefon me Poroshenkon gjatë ditës së djeshme, për të diskutuar për implementimine planit të paqes që ai e ka paraqitur.

Thuhet se Poroshenko e ka informuar zotin Biden se “separatistë e mbështetur nga Rusia vazhdojnë t’i sulmojnë forcat e Ukrainës, përfshirë përdorim të artilerisë, pas shpalljes së deklaratës së armëpushimit”.

Zëvendëspresidenti Joe Biden, ka përsëritur se Uashingtoni dhe partnerët e vet janë të përgatitur për sanksione të reja kundër Rusisë, nëse Moska nuk e ndalë “rrjedhën e armatimit dhe të militantëve nëpër kufi” dhe nëse nuk“e përdorë ndikimin e vet, që publikisht t’i ftojë separatistët, për t’i ulur armët e tyre”. (f. bujupi)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG