Ndërlidhjet

Armët pa leje marrin 39 jetë për një vit


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Rreth 39 persona kanë vdekur si pasojë e vrasjes me armë pa leje gjatë vitit 2013.

Në vitin 2010 është miratuar Ligji për armët. Ky ligj është miratuar konform konventave të ndryshme Evropiane rreth përdorimit të armëve të zjarrit, thonë autoritetet e rendit për Radion Evropa e Lirë.

Brahim Sadriu, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, thotë se krahas planeve policore konkrete për ruajtjen e jetës së qytetarëve dhe konfiskimin e armëve pa leje, policia ka angazhime në vazhdimësi andaj si rezultat i kësaj janë konfiskuar 1.366 armë pa leje në vitin 2013.

"Bazuar në punën e policisë në baza ditore armët konfiskohen qoftë gjatë kontrollit, apo pikave të ndryshme që realizon policia për të siguruar sigurinë e përgjithshme , apo edhe në operacione të ndryshme. Nëse i referohemi vitit 2013 janë konfiskuar 1.366 armë ilegale në duart e qytetarëve derisa 1.988 municione të ndryshme", bën të ditur Sadriu.

Ai gjithashtu përmend sigurinë në Kosovë dhe thotë se armët pa leje nuk kanë arsye të mbahen.

"Armët pa leje nuk kanë arsye të mbahen, pasi që ata që e kanë pasion gjuetinë, mund të kenë leje, sepse ligji për pajisje me armë me leje e lejon një gjë të tillë, por thjeshtë ka persona që nga papërgjegjësia mbajnë armë pa leje, siguria në Kosovë është në nivel, andaj nuk ka arsye të mbajnë armë pa leje", shprehet Sadriu.

Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, UNDP, është organizatë që merret prej vitesh me ndërgjegjësimin e popullatës, rreth rrezikut të armëve pa leje, si dhe shkatërrimin e këtyre armëve pas konfiskimit nga autoritet e rendit.

Burbuqe Dobranja, zyrtare për çështje të informimit publik në UNDP, jep hollësi të tjera.

"Projekti iniciativa për armë të vogla në Kosovë, merret me parandalimin e dhunës me armë, me fokus të vaçantë në referimin e sektorit të sigurisë në Kosovë dhe zhvillimin e kapaciteteve të këtij sektori. Përgjatë viteve, projekti ka adresuar çështje të ndryshme, si kontrolli i armëve të vogla, përkrahja e ligjeve, ndërgjegjësimi i popullatës përmes fushatave si dhe shkatërrimi i armëve të mbledhura", thotë Dobranja.

Zonja Dobranja flet edhe për projektin e radhës, e cila parasheh shkatërrimin e armëve ilegale.

"Një ngjarje e tillë e organizuar nga Policia e Kosovës do të mbahet me 9 korrik të këtij viti në Ferizaj ku edhe do të shkatërrohen 600 armë", shprehet ajo.

Mensur Hoti, drejtor i departamentit për siguri publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në Kosovë rreth 5 mijë persona kanë armë me leje.

Ai gjithashtu ka shtuar se edhe rreth 1 mijë persona të tjerë janë në fazën e aplikimit.

"Çështja e armëve ilegale është shqetësim për vendin tonë dhe më gjerë e që ne kemi dalë nga një vend prej lufte të armatosur e që kanë qarkulluar armë. Vitet e fundit vërehet një përmirësim. Por ka ende punë për tu bërë pasi që ka armë në duar të qytetarëve pa leje. Por policia po punon në këtë drejtim që këto armë të konfiskohen si dhe legalizimi ne armëve".

"Policia e Kosovës, si përgjegjëse kryesore ka aktivitet të shtuar, marrë parasysh se mbajtja pa leje shton rrezikun për sigurime publike, dhe kjo dëshmohet me numrin e konfiskimit të armëve e që janë brenda vitit. Unë besoj se çështja e sigurisë për qytetarët e Kosovës është duke u adresuar drejtë nga institucionet që janë përgjegjëse për sigurinë. Mbajtja e armëve ilegale për të mbrojtur veten apo familjen nuk qëndron. Çështja e perceptimit të disa qytetarëve është e tillë, por e shumicës jo", thekson Hoti.

Ndryshe, sipas hulumtimeve të bëra, thuhet se posedimi i armëve është i përhapur më shumë në zonat rurale e ato kufitare dhe shumë njerëz e konsiderojnë këtë legjitime, duke pasur parasysh nivelin e perceptimit të pasigurisë në ato lokalitete.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG