Ndërlidhjet

Tri arrestime nën dyshimet për terrorizëm


Ilustrim

Ilustrim

Në komunën e Kaçanikut dhe atë të Hanit të Elezit, Policia e Kosovës, ka arrestuar tre persona të dyshuar për terrorizëm.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Janë arrestuar tre persona dhe këto arrestime kanë ndodhur në Kaçanik dhe në Hanin e Elezit. Të arrestuarit dyshohen për terrorizëm”, ka theksuar Kelani.

Në një komunikatë për media të Policisë së Kosovës, thuhet se arrestimet janë kryer me dyshimet për përfshirje në vepra penale "organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist [neni 143], rekrutim për terrorizëm [neni 139] dhe nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik [neni 147]”.

Sipas policisë, gjatë operacionit të së enjtes, të koduar me emrin "Goditja", janë sekuestruar pajisje elektronike, revole me gaz, material propagandistik, uniforma ushtarake, pasaporta, dylbi, etj.

Njësitet policore janë duke vazhduar me hetimin e këtij rasti rreth mundësisë së përfshirjes edhe të ndonjë personi tjetër të dyshuar të mundshëm.

Ndryshe, me vendim të prokurorit, personave të dyshuar u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. (a.konushevci)

XS
SM
MD
LG