Ndërlidhjet

Pse futbolli meriton më shumë sesa një president helmues të FIFA-s?


Fotografi nga ndeshja Bosnje - Argjentinë më 15 qershor

Fotografi nga ndeshja Bosnje - Argjentinë më 15 qershor

Për Kupën e Botës dhe FIFA-n, gara në Brazil ka filluar të duket si një pikë kthese, ku pakënaqësitë popullore me fondet e shtetit mund të kenë pasoja afatgjata, shkruan gazeta britanike Observer.

Sipas saj, imazhi më i spikatur i turneut deri më tash ka qenë ai i presidentes së Brazilit, Dilma Rousseff, duke festuar njërin nga golat e ekipit brazilian kundër Kroacisë, gjatë ndeshjes së parë në Sao Paulo.

Ajo nuk ndodhej në zonën në mes të stadiumit, ku zakonisht ulen personat e rëndësisë së lartë, por dukej gati si e fshehur në një pjesë tjetër.

Kjo, sepse Rousseff dhe presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, kanë vendosur që të mos mbajnë fjalime tradicionale të mikpritjes gjatë ceremonisë së hapjes. Të dy kanë shprehur në mënyrë të përsëritur bindjen e tyre se çdo gjë në lidhje me ngjarjen e madhe sportive në Brazil është e mrekullueshme.

Por, sipas gazetës, kjo është bërë Kupa më e politizuar e Botës në histori. Edhe Dilma, siç njihet në Brazil, edhe Blatter, e dinë këtë, shkruan Observer.

Dhjetë ditë më herët, në Kongresin e FIFA-s në Sao Paulo, Blatter ka parë shenjat e parë të asaj që e presin në raport me disa federata evropiane, para së gjithash me Federatën Angleze, e cila i ka bërë kritikën më të mprehtë prej të gjitha nëndegëve.

Për momentin, ai është në gjendje të mbështetet në federatat e tjera në gjithë botën. Por, natyrisht, evropianët janë burim i shumë parave dhe i ndikimit të FIFA-s. Nëse vendet më të fuqishme të futbollit nisin të tërheqin mbështetjen e tyre, FIFA mund të bëhet një entitet i uritur, shkruan Observer.

Dilma po ashtu e di se sa më herët që Brazili të eliminohet nga Kupa e Botës, aq më të mëdha janë shanset për demonstrata, sikurse ato të vitit të kaluar gjatë Kupës së Konfederatave. Përparimi i ekipit brazilian është bërë çështja më e lartë e shtetit.

Në afat më të gjatë, Dilma përballet edhe me zgjedhje të përgjithshme në fillim të tetorit. Para demonstratave të vitit ta kaluar ajo ka pasur vlerësime shumë të larta, por pas trazirave që kanë tronditur gjithë vendin, ajo ka rënë në nivelin më të ulët të vlerësimeve, në 27 për qind.

Observer shkruan se Kupa e Botës është thembra e saj e Akilit: dhjetë miliardë sterlina të shpenzuara në stadiume që nuk do të mirëpresin kurrë më shumë se 1,000 spektatorë; përmirësime të premtuara infrastrukturore që mbeten të papërfunduara dhe tashmë janë shkatërruar.

Pas otimizimit të madh të krijuar nga dy presidentët e fundit të Brazilit, Fernando Henrique Cardoso dhe Luiz Inacio da Silva, disponimi ka rënë si pasojë e recesionit dhe pamundësisë së Dilmas për të trajtuar krizat në shëndetësi, arsim dhe transport, duke pretenduar se gjithçka është rozë. Brazilianët janë duke i thënë botës: “Po, ne e duam futbollin, por i duam edhe shkollat, spitalet dhe sistemet e metrosë”.

Observer thotë se tifozët e futbollit janë të ngopur me FIFA-n. Ajo kërkon nga vendet që duan të jenë nikoqire të turneve, të miratojnë legjislacione të veçanta; këmbëngul në privilegje të pafundme për përfaqësuesit dhe sponsorët e saj, ndërsa ka një strukturë që i mungon transaprenca.

Njoftimi i Sepp Blatterit se synon të qëndrojë për një mandat të tretë ka zemëruar tifozët dhe, për herë të parë, ka provokuar pakënaqësi në mesin e federatave evropiane.

Por, kundërshtimi i tyre në Kongresin e FIFA-s është zhdukur për pesë minuta dhe është bërë një kthim në procedurat e FIFA-s, duke përdorur stilin e Koresë së Veriut, pasi të gjithë mbështetësve të Blatterit u është thënë se ata do të fitojnë një bonus prej 700,000 dollarësh.

Eulogjitë që kanë pasuar për presidentin e FIFA-s do ta skuqnin edhe Kim Jong Un-in, shkruan Observer.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG