Ndërlidhjet

logo-print

Serbët e Kosovës me kushte në qeverinë e re


Mitrovicë (Foto nga arkivi)

Mitrovicë (Foto nga arkivi)

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, të cilët kanë dalë nga zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit, janë marrë vesh për një paraqitje të përbashkët politike në proceset politike në Kosovë, kanë deklaruar autoritetet e Beogradit.

Ky unitet, sipas tyre, është arritur pas takimit që kanë pasur ditën e martë me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Pas këtij takimi, Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, ka thënë se përfaqësuesit e bashkësisë serbe në Kosovë do t’i forcojnë interesat e kësaj bashkësie përmes institucioneve të Kosovës dhe gjithnjë në koordinim me Qeverinë e Serbisë, e cila, siç ka thënë ai, do t’iu ofrojë mbështetje të vazhdueshme përfaqësuesve të serbëve në Kosovë.

Gjuriq ka theksuar se është shumë me rëndësi që serbët të marrin një pjesë të përgjegjësisë për drejtimin e institucioneve në Kosovë, pavarësisht se cila parti politike e shqiptarëve do ta formojë qeverinë e re në vend.

“Për ne është shumë e rëndësishme që të marrim pjesë në pushtet dhe ne nuk dëshirojmë të paragjykojmë apo t’ia zgjedhim popullit shqiptar në Kosovë se kush do t’i përfaqësojë dhe udhëheqë ata, apo kush do të sjellë vendime në emër të tyre. Por, ne dëshirojmë që populli serb në Kosovë në pjesëmarrjen e saj politike në institucionet e Kosovës të jetë i unifikuar dhe mendoj se ky është rezultati më i rëndësishëm i takimit që patëm”, ka theksuar Gjuriq.

Por, a kanë përfaqësuesit e serbëve parakushte apo kushte, të cilat do t’ia parashtrojnë ndaj subjekteve politike shqiptare, cilado qoftë ajo, që do ta formojë qeverinë e re në vend?

Aleksandar Jabllanoviq, drejtues i Listës Serbe, e cila në vete ka shkrirë tri subjekte politike dhe ka vota më shumë se subjektet tjera të kësaj bashkësie, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kjo listë do t’i shtrojë disa kushte për subjektet politike shqiptare, të cilat do të kërkojnë t’iu bashkëngjitet në qeverisje.

Lista Serbe do ta kushtëzojë mbështetjen e saj me kërkesën për formimin e menjëhershëm të Bashkësisë së komunave serbe, në përputhje dhe në mënyrën që është paraparë me marrëveshjen e Brukselit. Do të kërkojmë respektimin e të drejtave të serbëve dhe jo shqiptarëve, në masë edhe më të madhe në Kosovë”.

“Do të insistojmë për ndërprerjen e procesit të privatizimit në mjediset serbe në Kosovë dhe anulimin e privatizimeve që tashmë janë bërë. Do të kërkojmë edhe garantimin e një sigurie edhe më të madhe të serbeve dhe jo shqiptarëve në hapësirën e Kosovës, si dhe një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, i cili duhet të financohet nga Qeveria e Kosovës”, thekson Jabllanoviq.

Slobodan Petroviq, zëvendës-kryeministër në largim i Kosovës dhe ministër në largim i Pushtetit lokal, si dhe drejtues i Partisë së Pavarur Liberale, e cila ka hyrë në kuadër të Listës Serbe, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se kushtet që do të parashtrohen për bashkëpjesëmarrje në qeveri, me këdo qoftë, janë në funksion të mbrojtjes së interesave të votuesve të tyre.

“Mendoj se është e rëndësishme që ne e kemi treguar orientimin tonë se duam të jemi pjesë e qeverisë. Tashmë jemi në fazën e dytë ku kombinimet politike në njëfarë mënyre janë misterioze për secilin subjekt politik, që në përputhje me mbështetjen që kanë marrë në zgjedhje, ta kërkojnë edhe pozicionin në pushtet”, thotë Petroviq.

Ndryshe, Jabllanoviq thekson se Lista Serbe, do të insistojë për plotësimin e kushteve të saj ndaj akëcilit që do ta formojë qeverinë e re.

“Politika është proces i bisedimeve dhe ai që do të jetë bisedues më i mirë dhe do t’i respektojë kushtet, do ta ketë pozicionin më të mirë për atë qeveri. Mendojmë se Lista Serbe në Qeverinë e re të Kosovës mund të jetë vetëm faktor konstruktiv”, deklaron Jabllanoviq.

Ai shton, gjithashtu, se Lista Serbe do të jetë faktor garantues se Beogradi do ta zbatojë marrëveshjen e Brukselit deri në fund.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG