Ndërlidhjet

Dënime alarmuese të gazetarëve të Al Jazeeras në Egjipt


Al Jazeera
Al Jazeera

Dënimi i tre gazetarëve nga një gjykatë egjiptiane ditën e hënë, për shkak se e kanë kryer punën e tyre, është përpjekja e fundit e sunduesve të mbështetur nga ushtria në këtë vend, për t’i goditur ata që mendojnë ndryshe, shkruan në fillim të editorialit të saj e përditshmja New York Times, duke konstatuar se vendimi alarmues dërgon mesazh brengosës dhe frikësues, jo vetëm te gazetarët e tjerë që punojnë në Egjipt, por edhe te shtetasit egjiptianë.

Të tre profesionistët e respektuar, që kanë punuar për rrjetin Al Jazeera,në gjuhën angleze, ishin ballafaquar me akuza të çuditshme të konspiracionit me Vëllazërinë Myslimane – që e dominoi qeverinë, të cilën e përmbysi ushtria verën e kaluar – për transmetim të raporteve të falsifikuara për kryengritje civile.

Prokuroria publikisht nuk ka ofruar dëshmi se gazetarët e kishin mbështetur Vëllazërinë ose kishin transmetuar diçka që nuk ishte e vërtetë.

Në fakt, shkruan e përditshmja New York Times, kur ishin pyetur nga gjykata për t’i paraqitur raportet e dyshuara se janë të falsifikuara nga kompjuterët e të akuzuarve, prokurorët kanë treguar pamje nga pushimi i familjes së njërit prej gazetarëve dhe kuajt duke u ushqyer në një lokacion në Egjipt. Kjo do të ishte për humor, sikur pasojat të mos ishin aq të rënda për gazetarët, shkruan e përditshmja New York Times.

Dy prej gazetarëve të dënuar, Mohamed Fahmy, shtetas kanadez me prejardhje nga Egjipti, që ka punuar për rrjetin CNN dhe New York Times, dhe Peter Greste, australian që kishe punuar për rrjetin BBC dhe i kishte kaluar vetëm pak ditë në Egjipt, në kohën e arrestimit të tij, pra të dy këta janë dënuar me nga 7 vjet burg.

Gazetari tjetër, Baher Mohamed, egjiptian, që kishte punuar për organizatën gazetareske japoneze, The Asahi Shimbun, është dënuar me tri vjet shtesë, qartas për shkak se e kishte pasur një gëzhojë të plumbit si suvenir në tubimin protestues.

Disa studentë, po ashtu, ishin dënuar në këtë proces gjyqësor, ndërsa disa gazetarë të tjerë ishin dënuar në mungesë.

Personat që janë dënuar kanë të drejtë të apelojnë kundër vendimeve gjyqësore, por procesi mnund të zgjasë me vite.

Së bashku me grupet për të drejtat e njeriut, Britania, Australia dhe Kanadaja, i kanë denoncuar dënimet e gazetarëve dhe janë shprehur të përkushtuar për të bërë presion për lirimin e tyre, shkruan New York Times.

Përgjigja e administratës Obama ishte konfuze dhe shqetësuese. Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, i cili ishte shumë i etur të angazhohej me presidentin, Adbel Fattah el-Sisi, ish-gjeneral, i cili e udhëhoqi komplotin e vitit 2013 dhe i fitoi zgjedhjet e organizuara në muajin maj, e zgjodhi një periudhë të papërshtatshme për ta vizituar Kajron.

I vetëdijshëm se vendimet po priteshin, ai erdhi të dielën dhe e shpalli dëshirën e tij për ripërtritjen e raporteve.

Ai poashtu, ka shprehur besim në përkushimtin e zotit Sisi për “rivlerësim të procesit gjyqësor” dhe tha se Shtetet e Bashkuara së shpejti do ta vazhdonin pjesën më të madhe të ndihmës vjetore prej 1.3 miliardë dollarëve për ushtrinë e Egjiptit, e cila ishte pezulluar.

Kur u shpall vendimi gjyqësor, deklarat amerikane u forcuan. Zoti Kerry e vlerësoi atë si “pengesë shqetësuese për tranzicionin e Egjiptit”, ndërsa Shtëpia e Bardhë i dënoi dënimet dhe kërkoi nga zoti Sisi që t’i amnistoj gazetarët dhe të tjerët, që janë dënuar për shkaqe politike gjatë viteve të fundit.

Por, nuk kishte ndonjë fjalë për shkurtimin e ndihmës, prandaj ka pak arsye për të besuar se zoti Sisi seriozisht do ta rivlerësoj procesin gjyqësor.

Shtetet e Bashkuara kanë interes në mbajtjen e raporteve me Egjiptitn për të siguruar se i respekton marrëveshjet paqësore me Izraelin, i lejon anijet amerikane të lundrojnë tranzit në Kanalin e Suezit dhe të bashkëpunoj kundër terrorizmit, që është çështje e rëndësishme në rritje, duke pasur parasysh suksesin e militantëve sunitë në Irak. Por, Egjipti ka përfitime nga lidhjet me Amerikën, gjithaashtu, shkruan New York Times.

Më se 16 mijë njerëz janë në burgje për shkaqe politike dhe më se 1 mijë vetë janë vrarë gjatë protestave.

Ky brutalitet mund të prodhoj pasoja të njejta në Egjipt, siç ka ndodhur në Irak, duke i përkeqësuar ndarjet sektare dhe forcuar radikalët, shkruan në fund të editorialit e përditshmja New York Times.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG