Ndërlidhjet

UNDP: Korrupsioni e papunësia, brengat kryesore të qytetarëve


Ilustrim

Ilustrim

Misioni për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka publikuar të dhënat kryesore të Anketës së Pulsit Publik, që flet për kënaqshmërinë dhe besueshmërinë e qytetarëve të Kosovës për çështje të caktuara, lidhur me zhvillimet politike, ekonomike, sociale e të tjera.

Të dhënat e këtij raporti tregojnë se korrupsioni, papunësia dhe mosorientimi i duhur i zhvillimit ekonomik, janë shqetësimet dhe brengat kryesore të qytetarëve të anketuar në Kosovë.

Rreth 60 për qind e kosovarëve, papunësinë e perceptojnë si një nga problemet kryesore, me të cilat përballet vendi.

Përveç kësaj, të anketuarit gjithashtu nuk besojnë se punësimi bëhet në baza meritore në sektorin publik.

Afër 40 për qind e të anketuarve besojnë që lidhjet familjare janë faktori më i rëndësishëm për punësim në këtë sektor, ndërkaq 18 për qind besojnë se faktori më i rëndësishëm janë ryshfetet.

Pastaj, 12 për qind e kosovarëve mendojnë se inkuadrimin në parti të ndryshme politike, është mundësia më e lehtë për të fituar një vend pune.

Drejtuesi i projektit të Pulsit Publik në UNDP, Atdhe Hetemi, shpjegoi:

“Punësimi së bashku me korrupsionin dhe çmimet e larta, mbeten një ndër top problemet, me të cilat ballafaqohen kosovarët ose të paktën kështu janë deklaruar qytetarët e Kosovës. Kur qytetarët pyeten për kënaqëshmërinë e tyre sa i takon orientimit ekonomik të vendit, të dhënat janë goxha shqetësuese, sepse diku rreth 62 për qind e kosovarëve janë të pakënaqur ose shumë të pakënaqur me orientimin momental ekonomik të Kosovës”, tha Hetemi.

Rezultatet shpalosin se 56 për qind e kosovarëve mendojnë se çështjet e zhvillimit ekonomik duhet të trajtohen urgjentisht, pastaj renditen ato në sistemin shëndetësor e të tjera.

Sa i takon çështjes së papunësisë drejtori ekzekutiv i Qendrës Strategjike dhe Sociale “STRAS”, Ibrahim Rexhepi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se problemi i papunësisë gjithmonë ka qenë aktual, varësisht prej rrethanave, ambientit dhe intervaleve kohore.

“Çdo rritje ekonomike nën 7 për qind nuk premton shumë. Është një rritje ekonomike, e cila më shumë mund të mbajë një status-quo sesa të hapë më shumë vende pune. Këtë e them duke pasur parasysh se nga vjen rritja ekonomike. Kryesisht, ende dominojnë investimet në sektorin publik, dominon infrastruktura, e cila në fakt paraqet një rritje, por nuk hap vende pune. Apo, edhe nëse hapen vende të punës, ato mbyllen pas përfundimit të projektit”.

“Do të thotë, një rritje ekonomike e momentit, rritje ekonomike që e ka jetëgjatësinë derisa të zgjasë projekti, e jo që është rritje e qëndrueshme me mundësi që ajo edhe më tutje mos të ngrihet ajo normë e rritjes ekonomike, apo së paku të mbahet në atë nivel”, vlerësoi Rexhepi.

Kurse, sa i përket orientimit politik në raportin e UNDP-së, që është publikuar të mërkurën, thuhet se vetëm 21 për qind e kosovarëve duket se janë të kënaqur apo shumë të kënaqur me orientimin e tanishëm politik të Kosovës, ndërsa gati gjysma duket të jenë të pakënaqur apo shumë të pakënaqur me situatën politike.

Hulumtimi i UNDP-së jep, po ashtu, të dhëna për mendimet e qytetarëve lidhur me shkallën e korrupsionit në institucione të ndryshme. Agjencia Kosovare e Privatizimit, gjykatat dhe Korporata Energjetike e Kosovës konsiderohen si institucionet me nivelin më të lartë të korrupsionit.

Pulsi Publik, i shtati me radhë, është bazuar në intervistat e zhvilluara me 1306 qytetarë nga rajone dhe etni të kategorizuara sipas gjendjes aktuale në Kosovë.

Ky hulumtim është bazuar në anketat me qytetarë që janë bërë në fund të muajit prill dhe në fillim të muajit maj 2014.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG