Ndërlidhjet

Beogradi në themel të barrikadës


Barrikada në urën mbi lumin Ibër, foto më 18 qershor

Barrikada në urën mbi lumin Ibër, foto më 18 qershor

Heqja e barrikadës me rërë dhe gurë e cila që nga korriku I vitit 2011 ishte vendosur mbi urën qendrore mbi lumen Ibër nga serbët lokal dhe rivendosja e barrikadës tjetër, të ashtuquajtur “Parku i paqes”, nga autoritetet lokale të Mitrovicës së veriut, u bënë shkak i protestës së qytetarëve shqiptarëve, ditës së diel në anën jugore të lumit Ibër.

Por, cili është roli i Beogradit zyrtarë ndaj barrikadës mbi urën mbi lumin Ibër, qoftë edhe të kësaj që është vendosur së fundmi si “Parku i paqes”?

Gjatë vendosjes së barrikadës me vazo të betonit në vendin ku më parë ishte barrikada me gurë dhe rërë, aksion të cilit i printe kryetari i komunës së Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, pranë tij ka qëndruar edhe Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën.

Rakiq, pati theksuar se vendimin për vendosjen e të ashtuquajturit “Parku i paqes”, e ka sjellë në koordinim me shtetin e Serbisë.

Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, vlerësojnë se Beogradi është iniciator dhe planifikues i këtij veprimi, i cili, siç thonë ata, u ekzekutua nga serbët lokal në Mitrovicën e veriut.

Analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi, thotë për Radion Evropa e Lirë se Beogradi po krijon situata, përmes të cilave synon t’i bishtnojë zbatimimit të marrëveshjeve të arritura me Kosovën në Bruksel.

Që ka gisht Beogradi zyrtarë në atë farë performance të turpshme mbi urën e Mitrovicës, kjo as që mund të diskutohet. Unë mendoj se Beogradi synon neglizhimin e detyrimeve që ka marrë në Bruksel dhe eventualisht, mashtrimin e opinionit publik ndërkombëtar, në këtë rast edhe të Brukselit zyrtarë, se kinse Serbia praktikisht po e ndërron qasjen duke u thirrur në paqe, duke krijuar kinse një ‘park të paqes’, etj”, thotë Matoshi.

Ai shton se me veprimet mbi urën qendrore mbi lumin Ibër, Serbia vetëm po e shtynë zbatimin e detyrimeve që kanë dalë nga marrëveshja e 19 prillit në Bruksel.

Megjithatë, Beogradi, siç tha ai, vetëm po blen kohë, sepse në të kundërtën, Serbia me qasje të tillë nuk mund të bëhet anëtare e bllokut të vendeve evropiane.

Në anën tjetër, kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, konsideron se heqja e barrikadës mbi urën mbi lumin Ibër është në frymën e marrëveshjes së Brukselit, por sipas tij, deklaratat e drejtuesve të qeverisë lokale në Mitrovicën e jugut, kanë mbjellë frikë tek bashkësia serbe në veri të Kosovës.

Ai ka shprehur drojë se në mungesë të qeverisë qendrore, pushteti lokal, pa kontrollin e autoriteteve në Prishtinë, mund të reagoj në mënyrë të pamatur.

Ai thekson se dialogu ndërmjet pushteteve lokale në veri dhe në jug të Mitrovicës ,mund ta pengojnë destabilizimin e situatës së mëtutjeshme.

“Bazuar në situatën specifike në Mitrovicë, unë mendoj se aty duhet gjetur një mekanizëm, në periudhën e ardhshme, që të vendoset komunikimi i drejtë për drejtë në nivelin lokal dhe në kuadër të procesit të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve. Kjo gjithsesi do t’i shërbente në përshpejtimin e atij procesit dhe zbatimin në kuptimin e plotë të asaj për të cilën veq është arritur me marrëveshjen e parë të Brukselit”, thekson Drecun.

Por, lidhur me atë se çfarë në të vërtetë dëshiron Beogradi të arrijë me “Parkun e paqes” mbi urën qendrore mbi lumin Ibër dhe a e vë ky veprim në pikëpyetje marrëveshjen e Brulselit, Dushan Janjiq nga Foumi për marrëdhënie etnike, thotë se Beogradi në kuptimin politik-psikologjik, e ka bërë këtë veprim në kohë të gabuar.

Ai thotë se kjo mund të jetë kështu, përveç në rast se po përgatiten një varg ngjarjesh, të cilat do të sjellin deri te rivënia e barrikadave në tërë veriun e Kosovës.

“Mendoj se një pjesë e Beogradit mbase e do këtë. Kurrë nuk e kam dëgjuar kryeministrin Vuçiq të ketë thënë se aneksimi i Krimesë ka krijuar situatë të re gjeopolitike, të cilën duhet shfrytëzuar. Por, deklarata të tilla kemi dëgjuar nga udhëheqës partish, si dhe nga kryetari Nikoliq. Beogradi së pari duhet të tregoj se Vuçiq, Daçiq dhe Nikoliq janë në anën e njëjtë".

"Do të thotë, kur them një pjesë e Beogradit, është absolutisht e qartë se Lista serbe atje është bërë me diktatin e partisë së Vulinit, Lëvizjes së socialistëve dhe natyrisht, nën diktatin e qarqeve skajshmërisht të mbyllura, të cilat gjithashtu i ka koordinuar Vulini”, tha Janjiq.

Ai ka shtuar se duke u bazuar në deklaratat, sidomos të Vulinit për Evropën dhe NATO-n, aty nuk mund të shihet vullneti për integrime evropiane.

“Ky njeri nuk është për këtë, sepse për të më e përafërt është Evro-azia. Prandaj, këtë duhet vendosur në kontekst serioz, kontekstin e presionit nga jashtë dhe ndihmës në terren , në mënyrë që, realisht, të ripërtërihet konflikti dhe që vëmendja të kthehet kah Kosova”, ka theksuar Janjiq.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG