Ndërlidhjet

logo-print

Shoqëria kosovare ka hezituar ta hapë si temë çështjen e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, por ka preferuara të trajtojë në heshtje. Këto gra që u dhunuan gjatë luftës, nuk patën përkrahje - qoftë nga familja, qoftë nga institucionet, qoftë nga rrethi shoqëror, prandaj zëri i tyre nuk u dëgjua, Këto gra po jetojnë me një turp dhe fajësi, pasi që shoqëria po i etiketon si të tilla”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Feride Rushiti drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.

RADIO EVROPA E LIRË

Personat e dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë, tashmë kanë mbështetje ligjore. Si e shihi ju këtë hap, për të cilin u tha se është i vonuar?

FERIDE RUSHITI

Realisht, ky hap është i vonuar për faktin se 15 vjet pas luftës, këto gra kanë mbetur pa përkrahje institucionale, pa rehabilitim adekuat, pa qasje në drejtësi, pa kompensim material. Megjithatë mendojmë që të paktën tashmë këto gra kanë një përkrahje ligjore dhe me legjislaturën e Kosovës, njihen si viktima të dhunës seksuale gjatë luftës.

Ne mendojmë që ky është një hap i mirë, të paktën për njohjen e vuajtjes dhe sakrifikimit të këtyre grave gjatë luftës.

RADIO EVROPA E LIRË
Pse mendoni se nuk është bërë më herët?

FERIDE RUSHITI

Natyrisht, këto gra, apo viktima të dhunës seksuale gjatë luftës, janë kategoria më e ndjeshme shoqërore. Janë një kategori që paraprakisht janë të paragjykuara, të stigmatizuara dhe vetë dhunimi, si fenomen, është një tabu shoqërore, jo vetëm te ne, por edhe në rajon dhe vendet tjera të botës.

Shumë herë shoqëritë, sidomos shoqëria kosovare, ka hezituar edhe ta hapë si temë dhe ka preferuar ta trajtojë në heshtje sepse këto gra, në qoftë se janë dhunuar gjatë luftës, mund të them që psikologjikisht janë dhunuar edhe një herë prej opinionit kosovar, për faktin se nuk kanë pasur përkrahje - qoftë nga familja, qoftë nga rrethi shoqëror apo nga institucionet.

Prandaj, zëri i tyre nuk është dëgjuar, e fatkeqësisht nuk është dëgjuar as zëri i shoqërisë civile, ato të cilat kanë punuar me këtë grup të ndjeshëm shoqëror dhe në njëfarë forme edhe kur ka pasur tentime, iniciativa, apo kampanja për ta adresuar çështjen e tyre, nuk është marrë në konsideratë nga institucionet aktuale të Kosovës. Mirëpo, nuk është një fenomen, mund ta them lirisht, që vetëm këtu trajtohet (kështu) - edhe nëpër vendet në rajon, qoftë në Bosnje e Hercegovinë, qoftë edhe në Kroaci, si një vend që ka aderuar në BE, këto gra tani, së fundi po njihen ligjërisht.

Pra, janë kategori e ndjeshme; janë pjesa më fragjile e shoqërisë, edhe disi në heshtje e trajtojnë ose janë tërhequr nga shoqëria, dhe shoqëria e izolon në një formë, mos të jenë të zëshme - ndoshta edhe organizatat që i kanë trajtuar, duke mos pasur fuqinë për të shtyrë procesin përpara, këto gra nuk kanë qenë pjesë e legjislaturës kosovare.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa është e mjaftueshme kjo mbështetje, duke pasur parasysh vështirësitë e një viktime të dhunës seksuale të flasë hapur për këtë çështje dhe të përfshihet në ombrellën ligjore?

FERIDE RUSHITI

Natyrisht, që është shumë e ndjeshme çështja e procesit të dokumentimit, verifikimit dhe certifikimit, që mendohet që me këtë ligj, këto gra të shkojnë nëpërmjet një Komisioni, të përbërë nga nëntë anëtarë. Ky komision, pastaj duhet t'i ndërtojë procedurat e veta se si do t'u qaset këtyre grupeve të ndjeshme shoqërore. Ne, si organizata joqeveritare që punojmë ngushtë me këto gra, mendojmë që është shumë e ndjeshme që ky komision të krijojë procedura të atilla të cilat do të jenë shumë njerëzore, shumë të dinjitetshme, për faktin se krejt procesi është një ritraumatizim më vete.

Prandaj, në qoftë se ky komision nuk krijon mekanizma të atillë që këtyre grave t'ua lehtësojë procedurat e verifikimit dhe dëshmisë, do të ishte e vështirë, dhe ndoshta do t'i ç'inkurajonte gratë për t'iu qasur të drejtës së tyre ligjore.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilët janë më konkretisht hapat tjerë që shoqëria dhe institucionet në Kosovë do të mund të bënin për rehabilitimin e këtyre viktimave?

FERIDE RUSHITI

Pa dyshim që këto gra janë njohur me infrastrukturë ligjore, por infrastruktura si e tillë është shumë e mangët për faktin se duhet të krijohen disa rregullore apo akte administrative, të cilat do ta fusnin në zbatim këtë ligj. Institucionet që janë bartëse të këtij ligji, duhet të krijojnë dy akte administrative.

Një akt administrativ, i cili do ta themelonte komisionin dhe funksionalizimin e tij, si dhe një akt tjetër që do ta mbronte konfidencialitetin e viktimës, i cili është qenësor për të dëshmuar në proces dhe pastaj, pasi që këto gra ta kenë statusin e viktimës seksuale gjatë luftës, duhet t'i gëzojnë beneficionet tjera sikurse viktimat e tjera civile të luftës - qoftë kompensimin material, qoftë të drejtën për shërbime shëndetësore falas, shërbime psiko-sociale falas, rimëkëmbje ekonomike, përkrahje për familjarët e tyre e kështu me radhë ashtu siç edhe parashihen me Ligjin për vlerat e luftës.

RADIO EVROPA E LIRË
Presidentja e Republikës së Kosovës ka themeluar Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Ju jeni pjesë e këtij këshilli... Çka mund të ofrojë ky këshill?

FERIDE RUSHITI

Qëllimi i këtij Këshilli është kryesisht të koordinojë dhe bashkëveprojë të gjitha iniciativat që kanë të bëjnë në fuqizimin dhe përkrahjen e personave që janë dhunuara gjatë luftës.

Deri më tani janë realizuar dy takime, janë krijuar janë tri grupe punuese, njëri që do të merren me shëndetësi dhe ndihmë psiko-sociale, një grup që do të merret me drejtësi, do të thotë këto gra që kanë dëshirë dhe vullnet që të dëshmojnë para organeve të drejtësisë dhe grupi i tretë është rimëkëmbja ekonomike për faktin se shumica e këtyre grave, për shkak të pasojave, nuk kanë arritur të rikuperohen në shoqëri dhe janë shtresë e margjinalizuar e shoqërisë. Ato nuk kanë arritur të integrohen fare dhe përmes programeve ekonomike mendohet që këto gra të fuqizohen ekonomikisht.

RADIO EVROPA E LIRË

Ju keni kontakte me këto gra. Cilat janë problemet më të mëdha, me të cilat përballen ato?

FERIDE RUSHITI

Problemet, me të cilat ballafaqohen këto gra varirojnë, janë të ndryshme - qoftë duke u nisur nga anashkalimi shoqëror, stigmatizimi, nga problemet sociale, problemet ekonomike e deri te problemet shëndetësore e psiko-sociale.

Pa dyshim, për shumë nga këto gra, që kanë pasur fatin e keq të jenë viktima të dhunës seksuale, ëndrra është shuar në gjysmë - disa nga to nuk kanë arritur as të krijojnë familje, apo të kenë fëmijë, të kenë një trashëgimi, të kryejnë një studim apo të kenë një punë ku të mund të angazhohen dhe shumica i takojnë një kategorie shoqërore pothuajse shtrese të varfër që janë margjinalizuar në shoqëri. Edhe ato që kanë arritur të krijojnë një familje, prapë jetojnë me njëfarë turpi, me njëfarë lloj fajësie pasi shoqëria i etiketon si të tilla.

Faji është tek ai që e ka shkaktuar dhunimin, faji është te shoqëria që s'i ka rikuperuar dhe s'i ka rehabilituar, po megjithatë ne po mundohemi, si shoqëri, që njëfarë forme, përveç rehabilitimit direkt psiko-social e mjekësor që iu ofrojmë, punojmë mjaft shumë edhe në sensibilizimin e çështjes, pasi që këto gra janë viktima sikurse edhe viktimat e tjera të luftës, madje viktimat tjera të luftës që e kanë humbur një gjymtyrë një këmbë apo dorë, ato të paktën e dinë invaliditetin e tyre, ndërsa këto janë viktima me invaliditet mendor që është shumë më e dhimbshme.

Ato e quajnë veten si persona fizikë, të gjallë, ndërsa trupin thonë se e njohim si të vdekur. Këto gra jetojnë pa kurrfarë përkrahje, por shpresojmë shumë që ky Ligj tani do të gjejë zbatimin e tij dhe njëfarë forme, do t'ia kthejë respektin dhe dinjitetin këtij grupi të ndjeshëm shoqëror.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG